“Paratë ose të solla shqiptarin”, si i kërcënonte bosi britanik borxhlinjtë

Diaspora

“Paratë ose të solla shqiptarin”, si i kërcënonte bosi britanik borxhlinjtë

Më: 9 prill 2024 Në ora: 22:56
Foto ilustrim

Në mënyrë që t’u merrte një borxh prej mijëra paundësh, një bos i krimit në Britani i kërcënonte borxhlinjtë se për të zgjidhur hallin mund të fuste në lojë edhe “shqiptarin”. Bëhet fjalë për Asim Tufail, një 52-vjeçar i cili rrezikon një dënim të gjatë në burg për rolin e tij në trafikun e drogës e armëve.

Siç shkruajnë mediat britanike, ai ishte gjithashtu i përfshirë në operacionet ndërkombëtare të pastrimit të parave dhe ka pranuar se merrej me ‘personat kyçë’ në Manchester dhe Liverpool. Hetuesit thonë se, ndër të tjera, ai vepronte në emër të kriminelëve të tjerë për të ‘marrë borxhet’.

Në seancën e mbajtur në gjykatën e Manchester u mësua sesi 52-vjeçari u thoshte borxhlinjve se kriminelëve për të cilët vepronte, ‘u kishte ardhur në majë të hundës nga lojërat e gënjeshtrat’, pasi borxhi prej 600 mijë paundësh nuk ishte shlyer. Ai më pas u kërkoi aktet e pronësisë së një prone, në vend të pagesës.

52-vjeçari po ashtu e kërcënoi personin në fjalë me ndërhyrjen e ‘shqiptarit’, tha prokurori Tim Storrie, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë. Dënimi për Tufail pritet që të jepet të mërkurën, pasi është shpallur fajtor për një seri akuzash. Pjesë të aktivitetit të tij kriminal ai kishte bërë edhe të birin, Junnaid Tufail, 23 vjeç. Ky i fundit, të atin e përshkruajti si ‘baba model’. Edhe 23-vjeçari i ka pranuar akuzat për disa krime që lidhen me drogën dhe armët.

Dyshja po ashtu reklamonte armë zjarri për shitje te kriminelët e tjerë në rrjetin e komunikimit EncroChat. Në këtë aplikacion 52-vjeçari mbante pseudonimin ‘Assassin New’, ndërsa i biri ‘Baby Assassin’. Ata u arrestuan të dy në Aeroportin e Manchester në Janar të 2021 teksa ishin nisur për në Dubai.

Babë e bir jetonin në Northenden, mes pasurisë marramendëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat