Katër të arrestuar, dhjetëra të plagosur nga dhuna kundër të huajve në Bishkek

Bota

Katër të arrestuar, dhjetëra të plagosur nga dhuna kundër të huajve në Bishkek

Më: 18 maj 2024 Në ora: 14:43
Pamje e orëve të vona të 17 majit në Bishkek.

Qeveria e Kirgizisë ka thënë se katër shtetas të huaj janë arrestuar pas dhunës së shkaktuar prej disa turmave në Bishkek në mesnatën e 17-18 majit, duke rezultuar me plagosjen e të paktën 28 personave, përfshirë dhjetëra shtetasve të huaj.

Sipas saj, dhuna dyshohet të ketë pasur shënjestër studentët e huaj dhe migrantët.

Dhuna ka nxitur reagime diplomatike prej Pakistanit dhe Indisë, të cilat kanë paralajmëruar studentët e tyre në Bishkek që të qëndrojnë nëpër ambiente të brendshme.

Dhuna ka shpërthyer pas qarkullimit të një videoje të 13 majit në të cilën shihen disa studentë kirgizë duke u përleshur me studentë nga Egjipti.

Për pasojë, shumë turma njerëzish janë mbledhur nëpër zona të ndryshme në Bishkek, pasi nëpër rrjetet sociale është thënë se të rinjtë kirgizë janë rrahur, por pa ofruar më shumë hollësi.

Policia, më pas, i ka rrethuar zonat ku janë mbledhur bandat, pasi nëpër disa video tjera të shpërndara është parë se turmat kanë sulmuar studentë të huaj nëpër rrugët e Bishkekut dhe në disa raste edhe brenda në konvikt.

Autoritetet kirgize kanë thënë më 18 maj se katër shtetas të huaj janë arrestuar lidhur me dhunën, por pa dhënë më shumë hollësi për ta.

Ata janë akuzuar për nxitje të armiqësive racore, etnike, kombëtare dhe fetare, kanë thënë autoritetet.

Muhammad Ihtisham Latif, student pakistanez i mjekësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata është e rëndë në Bishkek.

“Situata ka nisur kur studentët nga Egjipti janë përleshur me banorët këtu. Vendasit tani janë duke protestuar dhe duke rrahur studentë indianë dhe pakistanezë… I ndjekin për konvikte dhe shtëpi, disa dyer janë të thyera. Jam bllokuar në universitet me disa studentë, qysh prej dje”.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif ka shprehur “shqetësim të thellë” për gjendjen e studentëve pakistanezë në Kirgizi, duke thënë përmes një deklarate se ka kërkuar prej ambasadorit pakistanez që të ofrohet e gjithë ndihma e mundshme për këta studentë.

Qeveria e Kirgizisë ka thënë se kanë nisur hetimet për këto raste dhe gjithë fajtorët do të përballen me drejtësi, si dhe ka krijuar përshtypje se fajëson migrantët ilegalë për dhunën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat