Zelensky shtyn vizitat jashtë vendit për shkak të situatës së “vështirë” në front

Bota

Zelensky shtyn vizitat jashtë vendit për shkak të situatës së “vështirë” në front

Më: 15 maj 2024 Në ora: 14:03
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shtyrë të gjitha takimet e planifikuara jashtë vendit, një shenjë që tregon për vështirësitë me të cilat po përballen forcat ukrainase kundër avancimit të Rusisë në rajonin verilindor të Harkivit.

Zelensky ishte paraparë që në ditët në vijim të vizitonte Spanjën dhe Portugalinë dhe më 17 maj në Madrid ishte paraparë që të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.

“Zelensky ka udhëzuar që të gjitha ngjarjet ndërkombëtare ku ishte paraparë të merrte pjesë në ditët në vijim, të shtyhen për data të tjera. Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë për mirëkuptimin”, tha zëdhënësi i tij, Serhiy Nykyforov.

Ukraina nuk ka dhënë asnjë arsye specifike për shtyrjen e takimeve, por Nykyforov shkroi në Facebook se Zelensky më 15 maj mbajti një takim me komandantët e tij, përfshirë edhe me komandantin e përgjithshëm, gjeneralin Oleksandr Syrskiy. Në takim është diskutuar situata në rajonin e Harkivit.

“Forca shtesë rezervë po dislokohen në këtë zonë”, shkroi Nykyforov.

Rusia është duke kryer ofensivë në veri të rajonit të Harkivit dhe ushtria ukrainase tha më 15 maj se ka ndërmarrë hapa për të parandaluar që forcat ruse të lëvizin në pjesën veriore të qytezës së Vovçanskut, që gjendet 5 kilometra larg nga kufiri me Rusinë.

Vovçansku është bërë epiqendër e ofensivës së fundit ruse, përderisa forcat e Kremlinit po tentojnë të marrin nën kontroll vendbanime në lindje të Harkivit – qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, që para luftës kishte 1.4 milion banorë.

Trupat e Moskës hynë në rajonin e Harkivit më 10 maj duke hapur një front të ri në verilindje të Ukrainës. Avancimi rus mund të bëjë që disa forca të Kievit të tërhiqen nga lindja, ku Rusia po bën përparim të ngadalshëm.

Analistët thanë se Rusia po tenton të bëjë përparime në fushëbetejë, para se vala e ndihmës së re ushtarake për Kievin të shkojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane. Paketat e reja të ndihmës pritet të shkojnë në Kiev në javët në vijim.

Një ditë më herët, Rusia pretendoi se ka marrë kontrollin e fshatit kufitar, Buruvatka, por ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, deklaroi të mërkurën se pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ruse, nuk ka plane për evakuimin e qytetit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat