Tirana dhe Flamurtari sot për finalen e katërt

Basketboll

Tirana dhe Flamurtari sot për finalen e katërt

Më: 3 maj 2024 Në ora: 14:45
Pamje nga ndeshja

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra është në metrat e fundit të fazës “play off”, me Tiranën dhe Flamurtarin që po matin forcat në finale për titullin kampion.

Një seri finalesh që foli për vajzat bardheblu në dy takimet e para, ndërsa vlonjatet mbetën në garë, duke fituar duelin e tretë të martën në shtëpi.

Tirana e nisi me triumf në transfertë me rezultatin 61-57, ndërsa thelloi në 2-0, duke fituar edhe përballjen e dytë në kryeqytet, këtë herë në shifrat 60-53.

Flamurtari arriti të reagonte në finalen e tretë, teksa triumfoi me rezultatin 63-60 në një sfidë me shumë rivalitet. Tashmë do të jetë radha e betejës së katërt, takim që do të luhet sot në orën 18:00 në sallën “Feti Borova”.

Klubi bardheblu ka njoftuar se për këtë ndeshje hyrja do të falas për sportdashësit, ndërsa priten tifozë edhe nga Vlora.

Tirana do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë, për të siguruar fitoren e tretë, sukses që do ti jepte zyrtarisht titullin skuadrës që drejtohet nga Mirza Alibegaj.

Nga ana tjetër, vlonjatet e trajnerit Agim Dalipi shpresojnë ta çojnë serinë me ndeshje të pestë, për ti luajtur të gjitha shanset në finalen e fundit në shtëpinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat