Besohet se gjithçka do të përcaktohet këtë të martë.
Një betejë deri në frymën e fundit po zhvillohet çdo ditë në rrugët e Francës, dhe Jonas Vingegard vazhdon ta mbajë Fanelën e Verdhë, ndonëse me vetëm 10 sekonda epërsi ndaj rivalit të tij të madh, Tadej Pogaçar.
Pasi ish-kampioni i dyfishtë i Turit të Francës rikuperoi 8 sekonda ndaj danezit në etapën e 13-të, Vingegard arriti të jepte një përgjigje në një farë mënyre.
Në etapën e 14-të, në ngjitjet e forta të Alpeve të Europës, çiklisti nga Danimarka fitoi minimumin e mundshëm të kohës, 1 sekondë ndaj rivalit.
Në një konkurrencë të tillë kaq të fortë dhe kaq pranë e pranë, ndoshta edhe një sekondë mund të jetë përcaktuese.
Etapën e fitoi spanjolli Karlos Rodrigez që u ngjit në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme, menjëherë pas dy kampionëve.
Tashmë, Vingegard kryeson Turin me 10 sekonda më shumë sesa Pogaçar, duke mbajtur ende Fanelën e Verdhë, ndërsa mbetet edhe një etapë në Alpe, dhe të martën është kronometri individual.
Itinerari prej 22.4 kilometrash nga Pasi në Komblu, është më i shkurtëri, por edhe më intensivi i gjithë edicionit të 110-të të garës më të vjetër dhe më famshme çiklistike në rruzull.
E pamundur të thuhet se cili është favorit dhe se cili do të fitojë “Lë Grandë Buklen”, por është e qartë se dyshja Vingegard-Pogaçar vazhdon dominimin 4-vjeçar në Francë.