Vllaznia, fitore dramatike në Shkodër

Basketboll

Vllaznia, fitore dramatike në Shkodër

Më: 9 maj 2024 Në ora: 23:49
Pamje nga ndeshja

Mund Teutën 72:71, bileta e finales vendoset në sfidën e 5-të.

Teksa njëra prej finalisteve është njohur prej disa ditësh tashmë, pasi Besëlidhja e ka mbyllur në 3 ndeshje ndaj Tiranës çështjen e sigurimit të vendit në finale, Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj po pret ende për të njohur finalisten tjetër.

Dhe do të duhen edhe pak ditë të tjera për ta mësuar këtë, pasi Vllaznia ka korrur një fitore minimale të enjten në shtëpi ndaj Teutës, duke e çuar kështu në takimin e 5-të duelin tjetër të gjysmëfinaleve të koshit të meshkujve.

Durrsakët erdhën pasi e kishin fituar me vetëm dy pikë ndeshjen e 3-të, e cila ishte ndërprerë për shkak të sirenës së takimit dhe riluajtur pas disa ditësh, por shkodranët kanë luftuar fort në ndeshjen e 4-t, të luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, duke e fituar 10-minutëshin e parë me shifrat 19-13, por edhe atë të dytë me shifrat 20-15 dhe duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave me një epërsi prej 11 pikësh, 39-28.

Por skuadra durrsake ka dalë e motivuar nga dhomat e zhveshjeve dhe e ka fituar 10-minutëshin e 3-të me shifrat 22-18. Megjithatë, është Vllaznia që vijon të kryesojë pas një gjysmë ore, me 7 pikë epërsi, 57-50.

Një epërsi që do të rezultojë e vyer në fund, pasi Teuta do ta fitojë 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit me 6 pikë epërsi, 21-15, çka nënkupton se, përtej një fundi dramatik, Vllaznia do ta fitojë gjithë ndeshjen me vetëm një pikë epërsi, 72-71, duke bërë që të dyja skuadrat ta vendosin në ndeshjen e 5-të, që do të luhet në Durrës, se cila prej tyre do të shkojë në finale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat