Nënshkruesi i Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, i tha: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”. Sapo festuam 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku pranë figurës së plakut të urtë të Vlorës heroike, Ismail Qemali, kemi edhe portretin e heroit të kombit, Isa Boletini, i cili ishte një ndër besnikët e Ismail Qemalit.
Isa Boletini në ditën e Pavarësisë hyri triumfator në qyetin e Vlorës bashkë me 400 trimat e tij të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur se Ismail Qemalin e mbronte Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër Pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin Plakun e Vlorës. Isa Boletini nuk dorëzohej e nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare fitoi të drejtën të quhej “Bacë”, titull që nuk fitohej lehtë ato kohë.
Më 15 janar të vitit 1864, erdhi në jetë heroi i kombit tonë Isa Boletini, po në këtë muaj më 23 janar 1916, plumbat e armikut i morën edhe jetën. Lindi në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës. Isa është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë e çdo momenti historik për shqiptarët. Prindërit e tij ishin patriotët e njohur të Kosovës martire Ajshe dhe Adem Boletini. Historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit është historia e një patrioti legjendar që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar.
Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i tij dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar. Isa Boletini, ky bir i thjeshtë e i dashur i popullit të Mitrovicës heroike, i pasur, por i varfër deri në vdekje, pasi gjithë pasurinë e vuri në shërbim të vatanit e luftës për paqe e liri. Pa dashur të përfitojë tituj e ofiqe nga veziri i Turqisë kthehet pranë kullës, familjes e njerëzve të tij për të vazhduar amanetin e të parëve të tij, të atit Ademit e vëllait të madh Ahmetit, të cilët u vranë që tokat shqiptare të jenë të lira e të pauzurpuara nga turqit, shkjau dhe pushtuesit e tjerë.
Vrasja e vëllait të madh Ahmetit në vitin 1894 e tronditi shumë Isën. Atë kohë ishte tepër i ri, vëllanë e madh Ahmetin e donte dhe e dëgjonte shumë. Pas vdekjes së të atit, Ademit në vitin 1875, Ahmetin e kishte në këmbë të tij, e fjala e tij përbënte ligj për të. Por sigurisht, edhe Ahmeti e donte dhe e çmonte shumë vëllanë e tij më të vogël Isën, e mbante afër në odën e burrave e nëpër beteja kundër armikut. Edhe Ahmeti njihej si patriot i madh, i zgjuar, strateg në luftë kundër turqve e serbo-malazezëve që përpiqeshin me çdo kusht të zaptonin tokat shqiptare, prandaj edhe armiku e kishte vënë në shënjestër për t’a vrarë. Hajrie dhe Tafil Boletini që jetuan në Tiranë ishin fëmijët e Ahmetit.
Isa i doli ballë familjes së vëllait të vrarë, megjithëse tepër i ri në moshë, fëmijët e vegjël të Ahmetit pa dallim i njohu si bijtë e tij, i edukoi nën frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë në kullën e Boletinëve, në Mitrovicë. Tafili pasi kreu studimet e larta në Turqi u thye në atdhe. Isa nuk e ndante për asnjë çast Tafilin nga vetja, e kishte krahun e djathtë të tij. Edhe në rrugëtimin e madh historik për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 e kishte pranë. Por, edhe në fundin tragjik të vrasjes së tij, djemve Halilit dhe Zaidit, që ishte student në Vjenë, nipave (djemtë e Ahmetit – Haliti dhe Jonuzi) Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi, në urën e Ribnicës në Podgoricë, më 24 janar 1916, Tafili ishte pranë tij. Rasti solli të ishte gjallë e dëshmimtar okular i asaj tradhtie fronko-malazeze-serbe që tronditi botën.
Tafil Boletini ishte daja i babait tim, deri në ditën kur humbi jetën aksidentalisht në Tiranë, vinte shpesh në familjen tonë. Jetonte tek e bija Shemsija e familja e saj, na la pas dhimbje të madhe. I pëlqente dhe e tërhiqte biseda me tim atë, si dy intelektualë të mirëfilltë e si prindi me të birin flisnin qetë, shtruar për hallet e jetës, familjes duke përmendur edhe ngjarje, data, kujtonin gjysh Ademin, guximin e Nënë Ajshes, Ahmetin, Isën e plot trima të asaj familje e luftëtarëve të tjerë që shkrinë çdo gjë për Kosovën e popullin shqiptar. Isha fëmijë, por shpesh qëndroja pranë tyre e dëgjoja me vëmendje, se si ishte ndërtuar historia e familjes sonë. E kisha xhan dajë Tafilin, vëreja që edhe ai më donte shumë. E dija ditën kur vinte te ne e me padurim prisja të dëgjoja prej tij ngjarje dhe histori të rralla.
Prof. Rabije Rrahmani që jeton në Angli, mbesë e Isa Boletinit, vajza e Shehides, bijës së Isa Boletinit thotë mes të tjerave se, Isa qëndronte me vite larg familjes, larg kullës nëpër luftime e fëmijët e tij ndjenin shumë mall për të. Në një rast kur ai u kthye në kullë, vajza e tij Ajetja, thërriti motrat e saj: “Motra, shikoni kush ka ardhë, shikoni kush ka ardhë”. Por, armiku nuk la që Isa Boletini të gëzonte me praninë e tij familjen, vatanin dhe lirinë e tokave shqiptare. I morën jetën në moshën më të mirë, kur familja e kombi kishin shumë mall e nevojë për Atë.
Në lidhje me vrasjen e Isa Boletinit flet edhe mbesa e Isa Boletinit Ariana Hoxha, e bija e Bahries, vajzës së Shehides që jeton në Gjakovë.
“Më pat tregu nëna Shehide (Ana siç e quanim ne (vajza e Isës, gjyshja e Arianës) se nëna Ajshe ka qenë gjallë dhe ka hap derën për ngushëllime se ju pat ardhë lajmi, se u vra Isa me djemtë e trimat e tij. Isa ka pas me ardhë në Mitrovicë se ka pas me martu njërin prej djemve të tij.
Dhe të nesërmen në mëngjes në qendër të Mitrovicës, aty ku ka pas Isa kullën, ishin grumbulluar disa gra serbe të veshura me të zeza duke kënduar e vallëzuar që është vra Isa me djem. Nëna Ajshe në atë kohë ngrihet dhe gjuan në ajër me koburen që e mbante gjithmonë në brez dhe ato nga frika largohen të shpartalluara. Nevrikoset nana Ajshe tregon Ariana dhe u thotë nuseve dhe bijave: Qysh dje dhe sot dera për të pame ka me qëndru e hapun. Keni me u çu e më bë gati për dasëm dhe tre ditë dasma ka me zgjat. Me i tregu Serbisë që kemi ende djem me u martu e kurrë mos me u faru Boletint. Urdhri i Ajshes ishte i prerë. Dhe ishte bërë dasmë e madhe saqë militiku është dridh në kalldrëm prej tupanave e i kish hap dyert që krejt Mitrovica e krushqit me ardhë e me hangër në dasmë.
Ariana flet edhe për anën humane të Isa Boletinit në ndihmë të popullit të tij të varfër.
Isa, bashkë me djem dhe me bashkëluftëtarët mbërrijnë në Gjakovë dhe vendosen në një han-bujtinë dhe i thotë zotit të hanit: Na i lidh kuajt dhe qitju të ushqehen e të pushojnë se duhet të nisemi herët në mëngjes për Shqipëri. Edhe të gjithëve q’ka ke na shtro të hamë darkë se jemi të lodhur.
I zoti i hanit i thotë:
– Isa Beg e kemi Gjakovën me rrethin duke vdek nga uria, nuk kemi qe disa muaj as grurë e as misër.
– Nuk di qysh po mbijeton ky popull?!
– Kam veq pak kaqamak se diqka tjeter nuk kemi.
Isa nervozohet më të zotin e hanit. Pse nuk keni ardh në Mitrovicë me tregu gjendjen që gjindeni? Për kon po luftoj, për kon po kontriboj për popullin tim e për vendin tim. Mirë qiti qato q’ka ka so problem.
Thërret dy djem e disa bashkëluftëtarë dhe iu jep detyrë që net pushojnë edhe herët mëngjes keni me shku në Mitrovicë me marrë qeset me napolona edhe ku ka hangare e depo ushqimi nëpër Kosovë me ble. Mos boni pazare, po bleni gjdo gjë që nevojitet, grun misër vaj, kripë, sheqer, pasul dhe ngarkoni kerret me kuaj edhe vini në Gjakovë e ia shpërndani popullit. E mos të ndëgjoj më që populli im i Gjakovës të mbetet pa bylmet.
Kështu që misionin djemtë e kryen me sukses edhe amaneti Isës o shku në vend”, thotë Ariana.
Ndërsa prof. Fetah Bahriti, i cili në studimin e fundit të tij, “Rrëfimi i padëgjuar për Isa Boletinin në Vlorë”, flet për rolin e Isa Boletinit në ditën shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Bashkë më Ismail Qemalin, shkruan ai, e me patriotë të tjerë shqiptarë, dallohet edhe figura e shquar dhe legjendare e Isa Boletinit. Pjesë nga libri i prof. Fetah Bahritit.
“Në ditën kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë unë i kam pasur 18 vjet. Atë ditë dhe atë ngjarje e mbaj mend si sot. Po më duket se po e shoh me sy edhe tani… Ismail Qemali me shokë e shpallën pavarësinë, e shpallën Shqipërinë shtet. E shihni këtë bulevard këndej?… Këtu ka qenë përrua, andej përtej kanë qenë arat. Ja aty!… Aty kishte gardhiqe me hunj të thjeshtë me të cilat ishin të ndara arat e parcelat…Këtu ishin tubuar shumë njerëz me nga gjysmë opinge, me nga një gjysmë kësule, me këmisha të gjata e të shqyera, lloj-lloj njerëzish, lloj-lloj veshjesh! Këndej u shpall shteti i shqiptarëve, e këta këndej, kundërshtonin! Çfarë Shqipërie more! Kjo është Turqi! Kjo është Greqi!… Nuk duam shtet çfarë e doni ju! Nuk dihej se çka po ndodhte dhe nuk kuptohej se ku e si do të dukej fundi i gjithë kësaj.
Po më duket se po e shoh Isain! Mbërrijti, i lumi, nja dy-tri orë pasi që u shpall shteti! Zbriti nga kali. Ja këtu, mu këtu… S`e kam pasur as pesë metra larg. Me të ishte edhe një kolonë kalorësish kosovarë. Secili më i pashëm se tjetri! Secili më kreshnik se tjetri! Se cili më i zoti se tjetri! Isai vetë, dy metra mashkull! Ismail Qemali me shokë e pritën si është më së miri. Të gjithë e përqafuan Isain, edhe kosovarët e tjerë që ishin me të.
Ata që ishin grumbulluar këndej e që kundërshtonin nuk i ndalnin brohoritjet dhe kundërshtimet. E kam dëgjuar me veshtë mi Isa Boletinin kur e pyeti Ismail Qemalin: ‘Po çka janë këta? Çka po donë këta, more?…’. Ismail Qemali dhe tre-katër delegatë të tjerë që ndodheshin më afër tij i folën Isait me zë të ulët, gjë që unë nuk munda të dëgjoja se çka i thanë. Por e kam dëgjuar Isain kur me pak fjalë u është drejtuar kosovarëve që e shoqëronin: ‘Burra! Rahatoni këta këndej, veç mos i dëmtoni’. Kjo ‘mos i dëmtoni’ më vonë u pa se kishte domethënien ‘mos i vritni’. Kosovarët filluan zbatimin e urdhrit
Sa çel e mbyll sytë kosovarët i shkulën të gjithë hunjtë dhe me ta filluan t’i rrahin të gjithë ata që ndodheshin afër e që kundërshtonin themelimin e shtetit të shqiptarëve. E tërë turma kundërshtare u shpërnda rrufeshëm dhe shteti ynë vazhdoi të jetojë e të funksionojë”.
Dijeni se Isa Boletini me kosovarët e tij atë ditë e shpëtoi Shqipërinë dhe shtetin tonë.
“E ju, paçi faqen e bardhë dhe paçi fat! Edhe sot ne këtu ymydin e kemi te Kosova dhe te kosovarët”, përfundoi rrëfimin e tij plaku i Vlorës.
Mbi figurën historike të Isa Boletinit edhe “Klan Kosova” ka rikthyer pjesë nga libri i prof. Fetah Bahritit. Në një rrëfim të nipit të Isa Boletinit – Armend Murati, i biri i Remzi Muratit, nana e të cilit ishte Shehidja e bija e Isa Boletinit, e që Remziu ishte i vetmi nip nga familja Boletini që solli eshtrat e Isës, në kohë tepër të vështira para luftës në Kosovë, së bashku me Muhamet Shukriun. Sot, djali i tij Armendi, i cili ka në duar origjinalin e gazetës “Përparimi” botuar në vitin 1916 në New York, është shkruar rreth mbërritjes së Isa Boletinit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Bazuar edhe tek ky dokument, është fakt thotë ai që, Isa Boletini siguroi mosdështimin e krijimit të shtetit shqiptar më 28 nëntor. Po kush tjetër përveç Isa Boletinit me ushtarët e tij do të siguronte shtetësinë e Shqipërisë edhe pse ishte i sëmurë rëndë me malarje. Xhonturqit e kundërshtuan ngritjen e Flamurit, pra sipas fakteve të njohura ishte Isa Boletini, i cili mposhti kundërshtarët dhe siguroi Vlorën në kohën pas shpalljes së pavarësisë. Ngase u krijua një vakuum politik vijon Armendi, por Isa bëri që ngritja e Flamurit të mos dështoj. Ky thotë Armendi është ndoshta një nga kontributet kryesore të Isa Boletinit. Në fakt, policia e parë shtetërore e Shqipërisë ishte pikërisht e përbërë nga ushtarët e Isa Boletinit.
Një guxim madhor e historik e shtyu trimin e Kosovës martire që të ndërrmerte udhëtimin kalorsiak drejt firmosjes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Pavarësisht rreziqeve të rrugës, dimrit të egër e armikut të pabesë, shoqëruar nga djemtë e nipat e tij dhe me mbi 400 luftëtarët e lirisë, që nuk e lanë vetëm, por sëbashku u nisën drejt Vlorës heroike të Isamil Qemalit. Dhe ashtu me nderim të thellë e dashamirësi u prit Isa Boletini nga plaku i urtë i popullit të Vlorës, ku u ul në gjunj me respekt para flamurit të kuq me shkabën dykrenare.
Bacë Isa si një figurë embelemë historike me kapacitete botërore është bërë i njohur përveç të tjerave edhe për ngjarjen në Londër. 1913, kohën kur Delegacioni Shqiptar do të takonte ministrin e Jashtëm të Mbretërisë, Eduard Grejin. Në hyrje roja i kërkoi me xhentilesë të dorëzonte revolverin. Isa u bind e ia dha pa fjalë. Pasi përfunduan bisedimet, ministri Anglez Greji i tha me shaka: “Nesër gazetat do të shkruajnë se, atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër”. Por, përgjigja e Isa Boletinit ishte e menjëhershme: “Jo besa Lord, as në Londër jo”. Dhe nxorri një tjetër revolver që e mbante fshehur në brezin e mesit.
Shumë ngjarje, sakrifica e mundime do të kapërcente Isa me trimat e tij në kohë e periudha të ndryshme. Stoik e vital del portreti i tij fisnik para çdokujt qofshin edhe njerëz të pushtetshëm botëror të kohës. Kam parë disa video të hedhura dhe artikuj sporadikë kundrejt Heroit Isa Boletini, por këta individë më shumë e lartësojn? Figurën e Tij, që si uragan i fuqishëm buron çdo ditë nga shpirti i shqiptarëve, e nuk e ndal dot më askush. Mos të harrojmë Ballistin që ngriti flamurin “Autochthonous” në mes të stadiumit të Beogradit, me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Këngëtaren e njohur Fifi, e cila gjatë performancës së saj në “Dancing with the stars” nxori nga xhamadani i saj i bukur Flamurin “Autochthonous”. Edhe Federata Botërore e Tenisit uroi Ditën e Pavarësisë po me këtë Flamur.
Shkrimtarja angleze Edith Durham në vitin 1912 ka thënë: “Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar, dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare”. Ndërsa në prill të vitit 1913, shkrimtari dhe dipllomati Aubrey Herbert e quajti Isa Boletinin Robin Hudi shqiptar, ku në atë Konferencë, Isa Boletini deklaroi se: “Nëse Europa nuk do të zgjidhë drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju, e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”.
Me interesimin e patrotit dhe veprimtarit të njohur në New York, Esad Rizai, u dekorua me proklamatë nderi nga ish-presidenti i Bashkisë në Bornx, Heroi i Popullit Isa Boletini. Për figurën e tij kanë shkruar shkrimtarë të huaj, si dhe gazetarja amerikane Bertha Spencer. Shtypi amerikan i kohës ka shkruar artikullin me titull: “Isa Boletini, heroi që duhet të njihni”. Për legjendën Isa Boletini kujtime dhe shënime nga më të famshmet ka lenë edhe diplomai anglez, Aubrey Herbert.