Boston shpërblen të gjitha parashikimet në sfidat e “play-off” të NBA, teksa pasi mbyllën sezonin e rregullt si kryesues në Konferencën e Lindjes dhe me një rekord fitoresh, Celtics siguruan biletën për në fazën gjysmëfinale të basketbollit amerikan, ku miqtë e Miami Heats, nuk patën asnjë shans, në “TD Garden”, me skuadrën e Boston, që imponoi rezultatin 118-84, në serinë e përgjithshme, 4 me 1.
Asnjë problem për Boston që vendosi një distancë sigurie në pjesën e parë. Derrick White dhe Jaylen Brown shënuan nga 25 pikë secili, ndërsa Jayson Tatum mbylli sfidën me dy shifra dopjo. “Ylli” i Celtics shënoi 16 pikë, ndërsa bëri një punë të shkëlqyer poshtë tabele, duke kapur plot 12 topa, nga kundërshtarët
Pa Jimmy Buttler, që nuk luajti asnjë nga ndeshjet e “play-off” për shkak të një dëmtimi, me 23 pikë në mbrëmjen e fundit Adebayo nuk arriti të evitojë humbjen e skuadrës së tij. Në gjysmëfinalet e NBA, Boston do të luajë me fituesin e përballjes mes Cleveland Cavaliers dhe Orlando Magic.
Goditja e madhe në mbrëmjen e fundit të “play-off” u shënua në Los Anxheles, ku Clippers u mundën nga Dallas në ndeshjen e pestë, me basketbollistin slloven, Luka Donçiç në formatin “MVP”, me 35 pikë, 10 asist dhe 7 topa të kapur në tabelë, Mavericks përmbysën serinë dhe tani kryesojnë 3-2.
Nëse Doncic shkëlqeu, “yjet” e Clippers zhgënjyen në shtëpinë e tyre dhe kjo konfirmohet nga 15 pikët e Paul George dhe 7 pikët e James Harden, teksa decizive për kaliornianët është sfida e gjashtë që do luajnë sërish në fushën e tyre, ku Dallas do të kërkojë të sigurojë biletën për në gjysmëfinalet e NBA.