“Gjatë një dasme ata ngritën dolli me raki për”/ Historia e panjohur e vitit 1971: Si u arrestuan 12 burra dhe u dënuan me 150 vjet burg politik

Dokumentare

“Gjatë një dasme ata ngritën dolli me raki për”/ Historia e panjohur e vitit 1971: Si u arrestuan 12 burra dhe u dënuan me 150 vjet burg politik

Nga: Agim Musta Më: 16 gusht 2023 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.

Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

-Portrete bashkëvuajtësish-

(1945-1991)

Nuk varet poeti, o të marrë!

Kujtimit të Avzi Nelës

E varën poetin! E varën të urtin Avzi Nela, në mes të Kukësit. E lanë të varur tri ditë e tri netë, për të tmerruar njerëzit. U drodhën fëmijët kur panë mësuesin e tyre poet, që lëkundej në litar nga era e bjeshkëve. Nuk u nginë me poetin, të cilin e mbyllën për 15 vjet në galeritë e thella të Spaçit. Nuk u kënaqën, që i zbardhën flokët dhe i fshikën faqet qysh në moshën 30 vjeç. Shenjat e torturave në fytyrë dhe të prangave në duar, iu dukën pak. Ai, dhe i vdekur duhej të kthehej në simbol tmerri. Bash për këtë nuk e pushkatuan në një breg lumi natën, në errësirë, ashtu siç vepronin me të tjerët.

Poeti duhej të varej në dritën e diellit, në mesin e qytetit në kryqëzimin e rrugëve. Atë duhej ta shikonin të gjithë, fëmijë dhe të rinj, burra dhe pleq, Gjallica dhe Drini, dielli dhe hëna. Ashtu kishte urdhëruar diktatori. Ç’gjëmë bëtë, o të çmendur! Nuk varet poeti, o të marrë!

Ekzekutimi i Tartarinit

“Tartarin” ishte qen, por ishte i burgosur. Nuk dihet se kush e kishte sjellë në kampin – burg të Spaçit. Dikush thoshte për një shofer që ngarkonte mineral bakri. Dikush tjetër tregonte se qeni kishte ardhur nga një fshat aty afër, fare i vogël. Në të vërtetë askush s’e dinte, se si ai qen ishte futur në kampin e të burgosurve, të ruajtur aq mirë nga dhjetëra truproje dhe të rrethuar me tela me gjemba të dyfishtë. Veçse një gjë dihej me siguri: emrin “Tartarin” ia kishte vënë një i burgosur marinar, një “Xhek London” shqiptar, i quajtur Fiqiri Muho.

“Tartarini” nuk i ndahej Fiqiriut, në galeri, në plan të pjerrët, në mencë, kudo që shkonte. “Tartarini” ishte i dashur, jo vetëm me Figon, por me të gjithë të burgosurit. Ai u lëpinte duart dhe rrobat e tyre të leckosura. Kurrë nuk i kishte ngrënë ndonjë të burgosuri racionin e bukës, gjellën, ose diçka tjetër, pa ia dhënë vetë i dënuari. Sa i dashur ishte me të burgosurit “Tartarini”, aq i egër ishte me gardianët dhe kapterët e kampit. Sapo shihte një të tillë, ai egërsohej e skërmiste dhëmbët. Policët sa e shihnin “Tartarinin”, e qëllonin me shqelma dhe me çdo gjë, që i zinte dora.

Disa herë ata ishin përpjekur ta nxirrnin jashtë kampit, por “Tartarini” bëhej erë e fshihej nën shtretërit e të burgosurve. Ata që urrente më tepër “Tartarini”, ishin qentë – ujqër të komandës. Kur shikonte ndonjë të tillë, tërbohej së lehuri. Për të gjitha këto veprime, “Tartarini” ishte i dashuri i të gjithë të dënuarve. Një lëpirje e tij, u hiqte atyre një pjesë të brengave. Ata e përkëdhelnin, e puthnin, e përqafonin, si një vëlla të vogël.

Në ditët e revoltës, kur të burgosurit e Spaçit u ngritën për të drejtat e tyre humane, “Tartarini”, ishte së bashku me ta. Ai qëndronte në rreshtat e parë, ku hidheshin parullat antikomuniste dhe këndoheshin këngë atdhetare. Nuhaste se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte në kamp. Lëvizte shumë i shqetësuar nga një kapanon në tjetrin. I shihte të burgosurit në sy, sikur të donte të mësonte se ç’po ndodhte. Kur kampi u sulmua nga qindra policë dhe trupa speciale, “Tartarini” ishte në ballë të përleshjes. Ai kafshonte me dhëmbët e tij të mprehtë, policët dhe trupat speciale.

Pas shuarjes së revoltës, u dënuan pesë vetë me vdekje. Katër ishin të burgosur, i pesti, ishte “Tartarini”. Atë, e ekzekutuan jo me plumb, por në një mënyrë mizore. E lidhën me dy zinxhirë në një shtyllë, për të mos lëvizur. Katër policë, nën mbikëqyrjen e dy oficerëve, e goditnin pa ndërprerje me bishta lopate. “Tartarini” kuiste sa të dridhej mishi. Ata vazhdonin ta goditnin, deri sa i thyen kockat dhe kafkën.

Kështu ishte vendosur ekzekutimi i “Tartarinit”. Në errësirën e natës, dikush nga të burgosurit e mori kufomën e “Tartarinit” dhe e groposi në një skaj të kampit.

150 vjet burgim, për një dolli

Shqiptarët, e sidomos ata të Jugut, rakinë, në raste gëzimi, e kanë pirë me dolli. Gjatë kohës së diktaturës komuniste, dollia e parë ngrihej për “shokun” Enver dhe për Partinë. Askujt s’ia mbante, kur ngriheshin të tilla dollira, të mos e kthente me fund gotën e rakisë. Kishte ndodhur, që ndonjëri, të cilit i ziente barku nga brenda, e vinte gotën në buzë dhe nuk e kthente.

Po të diktohej nga “syri vigjilent”, do të kishte avaze, se dardha e kishte bishtin prapa. E thërriste sekretari i Partisë, drejtori i ndërmarrjes, ndonjëherë edhe Dega e Brendshme. I kërkohej llogari, përse nuk e kishte kthyer me fund dollinë, i gërmohej në biografi dhe ka pasur raste edhe që pushoheshin nga puna.

Të dënoheshin 12 vetë për një dolli, me 150 vjet burgim, këtë pak kush e beson edhe sot, kur shumë absurditete të diktaturës, kanë dalë në dritën e diellit. Ngjarja ka ndodhur në fund të vitit 1971, në një fshat të Skraparit. Martohej një djalë nga fisi i Kapllanëve dhe ishin ftuar miq dhe farefis, për të marrë pjesë në këtë gëzim.

Shumica e tyre, ishin të damkosur nga “pushteti popullor”, si kulakë dhe armiq të klasës. Nga mesi i natës, kur të ftuarit ishin bërë xurxull, dikujt i shkrepi në mendje, për të ngritur një dolli, për të birin e atij vendi, Abaz Ermenjin. I kthyen gotat me fund, se ashtu e desh dollibashi. Mirëpo,”syrit vigjilent”, nuk i shpëtonte asgjë. Të nesërmen, ngjarjen e raportuan në Degën e Brendshme. Shefi i Sigurimit lajmëroi si të vepronin.

U urdhërua arrestimi i menjëhershëm i “delikuentave” dhe në Çorovodë u dërgua një grup hetuesish nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër, Komiteti Qendror i Partisë së Punës, i hoqi vërejtje të rëndë Komitetit të Partisë së Skraparit, për dobësimin e luftës së klasave. Të ngrihej dolli në Skrapar, për Abaz Ermenjin, pas një çerek shekulli çlirim?!

Ky ishte kulmi! Hetuesit u munduan të zbulonin ndonjë komplot, që lidhej me simbolin e dollisë, por s’ia dolën dot në krye, me gjithë torturat që përdorën. Shumica e të arrestuarve, as nuk mbanin mend të kishin ngritur dolli për Abaz Ermenjin, të cilin as e kishin parë ndonjëherë dhe as zërin s’ia kishin dëgjuar. Ata, në fund të fundit, pranuan se mund ta kishin ngritur dollinë, por jo nga dëshira, por nga avujt e rakisë, që i kishin bërë tapë.

Pas gjashtë muaj hetuesie intensive, proçesi hetimor u mbyll duke konkluduar se kishin të bënin me një grup armiqësor, që duhej të dënohej në kinemanë e Çorovodës, u kthye në një spektakël tragjikomik. Në akt-akuzën e lexuar nga prokurori, dollia anashkalohej dhe dasma paraqitej si pretekst për mbledhjen e armiqve të Partisë. Të pandehurit, të katandisur si ikona bizante, përmendin dasmën dhe dollinë. Kur pyeteshin nga kryetari i gjyqit, për komplotin dhe lidhjet me Abaz Ermenjin, ata mblidhnin supet dhe shqyenin sytë. Çfarë të thonin të mjerët?!

Vendimi i gjykatës u lexua kur në sallë s’kishte ku hidhje mollën. Dymbëdhjetë “armiqtë” e popullit, u dënuan së bashku me 150 vjet burg! Dymbëdhjetë burra, u ndanë nga gjiri i familjeve dhe u dërguan në burgjet dhe galerat e Spaçit. Zor se mund të besohet, që në Shqipëri ishte një kohë, kur ngritja e një dollie është paguar me 150 vjet burg!

Masakra e 18 gushtit 1949, në Mirditë

Mirdita, me një terren të thyer malor, pa rrugë komunikacioni, plot me pyje, përrenj dhe shkëmbinj, u bë qendra e rezistencës më e spikatur antikomuniste në Shqipëri, në vitet e para, mbas vendosjes së diktaturës komuniste. E ndarë në 12 bajraqe, të lidhur ngushtë me familjen e Kapedanit, Markagjoni, mirditasit nuk iu nënshtruan në heshtje dhunës komuniste. Gjer në fund të vitit 1949, Mirdita gumëzhinte nga grupet e të arratisurve, që u kallnin datën qeveritarëve të kuq. Ajo ishte shpallur një krahinë rebele, që duhej të nënshtrohej me plumb dhe me zjarr.

Një Batalion Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me një efektiv prej 500 vetash, komanduar nga sadisti Hodo Habibi, që njihej në popull me nofkën, Toger Baba, i binte Mirditës kryq e tërthor, duke mbjellur zi dhe tmerr. Çfarë nuk bëri Toger Baba! Arrestoi, torturoi, përdhunoi, pushkatoi pa i dhënë llogari askujt.

Që nga fëmijët e djepit, gjer të pleqtë me një këmbë në varr, dridheshin si purteka kur dëgjonin fjalët: “Ja, mbërrini Toger Baba”! Thika u kishte shkuar mirditorëve në asht dhe ishin bërë gati të ngriheshin me sfurqe dhe sopata për t’u vrarë duke luftuar, sesa të prosvaleshin nga sadisti Toger Baba. Fjala shkoi në vesh të udhëheqësve të Partisë-shtet dhe ata vendosën të sakrifikonin Toger Babën, për të mashtruar popullin e Mirditës.

Për hir të së vërtetës, vlen të theksohet, roli pozitiv i Tuk Jakovës, anëtar i Byrosë Politike në atë kohë, që këmbënguli në asgjësimin e përbindëshit, Hodo Habibi. Në fillim të 1947-ës, komunistët mblodhën popullin e Mirditës dhe të Zadrimës në katundin Hajmel dhe mbas një gjykimi teatral, Toger Baba, u dënua me vdekje në litar.

Si mbas dëshmitarit okular, Ndue Gjoni, Toger Baba, para se ta varnin, deklaroi: “Çdo gjë gë kam bërë në Mirditë, e kam bërë me urdhrin e Partisë dhe të Komandantit të Përgjithshëm”.

Mashtrimi doli në dritën e diellit, kur familjes së Toger Babës, i lidhën pensionin e “Heroit të Popullit”.

***

Të arratisurit e Mirditës, mbasi kishin pësuar shumë humbje dhe familjet e tyre ishin internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, vendosën të arratisen jashtë Shqipërisë, duke lënë në Mirditë disa grupe të vogla, të pazbuluar nga Sigurimi shqiptar. Më 6 gusht të vitit 1949, me urdhër të Komitetit Kombëtar të Maleve, u mblodhën 53 luftëtarë në vendin e quajtur Shqopa e Munegjës, ku përcaktuan rrugën që do të ndiqnin për të dalë në Jugosllavi, e cila kishte një vit që ishte shkëputur nga i ashtuquajturi, Kampi Socialist.

Atje u erdhi lajmi se Bardhok Biba, sekretari i parë i Komitetit të Partisë Komuniste për Mirditën dhe deputet i Kuvendit Popullor, kishte dalë për propagandë nëpër fshatrat e Mirditës dhe të nesërmen do të kalonte, nga katundi Simon i Kaçinarit për në Shënpal.

Në çast u vendos, që Bardhok Biba, të vritej si shpagim për të gjitha gjëmat, që komunistët kishin bërë në Mirditë. Prita u ngrit në përroin e Valmirit dhe Bardhok Bibës së vrarë, iu vendos mbi trup, vendimi për vrasjen e tij, nga Komiteti i Maleve të Mirditës. Lajmi mori dhenë dhe udhëheqja e partisë-shtet, vendosi njëzëri, fillimin e një operacioni ndëshkimor, që Mirdita s’e kishte përjetuar asnjëherë në historinë e saj qindravjeçare. Operacionin e drejtonte ministri i Punëve të Brendshme, xhelati Mehmet Shehu, së bashku me gjeneralin mirditas, Gjin Marku.

Si këshilltare ishin kolonelët rusë: Sokolov dhe Baloskin. Më 18 gusht të vitit 1949, mbi 2000 mirditorë, burra e gra, u dërguan me përdhunë në vendin ku u vra Bardhok Biba, 11 ditë më parë. Para turmës sollën 14 burra mirditorë, që do t’i bënin kurban, pa i pyetur dhe pa i gjykuar.

Mbas fjalës së Mehmet Shehut, nën kërcënimin, se do t’i nxirre ujë të zi Mirditës dhe lumi Fan do të bëhej i kuq nga gjaku i mirditorëve, u ekzekutuan: Llesh Melyshi, Nikollë Bajraktari, Bardhok Lleshaj, Gjergj Beleshi, Dod Biba, Ded Gjonmarkaj, Nikollë Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Palaj, Frrok Mataj, Mark Marku, Dod Paloka, Zef Vila.

“Kufomat e viktimave, – si mbas studiuesit Mërgim Korça, – u qëlluan me nga një plumb në ballë nga komunisti mirditor Mëhill Doçi. Pastaj u hodhën në një gropë të përbashkët, ku lëshuan, për t’i ngrënë, një tufë derrash, të uritur”.

Edhe mbas këtij ekzekutimi masiv, operacioni vazhdoi me tërbim. Si mbas autorit, Nikollë Mëlyshit, në librin e tij “Ngjarje historike”, botuar në Detroit të SHBA më 1976, të pushkatuarit pa gjyq gjatë këtij operacioni, numërohen në 37 veta. U dënuan me burgime të rënda 80 persona dhe u internuan në kampin e Tepelenës, 100 familje.

Operacioni do të vazhdonte gjatë, por desh i madhi Zot, që ushtria greke sulmoi ato ditë disa pika furnizimi të komunistëve grekë, që ndodheshin ne tokën shqiptare dhe Qeveria komuniste e Enver Hoxhës, e kapur nga paniku prej ndërhyrjes greke, urdhëroi, ushtarakë nga Mirdita, për zonën e Korçës. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat