​“Yllin po e pret ferri”, mitrovicasit të bindur se Trepça shpallet kampion

Basketboll

​“Yllin po e pret ferri”, mitrovicasit të bindur se Trepça shpallet kampion

Më: 23 maj 2024 Në ora: 11:03
Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare

Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion i Superligës së Kosovës në basketboll do të përfundojë sonte në Mitrovicë. Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, dhe fituesi i kësaj ndeshje do të shpallet kampion i Kosovës.

Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.

Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.

Interesimi për të siguruar një biletë për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh.

Që nga ora 6 e mëngjesit të sotëm, tek palestra “Minatori” janë krijuar radhë të gjata të tifozëve për të blerë një biletë.

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë gjatë gjithë ndeshjes, me mitrovicasit që do t’i japin mbështetje të fuqishme skuadrës së tyre me qëllimin e vetëm për t’u shpallur kampion të Kosovës.

Tifozi Deniz Meha i cili po priste në radhë për një biletë deklaroi për KosovaPress se lojtarët e Yllit po i pret ferri në “Minatori”.

Meha: Në “Minatori” Yllin po e pret ferri

“Lojtarët e Yllit i pret ferri në “Minatori”. Loja e pestë është e jona pa asnjë dyshim. Trepça shpallet kampion, ata si të futen brenda do t’iu dridhen këmbët sepse do të mbizotërojë shumë atmosferë e zjarrtë këtu”, tha Meha.

Ndërsa i bindur se Trepça do të shpallet sonte kampion është shprehur tifozi tjetër Muharrem Vojvoda.

Vojvoda: Trepça shpallet kampion sonte

“Trepçën e përcjellë që nga viti 1999 edhe zakonisht rivalët e përbetuar Trepça i ka pasur gjithmonë disa ekipe të tjera, Ylli nuk është rival i përbetuar, është ekip e re, mirëpo e ka krijuar ekipin, është i fortë, unë mendoj që e pret një atmosferë e jashtëzakonshme, është ndeshja vendimtare dhe është siç thotë populli e treta e vërteta, kësaj radhe shpresojë që do të jetë kampion. Bazuar në cilësitë që ka, unë besoj që Trepça do të jetë kampion”, theksoi Vojvoda.

Ballafaqimi ndërmjet Trepçës dhe Yllit do të nis nga ora 19:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat