“Makina dukej si raketë”, kush janë 2 shqiptarët që humbën jetën në aksident në Itali

Diaspora

“Makina dukej si raketë”, kush janë 2 shqiptarët që humbën jetën në aksident në Itali

Më: 18 mars 2024 Në ora: 11:10
Marian Kola

Dy të rinj shqiptarë humbën jetën në një aksident të rëndë të shtunën në Itali, ndërsa një i tretë, po shqiptar, mbeti i plagosur rëndë. Mediat italiane shkruajnë se viktimat janë Marian Kola, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27 vjeç. I plagosuri, një 28-vjeçar, nuk është identifikuar ende. Ata banonin në periferinë jugore të Romës dhe ishin të njohur për policinë për krime kundër pronës.

Gazetari i Klan News, Martin Marku, ka mësuar se 23-vjeçari Kola ishte nga Lezha.

Siç raportojnë mediat, aksidenti rrugor ka qenë me të vërtetë shumë i rëndë. Tre shqiptarët udhëtonin me makinë tip BMW seria 4. Ata po lëviznin nga Frosinone në drejtim të Casilina-s me një shpejtësi marramendëse, me Il Messaggero që shkruan se shkonte deri në 200 kilometra në orë.  Dyshohet se gjatë një rrethrrotullimi të madh, makina ka prekur bordurën e anës së majtë. Për shkak edhe të shpejtësisë së lartë kjo ka bërë që mjeti të ngrihet në ajër dhe të fluturojë për 50 metra derisa ka rënë mes pemëve.

Image
Nga vendi i ngjarjes

“U ngrit nga toka, dukej si një raketë”, tha një grua që ishte parakaluar pak më herët nga BMW-ja dhe kishte parë ngjarjen. Rënia në tokë ka shkaktuar vdekjen e Kolës dhe Mihës, ndërsa 28-vjeçari i plagosur ka shpëtuar pasi është hedhur nga dritarja. Ai ndodhet në gjendje të rëndë në spital ku po lufton me vdekjen. Pas përplasjes, makina ka marrë flakë në pjesën e përparme dhe ka djegur pjesërisht kabinën e pasagjerëve ku ndodheshin edhe dy trupat e pajetë. Shqiptarët ishin të tre pa dokumente identifikuese. U desh marrja e shenjave të gishtërinjve që të mësohej identiteti i tyre.

Nga kontrollet është mësuar se targat e makinës në fjalë ishin të vjedhura. Nga numri i shasisë u konstatua se edhe BMW e aksidentuar ishte vjedhur. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të jetë përdorur herë pas here për të kryer krime, ndoshta duke ndryshuar edhe targat. Në bagazh policia gjeti leva dhe mjete që shërbejnë për vjedhje. Kjo ka bërë hetuesit që të dyshojnë se shqiptarët mund të kenë qenë të përfshirë në grabitjen e apartamenteve që ndodhnin prej disa javësh në atë zonë.

Image
Nga vendi i gjarjes

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat