​Gjermania kërkon gaz nga Senegali

Bota

​Gjermania kërkon gaz nga Senegali

Më: 22 maj 2022 Në ora: 23:09
​Gjermania kërkon gaz nga Senegali

Gjermania kërkon të nisë projekte energjetike me Senegalin, tha sot kancelari Olaf Scholz gjatë udhëtimit të tij të parë në Afrikë në një kohë kur lufta në Ukrainë po rrit çmimet e energjisë dhe ushqimeve.

Scholz filloi një vizitë treditore në Afrikë në Senegal, një vend me miliarda metra kub rezerva gazi dhe pritet të bëhet një prodhues i madh gazi në zonë.

Gjermania po kërkon të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ajo ka filluar bisedimet me autoritetet senegaleze për nxjerrjen dhe lëngëzimin e gazit natyror, tha Scholz.

"Kjo është një çështje që duhet trajtuar seriozisht," tha ai në një konferencë shtypi me presidentin senegalez Macky Sall, duke shtuar se ishte në interesin e të dy vendeve që të vazhdonin bisedimet përpara.

Scholz tha se Gjermania është gjithashtu e interesuar në projektet senegaleze të energjisë së rinovueshme.

Ndërsa presidenti Sall tha se Senegali është gati të punojë për furnizimin e tregut evropian me gaz natyror të lëngshëm. Ai parashikon që Senegali do të prodhojë 2.5 milionë tonë vitin e ardhshëm dhe 10 milionë tonë deri në vitin 2030.

Sa i përket kërkimit të gazit, financimit të projektit dhe çështjeve të tjera, presidenti Sall tha se do të merrte gjithçka parasysh dhe ishte "i gatshëm të bashkëpunonte me Gjermaninë në këtë kontekst".

Gjermania ka ftuar Senegalin, i cili aktualisht mban presidencën e Bashkimit Afrikan, dhe Republikën e Afrikës së Jugut të jenë mysafirë në samitin e G7 që do të mbahet në Gjermani në qershor.

Të dy vendet afrikane kanë abstenuar nga votimi për një rezolutë të OKB-së kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilin Moska e quan një operacion të posaçëm ushtarak.

Si kryetar i Bashkimit Afrikan, Sall tha se shumë vende afrikane hezitonin të zgjidhnin një anë në luftë, edhe pse e dënonin pushtimin.

"Është shumë e qartë - ne duam paqe," tha ai. "Ne po punojmë për de-përshkallëzimin, armëpushimin, dialogun - ky është pozicioni i Afrikës."

Sall tha se do të vizitojë Moskën dhe Kievin në javët e ardhshme.

Konflikti në Ukrainë, e cila është një furnizues kryesor i drithit dhe ushqimit, ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit që kanë rritur çmimet e ushqimit dhe energjisë në Afrikë.

"Unë i kam shprehur shqetësim të madh kancelarit Scholz për ndikimin e luftës," tha Sall, duke bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të zbutur efektet që po vuan Afrika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat