Në moshën 20-vjeçare, Tyson Fury kishte deklaruar synimin e tij për të qenë kampion bote.
Tani, 16 vjet më vonë, ai ka mundësinë të bëjë diçka që asnjë boksier nuk e ka arritur për një çerek shekulli. Britaniku, mbajtësi i titullit të peshave të rënda të WBC përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk, që mban titujt e kategorive WBA, WBO dhe IBF, sfidë që do të zhvillohet më 18 maj në Riad.
Në një video të postuar së fundi, Fury flet për ambicjet e tij. “Unë mund të jem kampion bote, të jem numër 1 në botë, të jem më i miri dhe ta provoj këtë. Unë jam 36 vjeç dhe këto ëndrra e objektiva i kisha që 16 vjet më parë. Gjithmonë kam besuar, edhe kur të tjerët nuk e besonin, se do të isha një yll dhe do të fitoja miliona dollarë nga ky sport”, thotë Tyson Fury.
“Unë gjithmonë kam besuar se do të isha kampion i peshave të rënda, unë jam luftëtari më i mirë në botë.
Së pari, duhet të besosh, pastaj të arrish”, tha Fury, që ka arritur 34 fitore e 1 barazim në karrierën e tij. Megjithatë, ai nuk ka pasur një rrugë të thjeshtë drejt majës. Veçanërisht dy vjet e gjysmë jashtë ringut, pasi mposhti Ëladimir Klitschko për t’u bërë kampion i unifikuar.
Ai beson se kohët e mira dhe të këqija kanë shërbyer për të formësuar luftëtarin që është tani. “Ju jetoni dhe mësoni nga përvojat tuaja, asgjë nuk ndodh brenda natës. Atëherë, doja të luftoja Klitschko e dhe arrita pas shtatë vitesh. Gjërat e mira vijnë për ata që presin, asnjë nuk duhet të nxitohet dhe merrni kohën tuaj sepse keni vetëm një karrierë. Në atë kohë, në moshën 20-vjeçare, doja gjithçka”, rrëfehet Tyson Fury.
Fury nuk ka turp të deklarojë se do të jetë ai që do të kurorëzohet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda më 18 maj. “E thashë këtë gjë kur isha një djalë i vogël, ndaj do të jem një nga të rrallët njerëz që ëndërroi diçka si fëmijë dhe e arriti atë si i rritur. Ishte një udhëtim i mrekullueshëm dhe ja ku jemi tani, 16 vjet më vonë, gati të bëhemi kampion i padiskutueshëm i botës. Kjo është sfida më e madhe në 25 vitet e fundit, e cila është një përpjekje e mahnitshme”, tha Tyson Fury.