Jo kameleonë, por shkëmb i palëkundur i Gjergj Kastriotit

Opinione

Jo kameleonë, por shkëmb i palëkundur i Gjergj Kastriotit

Nga: Gjon Keka Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 17:25
Gjon Keka

Në natyrë ekziston kameleoni – një krijesë që për hir të mbijetesës së çastit ndërron ngjyrën dhe lëkurën sa herë ndryshon mjedisi rreth tij. Ai nuk ka një pamje të vetën të përhershme; është gjithmonë pasqyrë e rrethanave dhe e frikës. Fatkeqësisht, në rrjedhat e historisë dhe të modernitetit, shpesh shfaqet tundimi për t’u sjellë si kameleonë: për të ndryshuar parimet, gjuhën, kulturën dhe orientimin sa herë fryn një erë e re apo shfaqet një interes i përkohshëm.

Por ne nuk kemi arsye të jemi kameleonë. Ne kemi boshtin tonë të palëkundur, kemi figurën monumentale të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).

Të kesh Gjergj Kastriotin si udhërrëfyes do të thotë të refuzosh vetëkalbjen shpirtërore. Njeriu që ndryshon ngjyrë nga frika apo servilizmi, pak nga pak shkatërron shpirtin dhe trupin e tij – atë që është tempulli i shenjtë i qenies sonë dardano-arbërore dhe europiane. Kur braktisim rrënjët tona për t'u përshtatur me çdo stuhi që vjen nga jashtë, ne nuk mbijetojmë, por zhbëhemi nga brenda.

Prandaj, figura e kryeheroit tonë Kombëtar nuk është thjesht një kujtim i lavdishëm i së shkuarës, por një busull e përhershme e ekzistencës sonë kombëtare dhe europiane:

Përmes Gjergj Kastriotit, në Gjergj Kastriotin dhe me Gjergj Kastriotin, ne dëshmojmë pavarësinë, identitetin tonë kombëtar, gjuhën dhe flamurin, europianitetin e brendshëm, si dhe shpirtin human e mbrojtës civilizues të rrënjëve tona të përbashkëta europiane.

Filozofia Kastriotiane(Skënderbegiane) është garancia se ne nuk jemi kalimtarë të rastësishëm në këtë kontinent, por themeltarë dhe mbrojtës të vlerave më të larta të tij. Të ruash këtë tempull të pastër nga vetëshkatërrimi dhe tjetërsimi, është detyra më fisnike e çdo brezi.[Gjon Keka]

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat