​Fetahu: Trepça-Ylli, finale e paparashikueshme - jemi gati për spektaklin e madh

Basketboll

​Fetahu: Trepça-Ylli, finale e paparashikueshme - jemi gati për spektaklin e madh

Më: 22 maj 2024 Në ora: 11:13
Fetahu

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka cilësuar si të paparashikueshme finalen e pestë ndërmjet Trepçës dhe Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, nga ku edhe do të mësohet kampioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.

Fetahu ka thënë se ky edicion i Supelrigës ka ofruar vërtetë një garë të nxehtë mes klubeve dhe kjo do të kulmojë me finalen e pestë mes Trepçës dhe Yllit.

Fetahu: Finale e paparashikueshme, si federatë jemi gati për spektaklin

“Gjithçka që ka ndodhur gjatë këtij stinori të fundit do të shpërfaqet në formën më të mirë të mundshme në këtë finale të pestë. Jemi me fat si sport që e kemi për vitin e dytë më radhë finalen e pestë si ndeshje e cila e përcakton fituesin e titullit. Koinçidencë është që për dy vite me radhë kjo ndeshje e pestë po zhvillohet në Mitrovicë, por unë dua që t’i falenderojë së pari të gjitha ekipet tona të cilat kanë marrë pjesë në gara këtë vit, në veçanti ato të Superligës për të gjithë atë çfarë kanë treguar deri më tani. E kemi vërtetuar edhe njëherë që gara jonë është vërtetë e paparashikueshme...Jemi të gatshëm si federatë, fatmirësisht edhe dy klubet finaliste e kanë bërë punën e tyre më të mirë deri më tani për të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këto ndeshje”, ka thënë Fetahu.

Ai ka shtuar se Federata e Basketbollit ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje, derisa ka bërë të ditur se prezent do të jenë edhe liderët institucional.

Fetahu: Në finale do jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e shtetit

“Interesim ka nga të gjitha sferat, do të thotë, personalisht deri më tani i kam më shumë se 50 kërkesa për hyrje në palestrën “Minatori” në ditën e enjte, por është e pamundur t’i përgjigjemi të gjithave pozitivisht sepse kapacitete e palestrave tona janë ato që janë. Unë jam i bindur se edhe institucionet e larta shtetërore do të jenë në parket sepse edhe ato kanë qenë dëshmitare gjatë gjithë këtij viti të një garë shumë të mirë dhe të një atmosfere të jashtëzakonshme...Jam i bindur se interesimi do të jetë i madh, siç është gjithmonë në Mitrovicë sepse Mitrovica është një prej qyteteve që e ka mbushur palestrën edhe në ndeshjet më të dobëta në kampionat e lëre më kërkesat për finalen e pestë”, ka theksuar Fetahu.

Sa i përket dy rivalëve, Fetahu është shprehur i bindur se Ylli dhe Trepça janë dy skuadrat meritore për të qenë në këtë pikë pasi këtë e kanë dëshmuar në vazhdiëmsi të kampionatit.

Fetahu: Trepça dhe Ylli janë me meritë në finale

“Sigurisht që të dy janë me meritë në finale. Në basketboll, jo sikur në futboll dhe sportet tjera është e pamundur pothuajse të fitosh pa meritë, në veçanti në sistemin tonë të garimit ku klubet duhet që ta fitojnë klubin tjetër tri herë për të kaluar në finale dhe tri herë për t’u shpallur kampion. Do të thotë, mund të kesh rastësi që në një ditë ta kesh ditën e mirë apo të keqe dhe ta humbasësh një ndeshje, por tri ndeshje t’i fitosh radhazi ndaj një kundërshtari dhe atë të gjitha brenda dy javësh është pothuajse e pamundur nëse nuk është ekipi më i mirë në pyetje...Kështu që unë them se nesër do të vendosin nuancat, por mbetet të shihet cili do të kurorëzohet kampion”, nënvizoi i pari i FBK-së.

Palestra “Minatori” në Mitrovicë pritet të jetë e stërmbushur me tifozë, andaj i pari i basketbollit ka thënë se është i bindur se nuk do të ketë asnjë incident pasi të dy taboret e tifozëve kanë treguar kulturë të lartë të sjelljes në katër ndeshjet paraprake ndërmjet tyre.

Fetahu: Jam i bindur që s’do të ketë incidente mes tifozëve

“Unë besoj që thirrjet kryesore janë bërë nga vet klubet. Unë besoj nga ajo që kam parë para dy ditësh në Suharekë, në fakt jam i bindur që do të shkojë ashtu siç është më së miri sepse është një ndjenjë e veçantë që të shohim që një shoqëri ose një komunitet i cili është pak sa i polarizuar në kuptim të animit sportiv, është një ndjenjë e veçantë që t’i shohim tifozët e Yllit dhe Trepçës të dalin nga palestra bashkë, të qëndrojnë krah njëri-tjetrit, që të mos kemi as edhe incidentin më të vogël, as brenda e as jashtë palestrës”, ka thënë në fund Fetahu.

Trepça dhe Ylli kanë zhvilluar katër ndeshje finale deri më tani dhe janë të barabartë në seri 2-2, andaj sfida e se enjtes do ta nxjerrë edhe kampionin e ri të Kosovës në basketboll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat