Spektakël në ngjarjen jubilare

Boksi

Spektakël në ngjarjen jubilare

Më: 9 prill 2024 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Këtë fundjavë, në Las Vegas, do të zhvillohet eventi jubilar UFC-300 në artet marciale mikse. Një event që pritet me interes për faktin se do të ketë disa duele interesante dhe për titullin kampion në të dyja kategoritë.

Për meshkuj do të zhvillohet dueli për titullin kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha 84-93kg). Përballë njëri-tjetrit do të jenë kampioni në fuqi Aleix Pereira (braziliani numëron 9 fitore e 2 humbje) dhe sfidanti amerikan Jamahal Hill (12 fitore, 1 humbje e 1 duel pa rezultat).

Hill ka qenë kampion i këtij Divizioni, por e nxori vakant titullin që nuk e mbrojti dot për shkak dëmtimi. Ai rikthehet në kafaz pas 15 muajsh, ndërkohë që Pereira, kampion i dyfishtë bote (ka qenë kampion edhe në peshën e mesme), e mbron për herë të parë titullin e këtij Divizioni.

Për femra do të zhvillohet dueli i titullit kampion në peshën “strawweight” (pesha 48-52kg). Një derbi kinez mes kampiones në fuqi Weili Zhang (24 fitore e 3 humbje) dhe sfidantes Yan Xiaonan (17 fitore, 3 humbje e 1 duel pa rezultat).

Mjaft interesant edhe dueli për titullin simbolik BMF (baddest motherfu*ker) mes legjendave Justin Gaethje (25 fitore e 4 humbje) dhe Max Holloway (25 fitore e 7 humbje). Kjo sfidë do të zhvillohet në peshën e lehtë.

Në këtë event jubilar të arteve marciale mikse, në kafaz do të ngjiten edhe mjaft ikona të tjera e ish-kampionë bote si Charles Oliveira, Holly Holm, Aljamain Sterling, Jessica Andrade, Cody Garbrandt e Jiri Prochazka.

UFC-300, duelet kryesore

Aleix Pereira – Jamahal Hill

Weili Zhang – Yan Xiaonan

Justin Gaethje – Max Holloway

Charles Oliveira – Arman Tsarukyan

Bo Nickal – Cody Brundage

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat