Beteja për gjuhën

Dokumentare

Beteja për gjuhën

Nga: Ejup Ajdini Më: 7 maj 2023 Në ora: 23:48
Popullata bllokon veturat e policisë që mos t’i afrohen shkollës

Kujtimet për Shipkovicën janë të shumta. Kësaj radhe do të përkujtojmë vetëm një ditë historike, ditën kur ky katund, pa asnjë kusht, nuk e shiti veten, gjuhën, kombin, traditën, historinë, kulturën, zakonet e burrërinë. Edhe pse hordhitë e ndryshme kanë tentuar më shumë se në çdo vend tjetër që t’ia ndryshojnë identitetin e tij historik, kulturor e kombëtar në tërësi, asnjëherë nuk ia arritën qëllimit.

Mesi i dhjetorit 1990. Shipkovica ishte e mbuluar me dëborë. Rrugët ishin gjysmë të kalueshme. Qielli ishte i padukshëm nga retë gjysmë të zeza. Fjollat e bardha të dëborës që binin pandërprerë, sikur donin të vinin në heshtje shpirtin madhështor të malësorëve. Shipkovicës sikur i thoshte, “Është kohë pushimi, mjaft je lodhur gjatë muajve të tjerë, tani pusho, fjalën e ka bora, e ka dimri!” Malësori si malësor gjithmonë punës i ka ndenjur gati, sepse atë e ka mësuar jeta që ta nuhasë me mjeshtëri kohën kur “lëviz lugati”. Kësaj radhe te malësorët kishte një parandjenjë të çuditshme se do ndodhte diçka, sepse ato ditë bisedohej me të madhe për (anti) ligjin e ri, i cili do të ndërpriste përdorimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat etnike shqiptare të Maqedonisë. E kishin këtë ndjenjë, pasi shumë shkolla të tjera edhe pse me keqardhje, kishin heshtur para kësaj plage të servirur nga pushteti i asaj kohe, kurse Shipkovica nuk lëshonte pe në këtë fushë të diskriminimit identitar. Për këtë, sikur vinin zëra nga më të ndryshmet, se “pushteti do u kallëzuaka dhëmbët malësorëve”, edhe pse, pak ma herët, po i njëjti pushtet e kishte marrë përgjigjen te“Uji i ftohtë”, bile nga gratë malësore të kësaj ane, në kohën kur deshën që katundin ta linin pa ujë edhe pse ky katund jetonte midis ujërave...Turma gjithnjë e më tepër po shtohej, pasi ata malësorë e kishin ruajtur traditën e Kanunit që të vepronin dhe të jetonin gjithherë afër dhe për njëri-tjetrin. Në ato momente banorët e Shipkovicës dukeshin si një lumë vërshues, të shoqëruar nga fjollat e pandërprera të borës. Automjeti policoru ndal para dyerve të shkollës fillore “Rexhep Voka”. U çelën dyert e veturës dhe zbritën policët me automatikët në krah! Në mesin e tyre ishte edhe inspektori i arsimit. Vështruan njëherë rreth e përqark, ku përveç natyrës mahnitëse që kanë bukuritë e Sharrit, ata u habitën më tepër nga ky lumë vërshues i njerëzve dhe pa u penduar, hynë në derën kryesore të shkollës. Tanimë shipkovicasit ishin tubuar të gjithë: burra, gra, vajza, djem të rinj, si dhe nxënësit e shkollës. Ky lloj tubimi s’kishte ndodhur më parë, ose mund të kishte ndodhur, por unë s’e kisha përjetuar ndonjëherë tjetër. Një situatë sa e dhimbshme, aq edhe krenare e tejet madhështore. Sa e frikshme, po aq edhe shpresëdhënëse; sa e ulët nga ana e pushtetit, po aq e bukur nga ana e popullatës shipkovicase. Të gjithë njëzëri thirrnin: Ç’kërkoni këtu? Poshtë aparteidi!Ditarët nuk i japim, shqiptarë jemi- shqip do shkruajmë!Mos na e prekni gjuhën tonë, mos e prekni gjuhën e Zotit! - etj.

Image
Policët shtesë dhe populli rreth shkollës

Brohoritjet bëheshin me afshin më të thellë shpirtëror, sepse kishte zëra që thoshin se kishte ardhur policia t’i helmonte nxënësit, mund t’i arrestonte arsimtarët, t’i konfiskonte ditarët (edhe pse kjo e fundit ishte thelbi kryesor i kësaj katrahure). E çka nuk dyshohej, pasi atë katund shumë herë e kishte mësuar përvoja e hidhur me sa e sa sisteme të “dreqit”. Thirrjet e fshatarëve vazhdonin pa ndërprerje me një revoltë tejet therëse, edhe pse mësuesit, inspektori dhe policët ishin brenda në shkollë, por thirrjet e protestuesve thernin majat e maleve, e lere më aty brenda në shkollë,ku nuk kishin assesi mundësi të vepronin lirshëm derinërealizimine planeve të tyre.

Midis përplasjes së zërave me fjollat e ashpra të dëborës që nuk pushonte prej disa orësh pa ndërprerje, u paraqit një nga mësuesit para masës, me një fytyrë gjysmë të zbehur, me sy të spërhellur, i orientuar nga masa popullore, në drejtim të Logut të Kuvendit, ku në shpatinë të lugut qëndronin krenarë“Lisat e Xhepës” me mullinjtë e mplakur, që sa e sa breza kishin lidhur fatin e jetës së tyre me ta. Pa një - pa dy , mësuesi me një ndjenjë dhe shije të lartë estetike e intelektuale tha:

-Prindër të dashur, qytetarë të nderuar të Shipkovicës legjendare, ju lutemi që të mos e humbni durimin, mos tentoni të hyni brenda në shkollë se...Ku ta dimë se si mund të përshkallëzohet kjo gjendje e rëndë dhe kushedi se ku mund të na çojë!

Edhe pse konsiderata ndaj mësuesit ishte e madhe nga qytetarët, ata edhe mësuesit ia ndërprenë fjalën, duke thënë : “Mjaft duruam, edhe gjuhën e nënës ky shkavi do të na e ndërpresë. Gjuhën që na e ka falë Zoti, si të mos e mbrojmë sot?!Kur do e mbrojmë, kur më?!

Dëgjoheshin zëra të shumtë, që të bënin të lumtur edhe para vdekjes. Më kujtohet zëri i Lalës Bexhet, Lalës Raif etj., etj., që thoshin pandërprerë:

Sot dua të vdes, unë i pari do vritem me ta! Nuk vdes pa e mbytur një...

Përsëri mësuesi deshi që t’i qetësonte disi banorët e tubuar:

Nuk është qëllimi të vdesim, por të gjejmë rrugën më të mirë! Jemi para një provimi të vështirë dhe ky provim do mençuri të madhe! Të veprojmë ashtu si e kanë zakon këto male, mençuri dhe vetëm mençuri, - vazhdoi mësuesi duke u lutur për qetësim.

Image
Kur ballafaqohen e bukura me të shëmtuarën

Bora, si për ironi të fatit, vazhdonte të binte pa ndërprerje. Burrat e fshatit ishin radhitur në vendet e para tetelat e shkollës, kurse gratë dhe nxënësit - në radhën e dytë dhe të tretë të frontit. Plisat e bardhë dhe shamitë e grave malësore nuk diktoheshin nga dëbora e madhe që binte mbi kokat e tyre. Gratë i kishin fshehur pushkët nën mbulesat e manteleve. Me vete kishin marrë edhe hi nga shporetet e tyre, që në rast nevoje t’ua hidhnin hirin nga sytë “dreqërve”. Pra, gjatë betejës çdokush duhej të jepte maksimumin. Nxënësit herë pas here i trandnin flokët e tyre të bukura nga dëbora, por, pasi kaloi shumë orë nga kjo odise, bora që po shkrihej faqeve të nxënësve përzihej me lotët e tyre, edhe për faktin seata nuk e dinin mirë se çka do bëhej me fatin e tyre. Ata ishin solidarizuar me prindërit e tyre dhe e kuptonin se diç nuk ishte mirë, kishte ardhur “dikush” që t’ua mbyllte shkollën. Mësuesit dhe prindërit shpesh u thoshin që të shkonin në shtëpi, por ata nuk pranonin, sikur donin të mësonin historinë se si mbrohet shkolla shqipe, duke e përjetuar e parë me sytë e tyre. Nëpër shtëpitë e Shipkovicës kishin mbetur vetëm gjyshet plaka shumë të lodhura, të cilat ruanin foshnjat, pra, nipat dhe mbesat e tyre, derisa të ktheheshin prindërit e tyre nga fronti për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Edhe nëse ndonjëri s’do kthehej, ai do zëvendësohej nga ata fëmijë që përkundeshin nga gjyshet nëpër djepat malësore. Oh, çfarë momentesh estetike! Tragjikja jepte madhështoren, e shëmtuara nxirrte në pah të bukurën, e ulëta kacafytej me të bukurën... Masa kishin humbur toruan. Tentonin të thyenin dyert dhe të ballafaqoheshin fyt më fyt me policinë. Në ato momente tejet të nxehta u paraqit përsëri mësuesi paqedashës, tani me një qëndrim tejet serioz duke thënë:

Prindër dhe fshatarë të dashur, besoj se ju keni besim

të plotë te ne, ashtu siç kemi ne te ju. Koha s’na pret. Fëmijët po na sëmuren në këtë kohë të ligë. Jemi në pikë të rrezikut! Minuta minutës s’i ngjan! Organet që janë brenda në shkollë nuk munden të bisedojnë me tërë katundin, por ata pranojnë nga ju vetëm një komision prej disa vetave, që do paraqesë revoltën dhe kërkesat tuaja. Ju lutem na kuptoni, - priu kujdesshëm mësuesi.

Po, po , pajtohemi, por ne të gjallë ditarët s’i japim,

jo, asnjëherë! Shqiptarë jemi, shqip do shkruajmë!- u dëgjuan zëra nga masa popullore.

Me të shpejtë u propozuan anëtarët nga udhëheqja e bashkësisë lokale, bashkëme to edhe mjeku i fshatit, Refik Vejseli dhe profesori Ejup Ajdini. Edhe pse afër mësuesit, andej telave të shkollës rrinte edhe një polic me armë në kraharor, mësuesi i guximshëm edhe njëherë përsëriti emrat e komisionit, të cilin e pranuan njëzëri. U çel dera e oborrit të shkollës, pastaj një nga një hyri komisioni brenda. Drejtori Hajri Hyseini nuk lëvizte nga vendi i tij i zyrës, sikur nuk donte ta lëshonte shkollën në mëshirën e “dreqit”. Sikur s’kishte ndodhur gjë, nga goja e tij në drejtim të inspektorit dilte vetëm kjo fjali: “Këtë lypët, këtë gjetët. Tani merruni vesh me popullin!”

Dikur ramë në ujdi që të fillonim mbledhjen. Në klasën e madhe të shkollës ishin tubuararsimtarë, policë, shërbëtorë, inspektorë të arsimit, si dhe komisioni nga bashkësia lokale. Mbretëronte një ndjenjë e çuditshme, sikur të ishe para incizimit të ndonjë filmi dhe poprisje rezultatin e provave... Përveç udhëheqjes së fshatit në komision, edhe profesori edhe doktori njiheshin si veprimtarë të atyre anëve dhe të asaj kohe. Komisioni ishte me përbërje të mirë, por siç dukej, i dobët para pushtetit. Mbledhja filloi. Pas drejtorit, i cili tregoi gjendjen reale të asajkatrahure të nderë, fjalën e mori inspektori si me revoltë, pasi nuk ua kishte mbajtur anën drejtori, pasi, sipas rregullave të pushtetit, drejtorët në përgjithësi duhej të mbanin anën e pushtetit. Por Shipkovica ishte ndryshe, drejtorin e kishte të vetin, një familjar i dalë nga populli me dinjitet e krenari kombëtare... Bisedat e inspektorit aludonin sikur donte të thoshte se pa i marrë ditarët nuk do ktheheshin, pasi ai paska qenë një urdhër i prerë i pushtetit. Nga ana tjetër masa jashtë telave të shkollës ishin betuar se ditarët nuk do ia dorëzonin policisë deri në vdekje... Puna po shkonte deri aty sa o të dorëzoheshin ditarët të plotësuar në gjuhën shqipe, dhe pastaj të njëjtët të zëvendësoheshin me ato të shkruar në gjuhën maqedonase, o do të mbyllej shkolla. Inspektori u mundua me metodat më bolshevike që të arsyetonte ardhjen makabre të tyre, herë me të ashpër, e herë me të butë, por ato mendime nuk pinin ujë të malësorët e pastër, veçanërisht kur po u prekej identiteti kombëtar në ato male.

Pasi mbaroi fjalën inspektori, të gjithë kishin etje për t’iu kundërvënë, por betejën e mbledhjes e nisi profesori, i cili nuk e dinte se si ishin zhvilluar bisedat më parë midis mësuesve, drejtorit, inspektorëve e policisë, por një gjë dihej se qëllimi ishte i njëjtë.

Shoku inspektor, më lejoni që të marr fjalën në emër

të banorëve të Shipkovicës, më konkretisht masës që po proteston para shkollës, të cilët me padurim po presin epilogun e kësaj dite të keqe për Shipkovicën, Ne, popullata e kësaj ane, nuk e kemi të qartë se pse keni ardhur me polici në shkollë! Çka iu duhen juve dhe policisë ditarët e shkollës sonë? Shkurt dhe shqip, ky katund dhe ky kolektiv, kurrën e kurrës nuk i dorëzon ditarët! Ditarët janë vetëm për nxënësit dhe arsimtarët. - Tha ai.

Në moment pati një ndërhyrje nga inspektori duke folur papritmas:

Ligji është ligj dhe duhet respektuar!..

Inspektori, pas përgjigjes së shkurtër dhe pa asnjë arsyetim, filloi të pyeste se nga është e kush është ky profesor, ku punon, ç’ka studiuar etj., duke dashur të ngjallte frikë se gjoja pushteti do ta gjente edhe atë. Në këtë provokim, tanimë ndërhyri më ashpër profesori:

Ju lutem mos më ndërpritni, sepse flas në emër të

katundit, në emër të drejtësisë, fëmijëve dhe protestuesve... Unë nuk di që ka ligj në botë që vepron kundër popullit, përveç atyre ligjeve që nuk i sjell populli! Çfarë absurditeti! Çfarë ligji na qenka ky! Pse të gjithë popujt në Jugosllavi kanë të drejtë të shkruajnë dhe të mësojnë nëpër shkolla në gjuhën e tyre?! Kanë të drejtë sepse është e natyrshme. Kurse kjo që bëni ju ndaj ne shqiptarëve, jo vetëm që është larg të natyrshmes, por është edhe antinjerëzore dhe jashtë çdo standardi human e civil. Nëse mendoni se është e natyrshme, atëherë pse vallë kjo popullatë proteston para shkollës me orë të tëra? Nëse na merret edhe drejta e shkrimit dhe e mësimit shqip edhe nëpër shkollat fillore, atëherë çka mbetet për neve?!e...- Profesori përfundoi mendimin e tij bindës

Në tjetër diskutues nga padurimi ndërhyri pa leje për bisedë duke thënë:

Duam të dimë se pse shkojmë ushtarë të këtij shteti, pse paguajmë tatime, pse shkuam në luftë, gati çdo shtëpi pati nga një partizan, vetëm dëshmorë të këtij katundi janë dymbëdhjetë, e të mos bëjmë fjalë për kontributet historike e praktike të mbarë popullit shqiptar në Jugosllavi, e konkretisht në Maqedoni! Sikur ta kishin ditur të gjithë ata dëshmorë të luftës, se populli i tyre do të ndiqej e persekutohej kaq shumë nga antiligjet e ndryshme dhe policia e vendit, e pastaj se do u mohohej edhe shkrimi e mësimi në gjuhën amtare, a do kishte dhënë jetën dikush për liri të rrejshme, pa të drejtat më elementare. Si mendoni?- e përfundoi bisedëntejet të logjikshme nanoriifshatit.

Diskutuesi tjetër ia preu shkurt dhe shqip!

Është koha e fundit që të kuptohemi, se ne shqiptarët

e duam jetën të barabartë sikur të gjithë popujt e tjerë që jetojnë në këtë shtet. Nuk duam as ma shumë e as më pak se popujt e tjerë. Si mendoni shoku inspektor, çfarë filozofie është kjo që populli me orë të tëra proteston para dyerve të shkollës. Shikoni pak nga dritarja se si keqtrajtohen fëmijët dhe popullata nga kjo filozofi e pakuptimtë dhe kësaj i thonë bashkëjetesës”, -përfundoi banori tjetër.

Image
Ballafaqimi i popullatës me veturat e policisë

Kur të pranishmit në klasë kërkonin të marrin fjalën për mbrojtjen e drejtësisë, inspektori e lëshoi mbledhjen dhe shkoi drejt në zyrën ku rrinin policët në gjendje gatishmërie për veprim. Ku ta dinim se pse inspektori u largua papritmas... Nga ta dinim ne! Në fillim u krijua një bindje se fjalët e profesorit e bindën disi inspektorin që t’i largohej kësaj të keqeje dhe ne me padurim pritnim për një epilog pozitiv. Tanimë para masës doli profesori që t’i informonte protestuesit e Shipkovicës për rrjedhat e mbledhjes:

Bashkëfshatarë dhe prindër të nderuar, komisioni e bëri të veten. Ne i thamë të gjitha atoqë duheshin thënë,ato që ditëm.Edhe pse ata nuk ndenjën deri në fund t’i dëgjonin të gjitha mendimet tona, mendojmë se edhe ato që thamë, ishin të mjaftueshme për të lëshuar pe nga kjo e keqe e kurdisur... Besojmë se bisedat tona kanë ndikuar në ndërgjegjen e tyre dhe shpresojmë që të jenë bindur.Edhe për pak presim që të na lajmërojnë dhe të na e lënë të qetë shkollën dhe katundin tonë.

Duke thënë profesori këto fjalë, të kthesa në drejtim të ambulancës, nxorën kokën edhe shumë automjete të tjera të policisë, si përforcim i realizimit të planit të njohur. Protestuesit ua zunë rrugën dhe nuk i lejoninautomjetet që t’i afroheshin shkollës. Një nga policët pranë profesorit përmendi emrin Naim dhe diç filloi të flasë. Në fillim, nga kjo ulërimë, profesori nuk e përfilli fort, por kur tha se “të kam vëlla”, atëherë filloi ta përcjellë më me vëmendje:

Profesor, unë iu njoh juve! Dhembjen e kemi të përbashkët. Unë nuk do të gjuaj mbi popullin tim dhe pushkën do jua jap juve, por një gjë të lutem kuptomë! Kuptomë, vetëm në ty, në ty kam besim. Qëllimi i kësaj kataklizme nuk janë ditarët! Ditarët munden t’i marrin kur të duan, qoftë ditën, qoftë edhe natën... Variante e variante kanë për t’i marrë, por, profesor i dashur, qëllimi është të bëhet një gjakderdhje në këtë katund dhe t’i shtyjnë frikën njëherë e përgjithmonë kësaj popullate... Dhe kur të realizohet në Shipkovicë, pastaj me viset e tjera e kanë më lehtë. Kemi informata se edhe shumë njerëz nga Tetova e fshatrat përreth janë nisur maleve për në Shipkovicë. E kupton i nderuar nga na çojnë këto rrugë? Ju lutem, thirrni mësuesit, doktorin, komisionin dhe ta shpëtojmë Shipkovicën e lodhur!

Policin dashamirës e kuptuam mirë. Në ato momente, në zyrën e arsimtarëve filluam mbledhjen e shpejtuar në këmbë, por tani pa pjesëmarrjen e policëve dhe të inspektorit. Ne si komision, bashkë me drejtorin dhe arsimtarët, për pak minuta vendosëm që të fshihen ditarët, të marrim drejtorin dhe mësuesit dhe bashkë me masën ta lëshojmë shkollën. Shërbëtorët, ende pa marrë urdhrin prej drejtorit, dëshmuan njëzëri se i kishin fshehur ditarët në vende shumë të sigurta! Situata po merrte epilogun pozitiv më të mundshëm. Problemi më i madh ishte se kush do të dilte para masës që t’i bindteshipkovicasit për këtë vendim. Askush nuk kishte forcë më të madhe dhe besim më të thellë në ato momente, përveç mjekut të katundit, RefikVejselit, i cili ishte më autoritari për kohën.

Prandaj u vendos që të dilte para masës doktori, një burrë i zhvilluar, truplartë, me mustaqe korb të zeza, në një moshë dyzetvjeçare, me studime të kryera në Çekosllovaki në shkencat e mjekësisë, karakteristika këto që e bënin atë sa profesionist, sa kombëtar, po aq edhe madhështor, veçanërisht në momentin kur do i besonte popullata dhe do të bashkoheshim rreth një qëllimi të vetëm.

Image
Momenti më i nxehtë kur pritej një vendim

Tanimë policia kishte dhënë urdhër për dorëzimin e ditarëve ose do të niste beteja e madhe...Më e keqja, Policia e ardhur shtesë, ndodhej në fund të protestuesve, kurse doktor Refiku u kap pas hekurave të derës së shkollës, vuri këmbët aty dhe gjysma e trupit të tij u ngrit mbi derën e shkollës dhe me njërën dorë mbahej pas hekurit të fundit të derës, kurse tjetrën e kishte orientuar si shqiponjë me një krah para masës:

Popull i dashur, - bërtiti sa mundi Doktori.

Ju lutem na kuptoni drejt dhe të mos biem në këtë provokim të kurdisur. Këtyre s’ju

duhen ditarët, por qëllimi është që të nxitet incidenti dhe pastaj të bëjnë çka të duan me ne...Mjetet luftarake që keni ju në duart tuaja nuk janë të barabarta me ato të policisë. Nëse keni besim të inteligjencia e këtij vendi, komisioni që zgjodhët, ju lutemi, ne kemi vendosur që të nisemi drejt shtëpive tona. Ditarët janë të fshehur në vende shumë të sigurta, kurse ata le të veprojnë si të duan me muret e shkollës. Le të veprojnë si të duan, por ju të jeni të sigurt se edhe për ne do vijnë ditë të lumtura me këtë popullatë e rini të shkëlqyer që kemi... Pra, të shkojmë, ju lutemi!

Pas një heshtjeje të shkurtër, një zë nga popullata u dëgjua:

Mirë Doktor, po, ju besojmë juve, por ne nuk nisemi pa i parë arsimtarët dhe drejtorin

në mesin tonë. Vetëm atëherë do nisemi...

Xixa gëzimi shpërthenin para syve të komisionit, pasi dukej një copë drite në fund të këtij tuneli të rrënuar.

Mirë... - thirri Doktori,

ju faleminderit për besimin e mirëkuptimin!- E vërtetoi doktori.

Doktor Refiku kërceu nga dera e shkollës në këmbë sikur të ishte një djalë i ri... I lajmëruam arsimtarët, kurse profesori E.A. e mbante për krahu drejtorin, të cilin e kishte edhe shokun më të dashur të fëmijërisë dhe dukeshin sikur ktheheshin nga një betejë triumfuese e atyre anëve. Një nga një, arsimtarët u përzien me popullin pas disa orësh proteste. Tanimë ishin së bashku, burrat e fshatit dhe nxënësit dhe të gjithë së bashku ecnin nga rruga kryesore e katundit.Tani arsimtarët dukeshin si luftëtarët midis popullit, kurse drejtori, si gjeneral fitimtar.

Image
Largimi i arsimtarëve nga shkolla -në ballë autori i librit

Dalëngadalë, me largimin e popullatës nga logu i kuvendit, te shkolla, vendi dukej i shkretë. Nga larg dëgjohej ndonjë thyerje dollapësh në shkollë, thyerje të pakuptimta, saqë, po të kalonte ndonjë njeri i rastit, mund të mendonte se në shkollë kishin hyrë lugetërit! Jashtë shkollës ishte qetësi e madhe. Tanimë bora kishte pushuar së rëni. Lisat e Sharrit kishin ulur kokën nga dëbora e madhe që po i rëndonte dhe qëndronin me shpresë se pranvera do vinte edhe për Shipkovicën. Të gjitha majat e kodrave të Sharrit përreth ishin mbuluar me të bardhë. Edhe ai pak diell që u duk në majat e kodrës përballë humbi. Të ftohtët e dimrit filloi të shtrëngojë gjithandej. Terri kaploi Malësinë. Fëmijët nuk i zinte gjumi... Mendonin se çka do bëhej me shkollën e tyre. Nuk e kishin të qartë se pse policët i nxorën nga shkolla! Çka do bëhej nesër!...Oxhaqet e shtëpive në Malësi atë natë nxirrnin tym të pandërprerë, shumë më tepër sesa netëve të tjera. Nga larg filluan të dëgjoheshin të lehura qensh.

Ky problem i shkollës dhe i shqipes, tani të ndaluar me (anti) ligj, po bisedohej më tepër nëpër çajtoret e katundit, të cilat gjatë ditëve të dimrit janë plote përplot me njerëz. Si rrallëherë, katundarët përmes xhamave të dritareve të çajtores, vështronin dëborën që po binte pa ndërprerje. Tymin e duhanit e thithnin deri në fund të mushkërive. Nëpër tavolinat e çajtores, fjala më e dëgjuar ishte se ky dimër do ishte i rëndë, por në të kundërt dëgjohej edhe shprehja se kur ka dimra të mëdha, ai vit do kishte edhe bereqet më tepër.Megjithatë bashkë me bisedat e tyre, sytë nuk i shkëputnin nga fjollat e shpeshta të dëborës dhe natyra krejt magjepsëse... Në ato momente, si për ironi të fatit, nxori kryet një veturë e kaltër e policisë, prej atyre të mëdhave, e mbushur plot me xhandarë dhe vetëm tytat e pushkëve u dukeshin nëpër xhamat e veturës. Edhe pse makina e policisë ishte e tipit “Xhip”, ajo sërish e çante me shumë vështirësi dëborën e madhe që kishte zaptuar rrugët e Shipkovicës. As dimri aq i madh dhe as “Xhipi” me xhandarë nuk ishin të pëlqyeshëm për banorët e Shipkovicës, por ata ishin të kalitur me fate të vështira. Duke kaluar automjeti i xhandarmërisë, vetvetiu, sikur të jepej urdhër nga Zoti i madhërishëm, ata pa një - e pa dy, e lëshuan të gjithë çajtoren dhe nisën të ecnin pas “Xhipit” të kaltër drejt shkollës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat