Flet Marku pas humbjes së mbrëmshme: Shumë vite pa përjetuar diçka të tillë, do rikthehem më i fortë se kurrë

Boksi

Flet Marku pas humbjes së mbrëmshme: Shumë vite pa përjetuar diçka të tillë, do rikthehem më i fortë se kurrë

Më: 1 prill 2024 Në ora: 18:41
Florian Marku

Boksieri shqiptar, Florian Marku është mposhtur ndaj Chris Kongos në O2 Arena mbrëmë në Londër. Pas kësaj humbje boksieri shqiptar ka bërë reagimin e parë të tij.

Marku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar “se ka shumë vite, që nuk e ka përjetuar një ndjenjë të tillë, siç është humbja, mirëpo se nuk do ta justifikojë por do të kthehet më i fortë se kurrë”.

“Faleminderit Zotit për gjithçka si në fitore por edhe në humbje. Kam shume vite pa përjetuar diçka të tillë neë karrierën time. E kisha harruar këtë ndjenjë, por dje nuk ishte nata ime, kështu ishte e shkruajtur”, ka shkruar Marku.

Ndryshe,31-vjeçari e nisi mirë meçin me Kongon, që kishte përparësi sa i takon gjatësisë. Pas dy raundeve të dominuara nga boksieri nga Lushnja, Kongo nisi të shfaqej më shumë. Kishte goditje më të sakta dhe gradualisht kaloi në avantazh sa u takon pikëve. Në raundin e tetë Markut iu mor një pikë nga gjyqtari në ring për goditje të kundërshtarit pas koke. Ai nuk iu përmbajt vërejtjeve të mëhershme të gjyqtarit dhe mbeti pa një pikë.

Në fund, fitorja me vendim unanim i takoi britanikut Chris Kongo. Meçi zgjati dhjetë raunde. Për Markun ishte humbja e parë në karrierë në boksin profesionist.

Ai ka bilanc prej 13 fitoreve, një humbjeje e një barazimi. Tetë prej fitoreve i ka arritur me nokaut. Ka përkrahje të madhe nga shqiptarët, sidomos në Britani të Madhe. Në fakt, ka shumë vjet që Marku është prej boksierëve shqiptarë më të famshëm.

Humbja ka goditur planet e tij për të luftuar për tituj të rëndësishëm, por Marku ka paralajmëruar kthim të fuqishëm.

“Justifikimet nuk më pëlqejnë. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që ishin në stadium dhe gjithë ata që më kanë ndjekur nga ekrani. Do të kthehem më i fortë se kurrë”, ka premtuar Florian Marku.

Meçi i së dielës mbrëma ishte i vlefshëm për titullin IBO Interkontinental, në kategorinë uelter. Kongo nuk kishte boksuar që nga janari i vitit 2023, por ndaj Markut shfaqi dukshëm më tepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat