Kërkohet gjyq ushtarak për publikuesin e dokumenteve sekrete, Jack Teixeira

Bota

Kërkohet gjyq ushtarak për publikuesin e dokumenteve sekrete, Jack Teixeira

Më: 14 maj 2024 Në ora: 23:46
Jack Douglas Teixeira

Prokurorët e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara kërkuan të martën që ish pjesëtari i Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusets, Jack Teixeira, të dalë përpara një gjykate ushtarake. Ai akuzohet për publikimin e një sasie të madhe dokumentesh sekrete.

Jack Teixeira, 22 vjeç, u shfaq në uniformë në bazën e Forcave Ajrore Hanscom të Masaçusets. Kjo është seanca e parë në lidhje me akuzat ushtarake të ngritura pasi ai pranoi fajësinë në muajin mars lidhur me akuza të veçanta të ngritura nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.

Prokurorët e Forcave Ajrore argumentuan se ai duhet të përballet me një gjykatë ushtarake për pengim të drejtësisë dhe dështimin për t'iu bindur një urdhri të ligjshëm ndërsa shërbente në Gardën Kombëtare Ajrore Otis në Cape Cod në Masaçusets.

Pjesëtari i Gardës Kombëtare në shtetin Masaçusets, Jack Teixeira, u arrestua në prill të vitit 2023 nën akuzat për një nga shkeljet më serioze të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara ndër vite, ndërsa punonte si specialist i komunikimeve kibernetike të ushtrisë.

Pavarësisht se kishte një detyrë të rangut të ulët, ai zotëronte një certifikatë të lartë sigurie dhe në vitin 2022 filloi të kishte qasje tek qindra dokumente sekrete që lidheshin me çështje si agresioni rus në Ukrainë, sipas prokurorëve.

Nën emrin e përdoruesit "TheExcaliburEffect", Teixeira ndau informacione sekrete në aplikacionin e mesazheve, Discord, ndërsa mburrej se kishte të dhëna për vende si Izraeli, Siria, Irani, Kina dhe shtete të tjera.

Ai u deklarua fajtor për mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të dokumenteve sekrete që kishin lidhje me mbrojtjen kombëtare dhe përballet me të paktën 11 vjet burg. Dënimi do të shpallet më 27 shtator dhe prokurorët federalë planifikojnë të kërkojnë mbi 16 vjet burg.

Forcat Ajrore njoftuan më 1 maj se kishin vendosur që të ngrenë akuza të veçanta ushtarake kundër tij, të cilat sipas një zëdhënësi mbartin një dënim maksimal me rreth 10 vjet burg.

Gjatë seancës dëgjimore të martën, prokurorja Stephanie Evans tha se dokumentet dhe pranimi i fajësisë nga Teixeira mbështesin gjetjet se ai

injoroi urdhrat nga eprorët e tij për të mos hulumtuar dokumentet sekrete që nuk lidhen me detyrën e tij.

Kapitenia Stephanie Evans tha se ai kishte qasje dhe printoi qindra dokumente. Kur kjo doli në dritë, ai hodhi një iPad, iPhone dhe diskun e memories së një kompjuteri, si dhe udhëzoi ata me të cilët kishte komunikuar në internet që të fshinin të gjitha shkëmbimet mes tyre, tha prokurorja Evans.

Avokati mbrojtës tha se çështja përbën shkelje të së drejtës kushtetuese për klientin e tij, Teixeira, për të mos u ndjekur penalisht dy herë për të njëjtën vepër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat