Doktori atdhetar, nën pluhurin e harresës

Dokumentare

Doktori atdhetar, nën pluhurin e harresës

Nga: Sami Shatri Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 14:21
Dr.Enver Sadikaj

Në mëngjesin e hershëm të datës 28 mars, 1989, njesitet speciale policore në tërë territorin e Kosovës, kishin marrë një aksion për bastisjen dhe burgosjen e 238 intelektualëve shqiptar, të cilët i konsideronin si pengesë për ndryshimet kushtetuese dhe suprimimin e Autonomisë së Kosovës.

Në mesin e tyre, ishte edhe Dr.Enver Sadikaj, nga Istogu, mjek specialist, i njohur për zotësi dhe profesionalizëm, jo vetëm në Komunën e Istogut!

Dr.Enverin, nëna ime Gjyla e kishte djalë të vëllait, e donin njëri tjetrin shumë, pasi që Nëna ishte halla më e madhe e Enverit, Enveri kishte mbetë herët jetim, nëna ishte kujdesur njè kohè, në mungesë të Nënës.

Një ditë shkurti të vitit 1989, shkova për vizitë te Dr.Enveri, në spitalin e Istogut, ku punonte me përkushtim e zotësi. Kisha problem me disa pigmente në qafë, që dalloheshin si pika të zbehta. Kur hyra për vizitë, daja doktor, më pyeti për Nënën Gjylë dhe krejt të tjerët. Duke biseduar, u hap dera dhe hyn dy djem, njëri rreth 35 e tjetri rreth 30 vjeç, me një të moshuar rreth moshës 90 vjeç, e mbanin pèr krahèsh, ishin serbë Istogas. Plaku i moshuar ishte rreth 2 metra, me mustaqe të mëdha dhe mbante shajkaçen në kokë. Gjëmonte me të madhe, ju drejtu shqip Dr.Enverit "ma bën qaren Doktor, se marova krejt" (ishin kojshi me shtëpi). Daja ju drejtua rrept e troç "Po kujton që do vdesësh aq lehtë (i thirri në emër, nuk më kujtohet si), a e din sa shqiptarin e keni mbytë me dru e plumb në kullën e Popit dhe në Lluga të xhamisë, sa nënën e keni lënë pa djalë e motrën pa vëlla"

Të dy djemt nuk folnin fare, çetniku i tha "ashtu asht kanë vakti at'herè Enver" mezi folte.

Daja Enver ju drejtua prap, tani serbisht "T'i ke qenë kryesori te dera e kullës së Popit, unë të kontrolloi se jam mjek, ne nuk jemi si ju, por dije se nuk kemi harruar. Gjithë ata pacienta që po presin te dera, shqiptar janë, ta lëshuan radhën, se ne kemi respekt e kulturè.

Unë dola, ata mbeten ende aty, duke i dhënë motra infuzionin çetnikut plak!

Kur shkova në shtëpi i tregova nënës krejt ngjarjen që përjetova. Ajo u shqetësua pa masë dhe tha "Qe besa po ma mytkan Enverin, po ai qen asht filan çetniku (nuk më kujtohet si i tha emrin), duhet djali jem, shpejt të më qoni në Istog.

Vëllai Shabani, na dërgoi me veturë në Istog, Nëna menjëherë u takua me Enverin, djalin e vëllait, duke i thënë "ruaju vëllau jem, ai asht kanë çetniku ma i madh në Istog", daja qeshi pak dhe i tha "oj hallë, e di, po duhet atij çetniku t'i tregoi dikush që nuk kemi harruar, është marre për Istogun me i pritë ai 90 vjet! Të kish qenë Sali Shatri këndej, ndoshta nuk kisha pasë rastin unë fare ta kontrolloja (qeshi prap dhe e përqafoi Nënën). Nëna u shqetësua shumë dhe prap i tha, ruaju vëllau jem, shkijet nuk harrojn.

Dr. Enveri, edhe në mbledhjet e LDK-së në atë kohë, ishte i dalluar nga të gjithë për qëndrimet e tij Atdhetare. Ai shoqërohej shpesh me vëllain e Sali Shatrit, Isain, e admironte shumë Saliun i cili kishte jetuar në Shqipëri edhe pse kishte pesë vite që nuk jetonte. Kishte respekt të veçantë edhe për Prof.Dr.Muhamet Shatri, ku më vonë me 28 mars, kishin pasë fatin e keq, të dy të takoheshin në burgun famëkeq të Leskovcit dhe t'i përjetonin torturat ma të tmerrshme.

Gjithashtu, kishte lidhje miqësore me babain e Dr.Xhelal Shatrit, mjekut që kishte vdekur aksidentalisht në moshën 26 vjeç, ai kurrë nuk e harroi kolegun dhe mikun e tij dhe përkujdesin për familjen e tij, u shkonte shpesh dhe i priste shpesh në vizitë.

Dr.Enveri, ishte shumë autoritativ dhe i vendosur, profesionalisht shumë i pregatitur. Mbaj mend, kur e hapi kliniken e tij të parë në Istog, spitali shtetëror i Istogut vuante nga mungesa e pacientëve, të gjithë pacientët shkonin te Dr. Enveri.

Duke i përcjell të gjitha këto vyrtyte të rralla Atdhetare dhe profesionale, UDB-ja e kishte vu në shenjestër dhe pikërisht mëngjesin e datës, 28 Mars 1989, forca të mëdha policore, serb e shipeca, kishin bastisur shtëpinë e tij dhe kishin arrestuar Doktorin, bashk me shumë intelektual anembanë Kosovës.

Sa për episodin e tmerrshëm të izolimit në burgun e Leskovcit, nuk po ju shkruaj, ato shkrime janë të botuara edhe nga vetë Dr.Enveri, dhe përsonazhë tjerë të izolimit famëkeq fashist.

(Shkrimi i Dr.Enverit "Rrëfimet nga tunelet e tmerrit - 12 ditë në burgun e Leskovcit").

Duhet theksuar se Dr.Enveri ishte shok i pandarë i Dr.Ibrahim Rugovës dhe familja Sadikaj kishin edhe lidhje miqësore me familjen Rugova.

Si përfundim:

Subjektet Komunale në Istog i kanë shumë borxh Dr.Enverit, tash e sa vjet ai ka mbetë figurë e heshtur dhe e harruar, duhet patjetër që së paku Spitali i Istogut ta mbajë emrin e tij, do ishte nderë e respekt për krejt Istogun dhe bombë për "Lugun e Shkijeve"

Ky burrë i madh Istogas, nuk ishte vetëm mjek, ai ishte ENVER me të gjitha tiparet, si nga: dukja, qëndrimi, guximi, aftësia dhe mbi të gjitha Atdhedashuria.

Në kuvend dhe në oda, kur folte Dr.Enveri, vuloste me argument, fjalimin e tij!

I qoftë i lehtë Dheu i Atdheut që e deshti aq shumë. Shpirti i tij i mirë, do rrezatoi dritë Atdhedashurie për brezat!

Lavdi përjetësore, daja ENVER!

Prishtinë, 30 shtator, 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat