Për boksieren Donjeta Sadiku janë dhënë lajmë të mira nga ana e Ministrisë së Sportit sa i përket kushteve në të cilat ajo stërvitet. Për vite me radhë, Sadiku së bashku me trajneren e saj Marjola Sallauka punojnë në një sallë e cila nuk plotëson kushtet elementare për t’u stërvitur.
Donjeta Sadiku tashmë ka fituar normën që të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” dhe në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për këto lojëra, zëvendësministrja e Ministrisë së Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se shumë shpejtë do të do të krijohet një hapësirë e re për boksieren kosovare me kushte optimale që ajo të përgatitet në kushte më të mira dhe me pajisje të reja.
Osmani: Në afat rekord do ta krijojmë një hapësire të re stërvitore për Sadikun
“Për çështjen e Donjeta Sadikut jemi në koordinim dhe mobilizim të tërësishëm ndërmjet ministrisë, klubit të Donjetës por edhe Federatës së Boksit të Kosovës për t’u siguruar që në një afat rekord t’i krijohet një hapësire e re me kushte të reja, me pajisje të reja në të cilat ajo do t’i bëjë edhe përgatitjet finale para ‘Parisit 2024’, mirëpo jo vetëm por të vazhdojë të qëndrojë si hapësirë e klubit të saj, së bashku Donjeta me trajneren e saj, mirëpo edhe me pjesëtarë të tjerë të klubit dhe me sportistët tjerë të cilët potencialisht mund të jenë potencial për vitin 2028”, tha Osmani.
Tutje Osmani shtoi se ka besim të plotë që Donjeta Sadiku do të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike 20278 dhe se do të jetë kandidate për medalje edhe atje.
Osmani: Presim që Sadiku të jetë pjesëmarrëse edhe në Lojërat Olimpike 2028
“Siç e dimë, boksi ka një karrierë më afatgjate se sa disa sporte të tjera që janë më të limituara, andaj Donjetën e kemi pjesëmarrëse në vitin 2024, mirëpo mendojmë që Donjeta, e urojmë dhe shpresojmë që të jetë një ndër kandidatet kryesore për medalje, jo vetëm tani mirëpo edhe në vitin 2028 së bashku edhe me xhudistët tjerë”, theksoi ajo.
Këtë premtim, Osmani e bëri pak ditë më parë me rastin e lansimit të programit “Super sportistët” i cili synon mbështetjen e 20 sportistëve më të mirë të përzgjedhur nga tetë sportë të ndryshme dhe ata do të mbështetjen me katër milionë euro.