Për jetë të jetëve

Diaspora

Për jetë të jetëve

Nga: Faridin Tafallari Më: 17 prill 2024 Në ora: 13:20
Faridin Tafallari në Gjenevë

Në foto në të djathtë me shokun tim të idealit, Xhafer Shatrin, në Gjenevë 1983, ish-anëtar i OMLK-së, i cili, pas vrasjes së Kadri Zekës,u bë kryetar i OMLK-së.Në foto në të majtë me shokun, tim të idealit, Xhafer Durmishin, në Nagold në vitin 1983, ish-kryetar i Komitetit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare, pas rënies së Jusuf Gërvallës.

Pas Bashkimit të këtyre organizatave, OMLK-së dhe LNÇKVSHJ, u krijua kryesia e këtyre organizatave me emrin LRSHJ dhe më vonë LPRK, Lëvizja Popullore Për Republikën e Kosovës. Dhe, në mbledhjen e janarit të vitit 1983, u mblodhën në Luwigsburg, në banesën e H.Gagicës, kryesitë dhe aty u formua Kryesia e LPRK-së, ku dhe u ndanë detyrat Xhafer Shatri kryetar; Xhafer Durmishi për organizim; Hasan Mala për lidhjet brenda në Kosovë; Ibrahim Kelmendi për lidhjet me organizata me të huajt dhe unë ( Faridin Tafallari) arkëtar.

Kuptohet se, gjatë punës dhe aktiviteteve të shumta do të ndodhnin edhe ndryshime si dhe zgjerimi i Lëvizjes. Dihet se, vërtet çdo punë dhe aktivitet ka edhe problemet e veta, por dua të theksoj një gjë tepër të rëndësishme dhe vendimtare për veprimtarinë tonë të atyre viteve, dëshiroj ta veçoj se, VULLNETI I HEKURT dhe DËSHIRA E PALËKUNDUR për të kryer me përpikmëri dhe vetmohim detyrat e mëdha, në rrugën e rrezikshme drejt idealit tonë, pa marrë parasysh asgjë, qoftë edhe humbjen e jetës, na bënte të fortë e krenarë, krah njëri tjetrit, si vëllezër të një gjaku, me dashurinë dhe respektin për shokun tënd të idealit, për bashkëveprimtarin tënd, nderim e respekt për shokun, që niste që në momentet e betimit!!!

Për të gjitha aktivitetet patriotike e atdhetare, që janë bërë jashtë atdheut, së bashku, edhe me bashkëveprimtarët e mi, kam shkruar në 7 librat e mi, tashmë të botuar, ku, edhe i kam sqaruar mjaft çështje, ngjarje e ndodhi, që kanë qenë me interes për kohën e më shumë se dy dekadave e deri më sot. Për këtë me ka shty vullneti im, dëshira për ta mbajtur të gjallë të gjithë atë veprimtari atdhetare, të kryer ndër vite me shokët e mi të idealit, me bashkëveprimtarët e mi, si dhe dashuria, që ndjej për Kosovën, për atdheun tim, për trojet shqiptare, për SHQIPTARINË!!! Jemi krenarë, unë dhe shokët e mi të idealit që, atdheut i kemi dhënë një pjesë të borxhit, por të mos harrojmë se, “PËR ATDHE KURRË NUK ËSHTË MJAFT”!!!”

Sa mall kam për ato vite veprimtarie...kam mall për shokët e mi, bashkëveprimtarë, shokët e mi të paharruar!!!...SHOKËT E MI TË IDEALIT, për mua mbeten të SHENJTË PËR JETË TË JETËVE!!!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat