Ferrari në flakë: Hysniku nga Juniku vdes në aksidentin e rëndë në Itali, flet vëllai i tij

Diaspora

Ferrari në flakë: Hysniku nga Juniku vdes në aksidentin e rëndë në Itali, flet vëllai i tij

Më: 1 prill 2024 Në ora: 15:28
Hysni Qestaj

Një veturë Ferrari mori flakë në një autostradë në zonën e Aliçe Kastelos, një komune mes Torinos dhe Milanos në Itali, pas një aksidenti që ende nuk dihet se si u shkatërrua.

Pas aksidentit, skena ishte tmerruese për shoferët e veturave tjera që lëviznin në autostradë dhe punonjësit e autoriteteve që mbërritën të parët në vend-ngjarje.

Makina e aksidentit ishte një Ferrari GT C4 e bardhë.

Sipas mediave italiane, makina po udhëtonte me mbi 200 km/h kur rrëshqit në rrugën e lagësht dhe u përplas me mbajtëset në autostradë. Në fund, Ferrari me targa zvicerane shpërtheu në flakë. Ndihma erdhi shumë vonë për dy të ngujuarit në veturë.

Një dëshmitar okular, po ashtu shqiptar nga Kosova, publikoi pamjet në Facebook: “Këqyre sa ndodhi aksidenti, njerëzit janë brenda t’u u kallë. S’ka që i nxjerr hiç. Nuk guxon njeri as të afrohet!”.

Siç shkruan sot gazeta zvicerane Blick, i vdekuri është një nënshtetas zviceran nga Villeneuve, qytet në kantonin e Vaudit. Ndërsa, media ka mësuar se nënshtetasi zviceran është Hysni Qestaj, një burrë me origjinë shqiptare, nga Juniku i Kosovës.

Qestaj ishte DJ me profesion.

Blick shkruan se të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes së tij – ai lëshoi muzikë në një klub në kantonin e Valaisit, më pas u nis për në Itali me Ferrari.

Vëllai i 40-vjeçarit që vdiq konfirmoi për Blick-un se i vdekuri ishte vëllai i tij dhe se Ferrari i përkiste atij.

“Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të mrekullueshëm dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaj atë me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që njoh”, tha vëllai i tij për Blick.

Vëllai i viktimës, identiteti i tij nuk është zbuluar nga gazeta zvicerane, tha se nuk e di se si ndodhi aksidenti, kush ishte në timon dhe kush ishte viktima tjetër – një grua sipas raportimeve të mediave italiane.

“Për momentin nuk kemi marrë shumë informacione nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani po kujdeset për gjithçka.” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat