Konsullata e Milanos festoi pavarësinë me dëshmi integrimi e vlerësimi

Diaspora

Konsullata e Milanos festoi pavarësinë me dëshmi integrimi e vlerësimi

Nga: Gëzim Muçolli Më: 12 mars 2024 Në ora: 23:08
Foto nga takimi

Për çdo vit mërgata shqiptare në Itali, festat kombëtare i pret me gëzim dhe duke bërë përpjekje që ato të shënohen sa më mirë dhe në kuptim të bashkimit dhe paraqitjes së vlerave të vërteta që cilësojnë çdo mërgimtar.

Të larguar nga vendlindja por pa e hequr asnjëherë nga mendja, pjesa më e madhe e mërgatës vazhdimisht përpiqen të dëshmojnë lidhjen e fuqishme që kanë me tokën e origjinës dhe të jenë përfaqësues të denjë të saj aty ku jetojnë dhe punojnë.

Edhe Italia që tashmë u mësua të jetë vend mikpritës i të huajve, di të vlerësojë secilin komunitet të “stranierëve” që tashmë përbëjnë rreth 5 milion e 775 mijë qytetarë me origjinë të huaj ku rreth 88,5 përqind e tyre jetojnë në regjionet qendrore dhe veriore italiane.

Nga 8,5 përqind i popullsisë rezidente, sa janë të huajt e regjistruar në Itali, rreth 40 mijë qytetarë rezultojnë të ardhur nga Kosova, edhe pse numri real është më i madh për shkak të numrit të konsiderueshëm e në rritje të kosovarëve që kanë marrë nënshtetësinë italiane.

Duke i shtuar edhe numrin mbi gjysmë milioni të mërgimtarëve nga Shqipëria londineze,  shqiptarët përherë është vlerësuar si një ndër komunitetet më të organizuar dhe më të integruar në shoqërinë italiane.

Bashkëpunimi mes vëllezërve dhe motrave të një gjaku e një gjuhe, ka bërë të afrohen edhe nëpër shoqata e shkolla, por edhe në festa që nderojnë kulturën dhe historinë tonë si dhe të prezantojnë programe të shumta ku ruhet trashëgimia kombëtare dhe shpresa se nuk do të asimilohet kurrë brezi i ri i lindur në mërgim.

Duhet përmendur këtu edhe rolin e madh që kanë edhe përfaqësuesit e ambasadave dhe konzullatave të dy shteteve shqiptare të cilët bashkëveprojnë shpesh me veprimtarë të dalluar e të dëshmuar të mërgatës sonë në Itali. Sidomos dallohet me angazhimin dhe përkushtimin e tij shefi i Konzullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano, zotëri Diamant Kastrati i cili gjithëmonë ndodhet pranë mërgatës jo vetëm në zyrë por edhe duke i vizituar ata shpesh dhe duke njohur nevojat, kërkesat dhe projektet e tyre.

Kryekonzulli Kastrati jo rrallë e ka përsëritur para qytetarëve tonë se në Itali ka gjetur një mërgatë të pastër, të ndërgjegjshme dhe të vetdijshme për rolin që ka në ngritjen e vlerësimit ndaj Kosovës dhe kosovarëve kudo që ata jetojnë. Prandaj edhe me 27 shkurt 2024 në mesin e mysafirëve të çmueshëm të ardhur në festimin e 16 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës kishte të ftuar shumë aktivistë të dalluar nga shoqatat kulturore dhe shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Në pritjen solemne që u mbajt në një nga sallat e bukura të Trienales së Milanos, kishin ardhur për ta nderuar shtetin e Kosovës në përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë, mysafirë të nderuar dhe miq e dashamirës nga institucionet italiane si dhe nga diplomatët që përfaqësojnë shtetet e tyre në Milano.

Konzulli i përgjithshëm Diamant Kastrati  me bashkëshorten zonjën Merita Gashi-Kastrati i bënë nderimet e rastit me mikpritje tradicionale mysafirëve të shquar: z. Raffaele Cattaneo, Nënsekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Evropiane në Rajonin e Lombardisë; znj. Claudia Colla, Drejtore e Zyrës së Komisionit Evropian për Italinë Veriore; z. Maurizio Molinari, Drejtor i Zyrës së Parlamentit Evropian në Milano; znj. Maria Luisa Scalise, Drejtore për Mardhënie Ndërkombëtare në Rajonin e Lombardisë; z. Federico Riboldi, Kryetar i Komunes Casale Monfferato; Don Martin Jetishi, Udhëheqës i Famullisë në Casale Monfferato; Profesori arbëresh z. Demetrio Patitucci me bashkëshorte; Konsullja e Përgjithshme e Uruguajit znj. Veronica Crego Porley, e cila është edhe Dekane e Korit Konsullor për Milano dhe Lombardi, si dhe shumë konsuj të përgjithshëm të Korit Konsullor për Milano dhe Lombardi, përfaqësuesit e  Komandës Rajonale dhe Komunale të Karabinierëve, përfaqësuesi i Guardia di Finanza, përfaqësues të Policisë Italiane,konzullja shqiptare Luljeta Çobanaj,etj.

Duke përshëndetur të pranishmit, Konsulli i Përgjithshëm Diamant Kastrati foli për përparimet e vazhdueshme në Kosovë në ndërtimin e një shteti funksional me sundim të ligjit, demokraci të qëndrueshme, dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ai tregoi se rrugëtimi në 16 vitet e pavarësisë së Kosovës, ishte plot sfida mirëpo ajo  ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të aleateve, si Italia, por edhe shteteve tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s. Ai shtoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, mirëpo më 24 shtator 2023 ajo përjetoi një akt agresioni nga Serbia, të kryer nga një grup paraushtarak në pjesën veriore të Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi të qarta se autoritetet serbe kanë mbështetur, ndihmuar dhe drejtuar këtë sulm, gjatë të cilit mbeti i vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën.

Në përfundim të fjalës së tij, Konsulli i Përgjithshëm Kastrati nënvizoi se Kosovën dhe Italinë i bashkon diaspora kosovare që jeton, punon dhe kontribuon në Itali. Ai falënderoi diasporën tonë, përmes udhëheqësve të disa shoqatave kulturore dhe ndërmarrësve të dalluar që ishin prezent në pritje, duke i ftuar që të vazhdojnë të japin kontributin pozitiv kudo që jetojnë dhe punojnë.

Të pranishmëve në festë ju drejtua edhe z. Raffaele Cattaneo, nënsekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Evropiane në Rajonin e Lombardisë, i cili kujtoi  faktin se vetëm katër ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës - Italia e ka njohur pavarësinë e Kosovës si shtet. Ai përmendi rëndësinë e pranisë ushtarake italiane në rajon dhe shtoi se ndjen keqardhje për rastin e humbjes së jetës së policit kosovar dhe se do të vazhdohet mbeshtetja për Kosoven. Po ashtu, Nënsekretar Cattaneo shtoi se Italia ka raporte të rëndësishme me Kosoven edhe në çështje ekonomike, duke cekur se ka shkëmbim mallrash me vlera të konsiderueshme.

Në vazhdim, Konsulli i Përgjithshëm Kastrati e prezantoi dhe e falënderoj z. Bujar Buçaj për veprimin e tij human dhe heroik, me të cilën i ka bërë krenarë të gjithë mërgimtarët kosovar në Itali por edhe më gjërë. Z. Buçaj, ndërmarrës i shquar nga Malisheva i cili jeton në provincën e Venecias, i cili ishte përsoni i parë që ju doli në ndihmë të aksidentuarve në tragjedinë e rrëzimit të autobusit nga ura në Mestre-Venecia, në tetor 2023, kur heroikisht shpëtoi disa të lënduar para se autobusi të merrte flakë. I ftuari i nderit z. Buçaj ju drejtua të pranishmëve me një fjalë të shkurtër rasti në lidhje me aksidentin në fjalë dhe tha se veprimet që ndërmorrin në lidhje me te do ti kishte bërë sikur të kishte ndodhur edhe në Kosovë.

Festa e përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të pavarsisë së Kosovës ishte moment i vlefshëm i prezantimit të miqëve italianë dhe të veprimtarëve nga mërgata jonë. Konzulli Kastrati kishte ftuar nga qytetet e ndryshme të Italisë veriore ata që i dhanë emër dhe vlerë mundësive shprehëse dhe kreativitetit biznesor si dhe integrimit kulturor dhe institucional të qytetarëve tonë. Bajram Desku, Hetem Zogaj, Bedri Suka,Ymer Berisha, Albert Bashota.Labinot Morina, Mursel Kodra, Elmi Vrenezi, Kujtim Sadiku, Ragip Thaqi, Mustafë Bojaj, Ferat Avdullahu. Miradie Zymberi-Avdullahu, Vezir Gashi,Skender Podvorica, Afërdita Podvorica-Bashota, Mahije Bujupi-Berisha, Ilir Berisha, Valdete Llumnica-Muçolli. Gëzim Muçolli, Gentrit Pllana,etj. Prania e dendur e tyre dëshmon për veprimtarinë e suksesshme kapilare dhe afërsinë bashkëpunuese të shefit të konzullatës në Milano për të qenë pranë mërgimtarëve dhe për tu bërë ndërmjetës dhe zëdhënës i kërkesave të tyre që nderon diplomacinë tonë në gadishullin Apenin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat