Cavaliers barazon serinë

Basketboll

Cavaliers barazon serinë

Më: 10 maj 2024 Në ora: 16:28
Pamje nga ndeshja

Ndeshja e dytë gjysmëfinale e konferencës së lindjes Boston Celtics-Cleveland Cavaliers përfundoi me fitoren e këtyre të fundit në shifrat 94:118.

Një sukses i merituar për miqtë, që arritën në pjesën e dytë të takimit të shkëputeshin thellë ndaj Celtics.

Fraksioni i parë i ndeshjes ishte në ekuilibër total me rezultatin që shënonte 54-54. Pas kthimit nga pushimi, Cavaliers ishte më superiorë, duke mos vënë në dyshim fitoren e kësaj përballjeje dhe duke barazuar shifrat e dueleve në 1-1. Më i miri në parket ishte Donovan Mitchell me 29 pikë të realizuara dhe 8 asiste. Në formë të mirë ishte dhe “asi” i Celtics, Jason Tatum, autor i 25 pikëve dhe 7 topave në tabelë.

Lajmi i mirë për Cleveland është zhvillimi i dy sfidave të ardhshme gjysmëfinale në fushën e tyre, çka do t’i shtyjë akoma më shumë të besuarit e Bickerstraff të marrin rezultatet e duhura dhe të afrohen me finalet e konferencës së lindjes.

Nga ana tjetër, Celtics e kishin marrë pak lehtë përballjen, nisur edhe nga fitorja me 35 pikë diferencë që 17-herë kampionët e NBA arritën të merrnin në ndeshjen e parë.

Në barazpeshë të plotë është edhe ndeshja tjetër gjysmëfinale e konferencës së perëndimit mes Oklahoma City Thunder dhe Dallas Mavericks. Rezultati ndeshjes së dytë mes skuadrave u mbyll 110-119 në favor të Dallas.

Për këta të fundit, Luka Doncic ishte protgaonisti kryesor me 29 pikë dhe 10 asiste, çka zhvlerësoi 33 pikët e kanadezit të Oklahomas, Gilgeous-Alexander-Shai. Seria e dueleve u barazua në 1-1 dhe tani pritës të sfidave do të jenë Mavericks.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat