Një djalë dhe një vajzë me origjinë nga Shqipëria janë të arrestuar në Londër, pasi u dënuan për furnizim me drogë të klasit A në Bury St Edmunds.
Jurgen Kapica dhe Vinjola Geca, të dy 23-vjeç, dolën para Gjykatës të premten më 26 prill, ku u dënuan përkatësisht me tre vjet e katër muaj dhe dy vjet e gjashtë muaj burg.
Kapica dhe Geca, të cilët vendbanojnë në Redbridge, ishin deklaruar fajtorë në një seancë të mëparshme për dy akuza: për furnizimin me kokainë (midis 3 korrikut 2023 dhe 24 janarit 2024); dhe posedim të kokainës me qëllim furnizim.
Gjykata dëgjoi se Kapica dhe Geca kishin operuar të dy për linjën ‘Sarah Albo’, e cila furnizonte drogë në Suffolk nga një bazë në zonën Woodford Green në lindje të Londrës.
Detektivët identifikuan një numër telefoni që përdorej për të ofruar drogë të klasit A për shitje, pas arrestimit të katër shpërndarësve të drogës midis korrikut 2023 dhe janarit të këtij viti.
Adresa e tyre u identifikua nga numri i telefonit, ndërsa ku u ushtrua kontrolli më 25 janar, ata u gjetën të dy në banesë dhe u arrestuan. Gjithashtu janë sekuestruar një sërë telefonash celularë, karta SIM, çanta me kokainë dhe para.
Analiza e telefonave celularë dhe kartave SIM të sekuestruara gjatë këtij bastisjeje dëshmoi se ato ishin përdorur për të komunikuar me telefonat celularë të tre shpërndarësve të drogës të arrestuar më parë në Bury St Edmunds, duke i drejtuar ata se ku të dorëzonin kokainën.
Kapica u zbulua se ishte i lidhur me shtatë numra të ndryshëm celularë dhe kontrollonte linjën ‘Sarah Albo’ me një sërë metodash. Geca ishte e dashura e tij dhe u zbulua se punonte bashkë me Kapicën për të drejtuar linjën e drogës.