Iraku kërkon largimin nga vendi të misionit të OKB-së

Bota

Iraku kërkon largimin nga vendi të misionit të OKB-së

Më: 18 maj 2024 Në ora: 17:05
Kryeministri i Irakut

Kryeministri i Irakut i ka thënë Kombeve të Bashkuara se është koha që misioni i ndihmës apo i njohur ndryshe si UNAMI, të largohet nga vendi, pas 20 vitesh shërbim në këtë vend. Siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer, Këshilli i Sigurimit do të vendosë në ditët në vijim se si do t’i përgjigjet kërkesës së Irakut për t’u larguar nga vendi deri në vitin 2025.

Misioni i Ndihmës së OKB-së për Irakun, i njohur ndryshe si UNAMI, u krijua në vitin 2003, pas ndërhyrjes ushtarake amerikane dhe pas rënies nga pushteti të Sadam Huseinit, gjatë drejtimit të të cilit vendi kaloi një periudhë të vështirë. Njëzet vite më vonë, Iraku thotë se është koha që misioni politik i OKB-së, të largohet.

I dërguari i Irakut në OKB thotë se situata në vend është e qëndrueshme, grupet terroriste janë nën kontroll dhe autoritetet në Bagdad dhe kurdët po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.

“Të dyja palët janë duke punuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme mes tyre, veçanërisht sa i përket buxhetit dhe pagave të punonjësve të Kurdistanit dhe forcave të sigurisë. Ne po punojmë gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit politik duke u përqëndruar në parimet e partneritetit si dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë”, deklaroi Abbas Kadhom Obaid Al-Fatlawi, i dërguari i Irakut në OKB

Më 8 maj, Bagdadi i kërkoi OKB-së që të fillojë mbylljen e zyrave të saj dhe të vazhdojë punën në institucionet irakiane deri në fund të vitit të ardhshëm. Por në Irak, jo të gjithë janë dakord që misioni i OKB-së të largohet.

“Shumica e partive kurde, partive sunite, shumë nga pakicat janë të shqetësuara. Ata mendojnë se UNAMI ka qenë në gjendje të lehtësojë dialogun për çështje të ndryshme ndërmjet palëve të interesuara. Dhe ata shqetësohen se ku duhet të mbështeten kur janë në vështirësi në rast se ky mision i paanshëm nuk do të jetë më”, thotë Lahib Higel, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Shefja e misionit të OKB-së në Irak, e cila përfundon mandatin e saj 5-vjeçar këtë muaj, pajtohet se ka ende sfida serioze për vendin për t’u kapërcyer, por sipas saj Bagdadi ka bërë përparime.

“Korrupsioni, kultura e mosndëshkimit, ndërhyrjet e panevojshme dhe aktorët e armatosur që veprojnë jashtë kontrollit të shtetit edhe pse qeveria po mundohet t’i trajtojë këto probleme, janë pengesa të mëdha për t’u kapërcyer. Po ashtu vendimet përjashtuese mund të krijojnë tensione brenda vendit”, thotë Jeanine Hennis-Plasschaert, përfaqësuesja Speciale e OKB-së në Irak.

Pesë ditë pas krijimit të UNAMI-t në gusht të vitit 2003, një terrorist shpërtheu një kamion plot me eksplozivë jashtë selisë së OKB-së në Bagdad, duke vrarë 22 punonjës dhe duke plagosur më shumë se njëqind të tjerë.

Por Kombet e Bashkuara qëndruan në Irak, ndonëse ende nuk kanë arritur gjithçka që kishin synuar të bënin sipas ekspertëve.

“Shumë nga objektivat nuk janë përmbushur. Faji nuk është i vetëm i UNAMI-it. Nëse shikoni disa nga çështjet të cilat misioni është përpjekur të trajtojë për të ndihmuar Irakun, për shembull: Rishikimi i Kushtetutës, zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Bagdadit dhe Irbilit, të gjitha ato mbeten të pazgjidhura”, thotë Lahib Higel, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Mandati aktual i misionit të ndihmës skadon në fund të majit dhe Këshilli i Sigurimit do të vendosë në ditët në vijim se si t’i përgjigjet kërkesës së Irakut për t’u larguar nga vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat