Ditët e fundit të Prek Calit në burgun e Shkodrës. "Mehmet Shehu më tha se do ta fali jetën...!"

Dokumentare

Ditët e fundit të Prek Calit në burgun e Shkodrës. "Mehmet Shehu më tha se do ta fali jetën...!"

Nga: BS Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 17:51
Prek Cali udhëhoqi kryengritjen e Kelmendit kundër qeverisë komuniste të Enver Hoxhës

Rrëfim nga Valentin Pervizi, i cili ndejti në burg ato ditë para ekzekutimit…

Valentini nji ditë e pyeti at malësor krenar:

-Po si u dorëzove o Prek? A nuk e dijshe se nji njeri i randsishëm si ti, do ta kishte shumë të vështirë

ose të pamundun që të ia dilte me komunistët.

-Po, ke të drejtë, – i qe përgjigjë Preka – por janë do rrethana që më sollën deri këtu.

Mbasi kishin marrë fund luftimet kundër forcave shumë ma të mëdha komuniste ne njerëz dhe armatime, shumë prej trimave kishin dalë në mal, për mos me u dorëzue. I përmendi ato dy malësorët, Xhekën e Gjergjin që u pushkatuen në Koplik. Ai vetë me nja dhjetë të rinjë trima kishin mbrritë me u futë në nji shpellë të sigurtë në maje të një mali, duke jetue si harushat. Herë-pas-here njeni prej tyne shkonte me u furnizue me ushqime, e kështu kaluen disa muej.

-Duke hjedhë shikimin mbi ata djem të rij, më ngushtohej zemra nga dhimbja që ndjeja për ta, që kishin pranue me më shoqnue… bile edhe me dhanë jetën për mue! Nji mëngjes, ata dhe unë e kuptuem se ishim rrethue. Si e kishin marrë vesh partizanët? Sigurisht i kishte sjellë dikush vendas që e njihte mirë zonën dhe se ku gjendej ajo shpellë.

Komandanti i atij reparti special u kishte kërkue te dorëzoheshin. Ata u ishin përgjigj me pushkë dhe luftimi kishte vazhdue për disa ditë. Ndërkohë, komandanti u kishte folë nga larg me za të naltë:

-Ta merrni vesh, se ju nuk keni asnjë mundësi shpëtimi. Ku e kur mund të gjeni ushqime, ujë e municione? Prandaj qëndresa juej asht krejt e kotë. Ju baj të ditun se në qoftë se nuk dorëzoheni, autoritetet e krahinës kanë marrë urdhën për internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive tueja.

Prek Cali kishte mendue me ia mbushë mendjen komandantit me gjetë nji zgjidhje, në menyrë që me iu falë jeta atyne të rinjve që rrinin me të. Iu lut komandantit që të fliste me Mehmet Shehun se ata kishin vendosë me iu dorëzue vetëm në dorë të Mehmet Shehut. Dhe Mehmeti erdhi vetë deri aty.

-Po t’ishte për mue, – i kish thanë Prek Cali aty ne atë qeli – nuk do t’isha dorëzue deri në fishekun e fundit, por n’at shpellë mendova ma shumë për jetën e atyne të rijve dhe për famijet tona. Kur erdh Mehmet Shehu, fola me të, duke i thanë se do të dorëzoheshim, po të na jepte besë se do të na kursente jetën.

Ai ishte përgjigjë duke na sigurue se do të na falte jetën, edhe t’imen, mandej m’u drejtue:

-Po pse nuk u bane me ne or Prek Cali, dhe tashti do t’ishe një burrë i nderuar e hero i lavdishëm me dekorata te larta.

-Nuk kisha si me u ba me ju, që ishit lidhe mish e thue me shkjetë e Serbisë, kundra të cilëve ne kem shekuj qi luftojmë.

Për fjalën e fundit, me ma falë jetën, mbeta i çuditun dhe nuk po u besojsha veshëve, prandaj i thashë me e përsëritë edhe nji herë. Mandej i kërkova mos me na prekë kush me dorë, qoftë gjatë rrugës deri në Shkodër, dhe në qelitë e sigurimit.

Edhe për kët gja ai na siguroi. E kështu në besë u dorëzuem. Na pyetën nji nga nji pa na prekun, dhe djemtë i çuen në burgun e vjetër kurse mue më prunë këtu me ju.

-Të përgëzoj që ta kanë falun jetën! – i tha Valentini.

-Sigurisht, Mehmet Shehu ma ka dhanë fjalën e nderit dhe nuk besoj se mund ta haje…

Kaluen kështu tri javë, kur nji ditë prej ditësh u dëgjuen zhurma e britma në koridor. Rojet duke hy në qeli të ndryshme lexonin disa emna. Të burgosunit ishin mbledhë e mbulue në shtresat e tyne prej frike, ndërsa zemrat u rrihnin fort. Kush e kishte radhën? U ndigjuen hapa të shpejta dhe pas pak dera e qelisë u hap me zhurmë të madhe.

U duk aty një hije e zezë polici, që me një kandil vojguri ndriçonte nji copëz letër që mbante ndër

duer. Cilët emna do të ishin të shkruem në atë letër të zhubravitun? Kur ja, polici pasi e afroi letrën te sytë, ngriti kokën e thirri me za të naltë, Prek Cali!

Në qelinë e tyne kumboi vetëm emni i tij. Gjithë ne të tjerët mbetëm të tronditun. Por për Prekën vetë ishte ma e tmerrshme. Ai s’e priste, që Mehmet Shehu ta hante fjalën e dhanë. Si malësor ai s’mund ta konceptonte nji gja të tillë. Por, harronte ai se Mehmet Shehu nuk ishte si burrat e Malësisë që kur jepnin fjalën e mbanin edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër veçse nji aventurier gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e mos me mbajtë fjalën.

Ndërsa po përfaleshin për të fundmen herë, i tha Valentinit në vesh, – Po djemtë?- Nuk e besoj! – i qe përgjigjë Valentini. Prandaj ndoshta ishte aq i mërzitun, mos i pushkatonin dhe ato të rijtë.

Duke dalë thirri: -Ma bani hallall, o burra! – Në korridor ishin edhe nandë të burgosun të tjerë të prangosun, ndër ta edhe Dom Ndre Zadeja. I pushkatuen të gjithë at natë te Zalli i Kirit, që u ba tmerri i Shkodrës.

Si asht e mundun, – thoshte Valentini, – që zgjedhin gjithmonë ma të mirët? Po, deri n’ato çaste kishin zgjedhë vetëm ma të mirët. Nuk mund gjendeshin fjalë për me i përshkrue gjithë këto krime.

Ma vonë, u muer vesh, se Prek Cali, dy vllaznit Beltoja, Dom Ndre Zadeja e nji prift nga burgu i vjetër, ishin mundue me u dhanë kurajo shokëve të tyne deri në çastin e fundit të pushkatimit.

Zani i Malsisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat