Pjesëtar i grupit të trafikut të heroinës në Itali, arrestohet në Kavajë 46-vjeçari

Diaspora

Pjesëtar i grupit të trafikut të heroinës në Itali, arrestohet në Kavajë 46-vjeçari

Më: 17 prill 2024 Në ora: 09:46
Foto ilustrim

Një 46-vjeçar shqiptar, pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të heroinës në Itali, është arrestuar këtë të mërkurë në Kavajë me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj.

Bëhet me dije se në pranga përfundoi shtetasi Samuel Garuja, të cilit Gjykata e Katanzaros, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”.

Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.

Policia e Shtetit nënvizon se Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.

“Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 5”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat