Pentagoni zotohet të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë

Bota

Pentagoni zotohet të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 20:46
Lloyd Austin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u zotua të vazhdojë dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë, ndërsa Kievi përballet me një nga momentet e tij më të vështira.

Bëhet e ditur se Austin dhe rreth 50 liderë të mbrojtjes nga Evropa dhe e gjithë bota u takuan së fundmi për të koordinuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Ne po takohemi në një moment sfide,” tha Austin, duke vënë në dukje se sulmi i ri i Rusisë në Kharkiv tregoi pse angazhimi i vazhdueshëm nga vendet ishte jetik për të vazhduar.

Edhe pse forcat ukrainase vazhdojnë të ankohen se armët kanë ngecur për shkak të bllokimit të Kongresit mbi financimin, Pentagoni ka njoftuar se armët janë dërguar drejt Ukrainës menjëherë pas miratimit të financimit.

Ndryshe, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ofensiva e fundit në Kharkiv synon krijimin e një zone sanitare, shkruan yahoonews.

Trupat ukrainase kanë luftuar për të ndalur përparimet ruse në rajonin e Kharkiv-it, duke rritur gjithashtu ofensivat e tyre në Krime.

Ukraina gjithashtu ka luftuar për të marrë trupa të mjaftueshme në vijat e frontit, pasi lufta zvarritet në vitin e saj të tretë.

Në një përpjekje për të rritur numrin e trupave, presidenti Volodymyr Zelenskyy nënshkroi dy ligje, duke lejuar të burgosurit të bashkohen me ushtrinë dhe duke rritur pesëfish gjobat për ata që shmangin shërbimin ushtarak.

Në tre javë që kur presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh, SHBA-ja ka dërguar 1.4 miliard dollarë armë nga rezervat e Pentagonit.

Në paketat e fundit, SHBA-ja ka rënë dakord të dërgojë sisteme raketash artilerie HIMARS, municione për sistemet e avancuara të raketave Patriot, municione kundërajrore dhe një sërë automjetesh të blinduara si Bradley dhe Mine Resistant Ambush Protected.

SHBA-ja ka ofruar rreth 50.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt të vitit 2022. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat