Aziz Zhilivoda hymni antisllavokomunist

Dokumentare

Aziz Zhilivoda hymni antisllavokomunist

Eugen Shehu Nga Eugen Shehu Më 13 korrik 2023 Në ora: 15:08
Aziz Zhilivoda

Sa herë që ranë tupanat e luftës, sa herë që në malet e Kosovës u lajmërua krisma e pushkëve, në rast, si nga legjenda dualën bijtë e saj. Pa zhurmë, pa bujë, të armatosur, duke lënë në vatra prindërit e fëmijët, këta burra me shpirt të papërkulur askurrë nuk bënë llogari me fatet e atdheut të tyre. Atje në Zhilivodën e Drenicës, në pyje të Qyqavicës, këtij kushtrimi të shenjtë do t’i përgjigjeshin për vite e vite me radhë, gjysh, stërgjyshërit e Azizit, duke transmetuar tek nipi i tyre, dashurinë e madhe për Drenicën, Kosovën e krejt atdheun e kombin shqiptar. Kjo dashuri do të rriste me aq mund e sakrifica, vitet e djelit të quajtur Aziz.

Aziz Krasniqi lindi në Zhilivodë më 1901, i rrethuar prej dashurisë së madhe të dhjetra të afërmëve, të cilët popullonin kullën e madhe rrethuar me gurët e bardhë Drenicake. Njohu mjerimin e madh shqiptar të asaj kohe por edhe guximin e burrave të Kosovës, për mos ta lënë fatin e popullit të tyre në duart e ndyra të serbosllavëve. Njohu ende në moshë të njomë, krismat e pushkëve në malet e Qyqavicës ku për vite të tëra rrallë shkeli këmba pushtuese e ushtarit apo gjandarit serb. Ndonëse ende i vogël në moshë, ndjeu dhimbjen e madhe të bashkëkombasve të vet, atëherë kur Zhilivoda e krejt viset e Kosovës, iu aneksua (1913) padrejtësisht, armikut shekullor të kombit tonë serbisë.

Kur vjen mosha e shkollës, prindërit shohin tek Azizi dëshirën e madhe të tij për dije. Ndonëse në Zhilivodë nuk mund të kishte kushte të mira për mësimin e gjuhës shqipe, prindërit bëjnë çmos duke e dërguar Azizin dy orë larg prej fshatit dhe kujdesen që ai të mësojë së paku të shkruajë gjuhën e bukur tonën e mandej të mësojë mbi gjeografinë e historinë e krejt trojeve etnike shqiptare. Këto mësime, do të studioheshin prej Azizit të vogël, mes dhimbjesh kur mendonte ç’ka kish qenë dikur atdheu i vet dhe si e patën katandisur lakmia e fqinjëve. Por asesi dhimbja nuk do ta dekurajonte birin e Zhilivodës. Ai hidhte shtat tok me shpresat për bashkimin, një ditë të krejt trojeve shqiptare, jo me ndihmën e atyre që na ndanë e përçanë, por vetëm me besën dhe pushkën e shqiptarit. Më tej në vitet 1915-1917, Azizi ka bërë përpjekje të vazhdojë studimet në Prishtinë, duke dashur kurdoherë të viret në mbrejtje të atdheut të vet me pushkë e pendë. Ndonëse arësimi shqip në Prishtinë pati ecur mirë disa vite, në vitet 1914 e tutje u godit rëndë, ngase njëra nga përpjekjet e shovenistëve serb për kolonizimin e kosovës ishte pikërisht mohimi i të drejtës legjitime të shqiptarëve për të mësuar në gjuhën e mëmës së tyre. Përmes këtyre vështirësive, i përndjekur nga qeveria serbe, Azizi do të mund të thellonte dijet e veta pikërisht në gjuhën e bukur shqipe. Në fund të viteve 20, ngase pati konflikte me xhandarmërinë e Prishtinës, ai ndiqet prej organeve gjyqësore të mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Është kjo arsyeja që ashtu sikundër qindra shqiptarë të tjerë të Kosovës, Azizi i drejtohet shtetit amë për një jetesë më të sigurtë. Fillimisht vendoset në Elbasan ku nuk i mungonin disa të njohur të babait të cilët i afruan ndihmën e tyre. Më pas, duke patur dëshirë për arësimin, si edhe falë fizikut të rallë të tij, Azizi ngulmon të shkojë në shkollën e plotësimit të ushtarakëve në Durrës. Gjatë kohës së studimeve në këtë shkollë mban lidhje të ngushta me dy vëllezërit e tij, Qerimin dhe Qerkinin duke iu lutur atyre që të përpiqen të mbajnë sa më mirë kullat e lashta në Zhilivodë, si edhe “mos me harrue dyert e trimave që kanë ra për Kosovën”.

Pas mbarimit të shkollës së plotësimit, Aziz Zhilivoda pranon me dëshirë, të rreshtohet në formacionet e xhandarmërisë shqiptare, e cila falë kujdesit të Mbretit Zog, kishte hyrë plotësisht në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të saj. Azizi, ky xhandarm i ri nga Drenica, do të ketë gëzuar respekt ndër shokët dhe eprorët, jo aq për fizikun e lartë dhe të bukur, se sa për ndershmërinë dhe përkushtimin në detyrë. Ai do të shërbejë vite me radhë në këtë armë duke dëshmuar vullnet dhe cilsi të larta me ç’rast, në vitin 1936 edhe do të dekorohej më 28 nëndorë, me motivacionin : “Për shërbime të shqueme në armën e xhandarmërisë, duke sakrifikuar gjithshka për me zbatue detyrat eprore, në dobi të rendit e qetësisë në popull”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi Ministria e Punëve Brendshme, shkresa 28 nëndor 1936 , nr 471 ).

Ashtu si dhjetra e qindra nacionalistë të tjerë shqiptarë, 7 prillin e vitit 1939, Azis Zhilivoda do ta priste përmes revoltës mbarëpopullore shqiptare. Ngase shpirti luftarak i tij nuk gjente dot paqë në ato ditë prilli, largohet prej shtetit amë dhe vendoset në Drenicën e vet të dashur. Por Italisë iu deshën vetëm pak muaj që të përfshinte nën sundimin e saj edhe disa vise të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Me këshillën e vëllezërve të vet, Azizi futet sërish në xhandarmërinë shqiptare, për t’iu përkushtuar deri në fund fateve të kombit të vet. Shokëve dhe miqve të vet, të cilët e panë të vishte sërish rrobat e ushtarakut, u tha se ajo uniformë e thërriste veç për çështjen kombëtare, ”me u shërbye deri në fund shqiptarëve e me u përlesh në qoftë nevoja me gjithfar okupatorësh”. Kështu, disa kohë shërben në këtë detyrë, në Orlan të Podujevës, më pas në Lluzhan dhe më së fundi në Besi.

Me sumin ushtarak të Gjermanisë ndaj Jugosllavisë Versajase, situatat në tervat etnike shqiptare do të ndryshonin së tepërmi. Për hirë të qëllimeve të veta strategjike, RAIHU i TRETË, nuk vonoi të njohë dhe rikonfirmojë disa të drejta të shqiptarëve, përfshi këtu edhe kufijtë etnike, për të ruajtur qetësinë në vend, për të bashkëpunuar në kahjen e mosangazhimit në luftime brenda territorit shqiptar, komanda e lartë ushtarake gjermane, u mbështet në nacionalistët me reputacion të viseve shqiptare, të cilët të shkolluar në Perëndim, do të dinin të luftonin edhe kundër komunizmit, kësaj sëmundjeje të pështirë të ardhur në Ballkan përmes sllavëve nga Uralet, e njëri nga këta burra të mëdhenj të nacionalizmit të ndershëm shqiptar ishte Xhafer Deva.

Duke vendosur një rregull e qetësi për tu patur zili, pothuaj në krejt Mitrovicën dhe rrethina, Xhafer Deva, përmes drejtësisë dhe veprimeve energjike provonte se shqiptarët jo vetëm dijnë të vetëqeverisen por mund të afrrojnë rrugë bashkëpunimi të sinqertë edhe me pakicat e tjera që ndodheshin në Kosovën e atyre viteve. Ka qenë pilërisht Xhafer Deva, i cili ngase pat dëgjuar për ndershmërinë, trimërinë dhe korektesën e Aziz Zhilivodës, e thërret ate të punojë sërish në funksionet e xhandarmërisë shqiptare. Azizi pranon dhe viret nën urdhërat e atdhetarëve Xhafer Deva deri kur ky jep dorëheqjen në verën e vitit 1944, në funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në të ashtuquajturën gardë të Xhafer Devës, biri i Zhilivodës do të shërbente me devotshmëri, i bindur se misioni i tij dhe krejt luftëtarëve të tjerë, ishte misioni i madh i bashkimit të gjithë viseve etnike shqiptare. Ndonëse parrullat bollshevike të Tiranës komuniste, nuk lanë baltë pa hedhur mbi këtë formacion luftarak , ato nuk mundën kurrsesi të përfytyrojnë imazhin e ndritur të luftëtarëve nga kosova për çlirimin e trojeve amtare. Gjatë krejt kësaj periudhe, Aziz Zhilivoda, ndonëse në detyra tejet delikate, nuk e ndau askurrë guximin nga pjekuria, trimëria nga shpirtgjërësia. Në janarin e vitit 1943, pothuaj në krejt Jugosllavinë, përfshi edhe pakicat e tyre në Kosovë, u shpërnda qarkorja famëkeqe e shtabit ushtarak të Drazha Mihajlloviqit. Pos të tjerave, në këtë qarkore është thënë shprehimisht ;

“- Lufta e popullit tonë shenjtërohet prej Princit Pjetër II

Të krijojmë Jugosllavinë e Madhe, në Sërbinë e madhe, të pastër etnike dhe në kufijtë e Serbisë të paraluftës, të Malit të Zi, BosnjësHercegovinës, Sremit, Banatit dhe Baçkës.

Të luftojmë për futjen në jetën tonë shtetërore, të gjithë territoret ende të paçliruara nën italianët dhe gjermanët(Triestën, Goricën, Istrën, Korushkën si edhe Bullgarinë dhe Shqipërinë Veriore). ”

( Arkivi Qendror i Shtetit materiale për studiues)

Përkundër këtyre tezave të kryeqetnikut Drazha Mihajlloviqit, vepruan formacionet e Mbrejtjes Kombëtare Shqiptare, të udhëhequra prej ideve të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizërenit. Me porosi direkt të Xhafer Devës, në dimërin e viteve 1943-1944, Aziz Zhilivoda si Ballist i njohur, iu bashkangjit forcave të Mbretjes Kombëtare në zonën e Artakollit duke organizuar e drejtuar disa luftime të ashpra e të sukseshme ndaj çetnikëve serb. Reputacioni që gëzonte si ushtarak i lindur por edhe si trim i çartur antisllav, bëri që rreth Azizit, të bashkoheshin në vitin 1944, rreth 40-50 trima, me ç’rast të inkuadruar në formacionet e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare, u bënë ballë planeve shkombëtarizuese të çetnikëve serb, mandej duke i ndjekur ata deri në përfundim të kufijve etnike shqiptare. Në një intervistë të dhënë në një prej gazetave shqiptare, pos të tjerave, Aziz Zhilivoda pat deklaruar:”Mos hyni në luftë nëse nuk mund të fitoni, mjaft kemi humbur. Por nëse fillon lufta, edhe pse në moshë të shtyrë, do të më shihni me mashinkën në krah, në malet e Qyqavicës” ( Gazeta “Bota Sot” më 10 shkurt 2000). Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ai veçanërisht në vitet 1944-1949 jo vetëm e rrëmbeu mashinkën e tij, por me atentatet kundër oficerëve madhorë të OZNËS, u bë tmerr i sllavokomunistëve. Në janarin e vitit 1945, trimi Shaban Polluzha, ngase i pat kuptuar qëllimet e zeza të komunistëve jugosllave, nuk pranon të shkojë me brigadën e vet në front të Sremit kinse për të luftuar kundër gjermanëve. Ai e dinte mirë se largimi i tij nga Drenica do të thoshte një dorë “e lirë” për sllavokomunistët të cilët me shumë kujdes po përgadisnin kasaphanen edhe në Drenicën kreshnike. Pas kthimit nga rruga, formacioneve luftarake të Shaban Polluzhës iu bashkangjitën edhe disa çeta të tjera të luftëtarëve shqiptarë. Në këto ditë tejet të vështira për fatet e Kosvës, ”Shanan Polluzhës iu bashkua edhe Aziz Zhilivoda me 100 vetë nga Artakolli” ( Islam Dobra , “Lufta e Drenicës . . . faqe 134 ).

Dihet tanimë prej të gjithëve se çfarë mizeri ushtarësh e oficerësh, serb, çetnikë, komunistë, bullgarë e shqiptarë mercenarësh të kuq, iu vërsulën maleve e pyjeve të Drenicës e cila jo vetëm që nuk donte robërinë sllavoserbe, por ishte e deklaruar se kërkonte bashkimin e natyrshëm të saj me shtetin amë. Pjesa më emadhe e oficerëve të Armatës Jugosllave, të cilët u dërguan në Drenicë, ishin oficerë çetnikë dhe ish ushtarakë të Jugosllavisë Versajase, të cilët posaçërisht për të bërë krime kundër shqiptarëve, u amnistuan në nëndorin e vitit 1944 dhe u dërguan në Kosovë e Maqedoninë shqiptare për krime të mëtejme. Vetë dokumentat jugosllave të shtabit të Divizionit 46 të Sërbisë, duke folur për luftimet në Drenicë, në janarin e vitit 1945, shprehen se “shkaqet e fenomeneve të cilat kanë rritur dukshëm urrejtjen e banorëve shqiptarë ndaj nesh, qëndrojnë kryesisht në faktin se tek pjesa më e madhe e ushtrisë sonë, por edhe tek eprorët tanë sundon urrejtja shoviniste ndaj banorëve shqiptarë. Gjatë disa aksioneve, oficerët tanë të rrëmbyer nga të shtënat e armëve të serbëve vendas, vetëm nga urrejtja kundër shqiptarëve, trilluan për ta faje që nuk egzistonin realisht”.

( Muhamet Pirraku, “Ripushtimi jugosllav i Kosovës, Prishtinë 1991, faqe 53 ).

E vërteta është se këtyre masave të dhunshme të armatës jugosllave, burrat e mbledhur rreth Shaban Polluzhës, iu përgjigjën veçse me krismat e pushkëve. Sipas burimeve jugosllave, në ditët e para të shkurtit 1945, në Drenicë numëroheshin mbi 3 mijë luftëtarë të armatosur, të gatshëm për të dhënë jetën, për të flakur tej zgjedhen serbe dhe për kufijtë etnike shqiptare. Brigada e luftëtarëve të Ballit Kombëtar tanimë ishte ndarë në gjashtë batalione dhe sejcili prej batalioneve kishte në vetvehte katër çeta. Në krye të çetave prinin trimat ; Jetulla Aziz Zhilivoda, Refat Galica, Hetem Hasani, Muharrem Sinani, Hetem Gllareva, Isuf Hajdari etj. Nuk duhet asesi të harrojmë kur flasim për luftimet e Drenicës në vitin 1945, se ishte trimëria e të gjithë burrave të Kosovës, me ç’rast mbajtën të gozhduar për javë të tëra formacionet disa mijëshe të Armatës jugosllave. Veçmas në luftimet në fshatin Rrezallë, aty ku ishte edhe shtabi i Shaban Polluzhës, çeta e Aziz Zhilivodës tregoi heroizëm të pashoq. Ushtaraku i talentuar, Azizi do të rrezikonte kurdoherë veten, duke u vendosur në radhët e para të luftëtarëve të vet. Por syri i tij askurrë nuk gaboi, mashinka e tij dijti të këndojë kurdoherë hymnin e lirisë së kombit të vet. Pas vrasjes së Shaban Polluzhës, për sllavokomunistët u duk se lufta e nacionalistëve shqiptarë pat marrë fund njëherë e përgjithmonë. Lajmin e vrasjes së Polluzhës e çuan vetëtimthi në Beograd, duke “qetësuar” edhe kryekriminelin gjeneralin Tito se rebeli i fundit ballist shqiptar ishte shaur. Por ditët që vijuan më pas, në shkurt-marsin e vitit 1945, provuan të kundërtën. Burrat e Kosovës, i patën dhënë besën Shaban Polluzhës se do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për t’i treguar jo vetëm Beogradit por krejt qytetërimit evropian se shqiptarët asesi nuk mund të pajtohen me idetë komuniste. Ndër ta, Aziz Zhilivoda, anipse me dhimbjen e bashkëluftëtarëve të rënë në beteja, vazhdoi inkursionet e tij luftarake duke u sjellë slavokomunistëve humbje të konsiderueshme në njerëz. Një varg raportesh të Armatës Jugosllave, bëjnë fjalë për atë se edhe pas vrasjes së Shaban Polluzhës, rezistenca e nacionalistëve shqiptarë nuk përfundoi, madje në disa raste, sidomos në Prishtinë e rrethina, ajo u përsërit pa u lëkundur aspak në bindjet e veta. Gjatë viteve 1945-1946, Aziz Zhilivoda qëndron në malet e Kosovës, krejtësisht në ilegalitet. Në dimër e verë, në stuhi dhe acar, herë i ngrënë dhe herë i pangrënë, biri i Zhilivodës nuk do të thyhej përpara asnjë vështirësie. Tashmë ai mban lidhje të drejtëpërdrejta me Udhëheqës të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare duke paraparë në idetë e saj(organizatë e cila ishte vazhdimësi e Ballit Kombëtar) vazhdimësinë për Shqipërinë Etnike. Ngase OZNA, në këto vite, është në gjurmim të pandërprerë të nacionalistëve shqiptarë, Azizi detyrohet të shpërndajë çetën e trimave të vet duke qëndruar vetëm me 3-4 prej tyre, çka mundëson edhe qëndrimin ilegal të mëtejshëm. Në fund të vitit 1946, atij iu bë thirrje nga Muharrem Bajaraktari për t’u bashkuar, me qëllim kalimin në Greqi dhe riorganizimin e krejt forcave antikomuniste. Azizi ende shpresonte në një lëvizje mbarëkombëtare shqiptare antikomuniste ndaj siguroi Muharrem Bajraktarin se në çdo rast, do ta gjente me mashinkë në dorë, në majet e Qyqavicës. Edhe dy vjet të tjera, Aziz Zhilivoda endet nëpër malet e Kosovës martire. Shpresat për një Shqipëri Etnike sa vinin e zbeheshin ndërsa komunistët e Tiranës, pasi i shitën trojet amtare të Kosovës e Maqedonisë shqiptare për pushtet, jetonin ende me përallat e internacionalizmit proletar, pa e ndjerë në shpirt gjëwmën kombëtare që kishin gatuar. E vërteta është se OZNA pat rënë herët në gjurmë të Aziz Zhilivodës por ushtaraku i lindur askurrë nuk ra në kurthin e tyre dhe për më tej, në vitet 1945-1948, janë rreth 40 ushtarë dhe oficerë të OZNËS, të cilët në përpjekje me Aziz Zhilivodën patën gjetur vdekjen prej mashinkës së tij. Në vitin 1946, në pamundësi për të shtënë në dorë Azizin, OZNA arreston të gjithë pjestarët e familjes së tij, që nga i jati 81 vjeçar e deri tek fëmija më i vogël që ishte 6 muajsh. Kinse Azizi ishte udhëheqës i rrezikshëm i bandave balliste, kullat në Zhilivodë kthehen në burgje ku serbosllavokomunistët i përdornin për ambijente hetuesie, parabaurgimi si dhe oda për qëndrimin etyre. Me kujtimet e veta, biri i Aziz Zhilivodës, Faiku, lidhur me qëndrimin në paraburgim tregon pos të tjerave : “Erdhi vjeshta e vitit 1947, krejt familjen ma dërguan në burgun e Vushtrisë. Pos dy tri ditëve e sollën në burg edhe nënën e Sherif Tërstenës, gruan e tij dhe një vëlla më të ri të Sherifit. Ate ditë na rregjistronin në burg. Gjatë rregjistrimit hyrën Ali Shukriu dhe Rasim Qerkezi. Ali Shukriu ishte prokuror publik për Kosovën e Rasimi ishte shef i OZNËS për Mitrovicën

-Ti je nëna e Aziz Zhilivodës a ?

Lokja ja ktheu :

Po, une vetë !

Ali Shukriu iu afrue, e kapi prej flokësh dhe i tha :

Ti je shtriga plakë që ke pjellë Azizin, që na i ka vrarë 96 komunista, bijtzë më të mirë të Jugosllavisë së Titos !

Tëherë gjyshja iu drejtua me këto fjalë :

Hiqi duart e fëlliqta nga unë, he qen bir qeni ! Pushkë, topa dhe ushtri ke sa të duash. Ndjeke Azizin nëse mundesh me e zënë, ju komunista të qelbur !.

Qëndrimi burrëror të familjes së Azizit, OZNA iu përgjigjej duke mbyllur në qelitë e ftohta të Vushtrisë për vite me radhë, krejt familjen për të thyer sadopak shpirtin e luftëtarit. Por ndodhi e kundërta, mashinka e Aziz Zhilivodës askurrë nuk e prehu këngën e saj kundër hordhive sllavokomuniste. Për hirë të së vërtetës duhet thënë se emri i Azizit u deklarua zyrtarisht prej OZNËS, në akuzën ndaj Gjon Sereqit, në vitin 1946. Më tej ky emër është lakuar me qindra herë nëpër zyrat e OZNËS sa në Beograd aq edhe në Shkup, Prishtinë e Mitrovicë. Ai ishte shndrruar në simbol të burrit trim dhe sypafjetur. Roli i Azizit në organizimin luftarak të ONDSH-së, është tejet i madh. Veçmas, në vitin 1947, kur kjo lëvizje pati pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz dhe moral, biri i Zhilivodës, me disa aksione pothuaj personale, i mbante të ndezur optimizmin e antarëve të tjerë. Sipas deklaratës së anëtarit të ONDSH-së, Smajl Sllamianit, dhënë në Prishtinë në vitin 1998, tregohet qartazi për këtë rol, midis të tjerave, Smajli informon se antarët e ONDSH vepronin në grup tresh. Vetë ai mbante lidhje të drejtëpërsëdrejta me Rrahman Gërgurin dhe Don Berishën. Ndërsa të tjerët mbanin lidhje me ato që vepronin në male si ; Ajet Gërguri, Azem Ballaçevci, Gjon Sereqi, Smaj Dragusha, Aziz Zhilivoda, Isuf Visoka etj. Këtyre u dërgoheshin në mal informata, ushqime e veshmbathje ndërsa merrnin nga ata rekomandime të ndryshme. Sipas gazetës “Flamuri” i asaj kohe, si organini Ballit Kombëtar, thuhet se në vitin 1948, në male të Kosovës e Maqedonisë shqiptare, vepronin rreth 30 nacionalistë shqiptarë duke mos e ndalur rezistencën. Midis tyre ishin : Riza Gogaj, Sadik Tusha, Sami Begolli, Aziz Zhilivoda, Neze Bunjaku, Ymer Kurti, Sherif Tërstena, Ndue Përlleshi, Shaban Pasha, Elez Murati, Abdyl Ibrahimi, Bajram Llukavci, Nezir Kurtishi, Dem Pozhari, Mete Hasani, Qazim Avdia, Asllan Zymberi, Hilmi Dala, Hasan Remniku, Rexhë Saliu, Sadri Coka etj. Ndonëse rezistenca e tyre nuk ishte e organizuar, ndonëse aksionet e çetave nacionaliste nuk ishin të dukshme, gjithsesi lëvizja e përfaqsuar nga këta burra, mbart në vetvehte vlerat e larta morale, vlerat e antikomunizmit të popullit tonë, si edhe dëshirës së madhe të tij për Shqipërinë Etnike. Në fund të vitit 1951, atëherë kur lëvizja ilegale nacionaliste në Kosovë, jetonte orët e mbrame të saja, Aziz Zhilivoda duke menduar se krejt jetën e vet e ka vënë në dispozoicion të Shqipërisë Etnike, në mënyrë të fshehtë kalon kufirin dhe shkon në shtetin amë. Shpresat për një jetë më të mirë, në atdheun e vet, i lindën edhe për fatin që midis Tiranës dhe Beogradit, qenë prishur përfundimishtë urat e “vëllezërisë” dhe vendin e tyre e patën zënë armiqësitë e hapura.

Por pikërisht këtu, pat gabuar biri i Zhilivodës, atentarori i dhjetra ushtarëve dhe oficerëvë të OZNËS jugosllave, trimi i dhjetra e dhjetra betejave në Kosovën e Drenicën martire, do të jetonte veç disa muaj në paqë, për të provuar nën akuza tejet qesharake ferrin e burgjeve të diktaturës komuniste në shtetin amë, Shqipërinë enveriste. Ai do të mbyllte sytë përgjithmonë, i tradhëtuar nga klika e Tiranës bollshevike, por jo nga gjeneratat e Drenicës heroike, tytat e të cilëvë kënduan po ate këngë që dikurë e pat kënduar mashinka e heroit dhe trimit të madh të Drenicës Aziz Zhilivodës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat