Universiteti ‘Columbia’: Protestuesit bllokojnë një nga sallat e universitetit

Bota

Universiteti ‘Columbia’: Protestuesit bllokojnë një nga sallat e universitetit

Më: 30 prill 2024 Në ora: 16:52
Protestuesit bllokojnë një nga sallat e universitetit

Një grup protestuesish në Universitetin ‘Columbia’ në Nju Jork ka bllokuar një nga sallat e universitetit duke mos lejuar punonjësit dhe studentët e tjerë të hyjnë në të. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya demonstruesit në ‘Columbia’ dhe në disa universitete të tjera amerikane duan shkëputjen e lidhjeve me Izraelin dhe heqjen dorë nga investimet në kompanitë izraelite dhe në ato që kanë lidhje me Izraelin për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Disa studentë hebrenj thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm.

Pamjet filmike tregojnë disa dhjetëra protestues në godinën e universitetit që gjendet në Manhattan duke mbyllur hyrjet e sallës ‘Hamilton’ të martën në mëngjes.

Protestuesit lidhën duart dhe vendosën tavolina para hyrjes së sallës ndërsa protestues të tjerë u barrikaduan brenda ndërtesës.

Universiteti ‘Columbia’ ndërkaq filloi të lëshojë vendime për pezullimin e disa studentëve protesues.

Protestuesit kanë tri kërkesa: shkëputjen e lidhjeve me Izraelin, heqjen dorë nga investimet në kompani izraelite dhe në ato që kanë lidhje me Izraelin, si dhe shpalljen e aministisë për studentët protestues.

Një ditë më parë, një nga organizatoret e protestës në ‘Columbia’ tha se ultimatumet e administratës së Universitetit nuk do të funksionojnë.

“Studentët dhe mbështetësit nuk kanë frikë. Nuk bëhet fjalë për shkelje të rregullave, por lëvizje aktivistësh. Ata do të jenë këtu për aq kohë sa të ketë nevojë. // Ne kemi një komunitet të madh dhe do të qëndrojmë këtu derisa të na heqin me forcë”, thotë Sueda Polat, organizatore e protesës.

Ndonëse ka disa studentë hebre që i janë bashkuar protestave, disa të tjerë nga ky komunitet ankohen se ato janë kthyer në antisemitizëm.

Protestuesit që pushtuan sallën ‘Hamilton’ mëngjesin e të martës vendosën pankarta në një dritare ku shkruhej “Intifada”, fjalë në gjuhën arabe për kryengritje, raportoi televizioni amerikan CNN.

Në Universitetin e shtetit të Uashingtonit në Siatëll studentët protesues janë dëgjuar duke shfrytëzuar thirrjen: “Nga Lumi në Det, Palestina do të jetë e lirë”.

Për hebrenjtë kjo është thirrje që mohon ekzistencën e shtetit të Izraelit. Në vitin 2012 Hamasi e përvetësoi sloganin me qëllimin që të merrte nën kontroll territorin që përfshin jo vetëm Gazën dhe Bregun Perëndimor, por edhe Izraelin.

Në Siatëll, çdo 20 minuta, mund të dëgjoheshin thirrje në mbështetje të kryengritjes palestineze kundër Izraelit dhe madje edhe në përkrahje të rebelëve jemenas Houthi që sulmojnë anijet në Detin e Kuq.

Universiteti në Siatëll vendosi disa tabela kundër krijimit të kampeve të protestuesve afër fakultetit të Arteve Liberale ku studentët vendosën tendat.

“Një shenjë nuk do të na pengojë të vazhdojmë solidaritetin me Palestinën. // Ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Nëse ka arrestime, kjo nuk është për shkak të asaj që po bëjmë, por për shkak se kështu do zgjidhnin të veprojnë administrata e universitetit, Departamenti i Policisë së Universitetit dhe Policia në Siatëll. Unë jam i përgatitur të përballem me këtë rrezik”, thotë Mathieu Chabaud, një nga organizatorët e protestës në Univesitetin e Uashingtonit.

Në këtë universitet megjithatë ka profesorë që thonë se administrata e universitetit nuk duhet të kishte lejuar vendosjen e kampit. Profesori Stuart Reges, i cili jep mësim në shkenca kompjuterike, shpreson që protesta të mos arrijë deri në atë pikë ku policia të ndërhyjë.

“Jam i shqetësuar që universiteti po i lejon ata të shkelin rregullat. Mendoj se universiteti nuk do të lejonte një protestë ku do të bëhej thirrje për amerikanët e racës së bardhë dhe për vendosjen e flamujve të Konfederatës pasi kjo do të shqetësonte studentët me ngjyrë që mund të kalonin pranë. Unë mendoj se ka një standard të dyfishtë në këtë rast. Më vjen mirë që deri tani protesta është paqësore. Shpresoj që të mbetet kështu”, thotë Profesori Reges.

Mbështetësit e Izraelit pyesin pse protestuesit nuk përmendin Hamasin dhe pengjet që ai mban në Gazë.

“Ndërsa ndjej keqardhje për familjet e pengjeve, mua më duhet të shikoj se çfarë mund të bëj në Shtetet e Bashkuara dhe shoh që qeveria ime po ofron miliarda dollarë ndihma ushtarake për Izraelin”, thotë zoti Chabaud, organizator i protestës në Universitetin e Uashingtonit.

Universitetet amerikane ku po mbahen protestat ende nuk e kanë të qartë se si të heqin kampet e protestuesve ndërsa afrohen datat për mbajtjen e ceremonive të diplomimit.

Disa universitete kanë vendosur të negociojnë me protestuesit, disa kanë thirrur organet e rendit për të ndërhyrë.

Dhjetra u arrestuan të hënën gjatë protestave në universitetet në Teksas, Utah, Virxhinia dhe Nju Xhersi, ndërsa numri i përgjithshëm i studentëve të arrestuar e ka kaluar shifrën 1000./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat