Gani Jahja – virtuoz i dëbuar

Dokumentare

Gani Jahja – virtuoz i dëbuar

Nga: Ismail ARSLLANI Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Një ditë shkurti të vitit 1960, në mes dimri, me zemra akull e të thyer të tetovarëve, u nis për emigrim, me urdhër të UDB-së për deportim nga Stacioni i trenit në Tetovë, që u bë me një përcjellje madhështore, profesori virtuoz i violinës, Gani Jahja, nxënës i Shkollës Normale të Elbasanit dhe student i diplomuar për trombë i Konservatorit të Romës, i cili shërbeu në qytetin rrëzë Sharrit, rresht 17 vjet, qëkur më 1943 erdhi bashkë me mësuesit e tjerë të Elbasanit dhe të Korçës, me urdhër të Ministrisë së Arsimit të Mbretërisë së Shqipërisë. Në këtë emigrim me dhunë, për një udhëtim të gjatë me tren, në një kahe të panjohur, mori me vete edhe bashkëshorten Fatimen, një vashë tetovare, e martuar me elbasanasin, si dhe djalin Agimin, 6 vjeç, të bijën Afërditën 4 vjeç dhe sugarin, Afrimin, gjashtë muajsh. Bashkë me të ishte edhe Zyhdi Kajnaku, profesor i artit figurativ në Tetovë, i cili, me familjen, po ashtu u deportua me dhunë, për në Evropë, sikundër dhe dr. Zijai, i cili, më vonë, kishte ikur në Amerikë.

PËRCJELLJA ME LOT NGA STACIONI I TRENIT

“Në ditën që u largua nga Tetova, mësuesi ynë i dashur, Gani Jahja, shumë nxënës të shkollës fillore “Liria”, bashkë me arsimtarët, dolëm në përcjellje të tij në Stacionin e trenit, për t’i uruar rrugë të mbarë... Ai, mësuesi ynë, që na mësoi të fshehurat e notave muzikore, nxori kokën nga dritarja e kupesë, ku ishte vendosur, valëviti një shami të bardhë në dorë dhe pastaj i fshiu lotët...Nisja e trenit ishte me një fishkëllimë të tmerrshme për të gjithë nxënësit që ishin në peron të stacionit, të cilët mbetën me duart e ngritura, edhe atëherë kur vagoni i fundit u tret nga pamja... Unë dhe shoqja ime e klasës së gjashtë N.B., e cila jetonte në një cep të rrugës qorre, pranë shtëpisë sime, te Çaj Bahçja dhe Ura e Gurit (Shtëpia e Gani Jahjës ishte shumë afër), ishim shumë të pezmatuar në shpirt, andaj derdhnim lot pa reshtur...Si fëmijë që ishim, morëm do shishe të vogla hapash dhe aty i derdhëm lotët, që t’i ruajmë ndër vite si kujtim për mësuesin tonë që iku diku larg, pa dëshirën e tij...!”, kujtohet sot nxënësja e tij, me inicialet R.A.

Kush ishte Gani Jahja? Ai lindi po atë vit (1912), në të cilin, disa muaj më vonë u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë dhe u ngrit flamuri i Skënderbeut. Nisur nga talenti që kishte në shpirt për muzikën, pas kryerjes së shkollës së mesme, u nis për studime në Konservatorin e Romës. Në kryeqendrën e Italisë, Gani Jahja shoqërohet me shumë studentë, talente të reja të muzikës, duke u kyçur në disa banda muzikore, në fillim italiane, pastaj edhe në ato të përziera shqiptare-italiane, ku ekzekutojnë për publik vepra të njohura klasike, por edhe të repertorit zbavitës. Pas studimeve, si i specializuar për trombë, kthehet në Shqipëri, ku, pos punës pedagogjike nëpër disa shkolla, ishte aktiv edhe në orkestrat më të njohura të vendit. Si instrumentist i merituar, do të ftohet në kuadër të Orkestrës Mbretërore të luajë në trombë gjatë martesës së Ahmet Zogut, me Geraldinën.

Nga fundi i vitit 1943, organizata “BESA” në Tetovë kishte mbajtur një mbledhje, ku ishte vendosur të formohet një orkestër me instrumente frymore, që duhej të drejtohej nga Gani Jahja, një mësues i ardhur nga Elbasani. Ai angazhohet që të shkojë në Tiranë, me paratë e organizatës, për të blerë 20 lloj instrumentesh frymore, të cilat ishin të nevojshme për orkestrën. Ganiu e kryen me sukses këtë detyrim. Të rinjtë tetovarë paraqiteshin vullnetarisht për këtë orkestër frymore. Në këtë orkestër morën pjesë të rinj të talentuar, si: Xhelo Karaxhenemi, Zekush Karaxhenemi, Mustafa Ramanxhiku, Abdulla Llaballapi, Nazim Sulejmani, Hysein Hyseini, Sami Ademi, Bajram Selimi, Sheref Kazazi, Hysni Zejnushi, Nazmi Patpati, Sëri Haxhi Xhemili, Xhabir Toska dhe Mustafa Kokarçe, ndërsa dirigjent ishte, kuptohet, Gani Jahja. Orkestra brenda dy-tre muajve u aftësua për ekzekutim të kompozimeve të ndryshme muzikore, ku angazhimi dhe mundi i dirigjentit Gani Jahja, për ngritjen profesionale të kësaj orkestre, vërtet ishte i madh.

Në vitin 1944, Gani Jahja bëhet tepër i njohur dhe i admiruar nga tetovarët, duke ekzekutuar në kuadër të orkestrës frymore këngën patriotike “Për Mëmëdhenë”. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lidh bashkëpunim me disa të rinj tetovarë, si Qemal Hajrullahun, Abdyrahman Tresin e të tjerë, kështu që në vitin 1949, në shoqërinë sapo të themeluar kulturore-artistike shqiptare “Xheladin Zeqiri” tubojnë njerëz me prirje muzikore dhe organizojnë aktivitete të ndryshme, për të marrë pjesë me koncerte në manifestime të shumta në trojet shqiptare. Mbeti mësimdhënës i muzikës në disa shkolla fillore e të mesme jo vetëm në Tetovë, por edhe në Shkup e Gostivar. Kompozimi “Vallja nr. 2” ka fituar çmimin e parë në Kosovë. Nxënësit e tij më të shquar kanë qenë Jahja Sapunxhiu dhe Mithat Saidi, si trumbetistë. Në vitet e pesëdhjeta, në kuadër të SHKASH “Xheladin Zeqiri”, Gani Jahja përgatiti dhe shfaqi komedinë “Malësori në Paris”, që u prit mjaft mirë nga tetovarët.

VEPRIMTARIA KULTURORE DHE PATRIOTIKE E GANI JAHJËS

Në fillim të vitit 1952, Gai Jahja martohet me Fatime Palloshin, një vajzë nga familja e madhe dhe e njohur tetovare. Pas tetë vjetësh në martesë, pikërisht në vitin 1960, Gani Jahja, bashkë me disa mësues të tjerë nga Shqipëria, të cilët mbetën në Tetovë me punë të mësuesisë nga vitet e ’40-ta, ishin ndjekur, denigruar dhe survejuar nga UDB-a famëkeqe, për t’i detyruar që të braktisin këtë vend dhe të kërkojnë azil në vendet e Evropës.

Sipas fjalëve të djalit të tij, Agim Jahja, i cili, bashkë me të vëllanë, Afrim Jahjën, vizituan gjatë verës së vitit 2023, qytetin e lindjes, Tetovën, ku babai i tyre Gani Jahja, pas shumë vjet pune në arsim, u poshtërua dhe u denigrua së keqi nga pushtetarët e atëhershëm, të cilët i dhënë ultimatum që të largohej nga Tetova, nëse nuk e merrte nënshtetësinë e Jugosllavisë së atëhershme. Për ta përshpejtuar largimin e tij, Gani Jahjën e shkarkuan nga puna në arsim dhe i dhanë një netull për t’i pastruar rrugët e qytetit. Ky ishte kulmi i presionit dhe i poshtërimit, që babai përfundimisht të vendosë të largohet nga Tetova. Një kohë, familja mbeti pa të ardhura, andaj babai u detyrua që ta shiste trombin, në të cilin ishte specializuar në Romë, si dhe radion dhe aparatin e telefonit..., i kujtohen me pezëm Agim Jahjës, këto momente të vështira të jetës.

Gani Jahja, bashkë me familjen, si dhe shokë e kolegë të tjerë, me ultimatum u deportuan për në Kroaci, ku në Kampin e Refugjatëve politikë në Gerovë, në kushte mizore, bashkë me fëmijët e vegjël, kaluan 22 muaj. Meqë Gani Jahja njihte mirë anglishten dhe italishten, aty, në kushte të kampit, mbante kurse të ndryshme me refugjatët. Kushtet ishin tepër të këqija. Në një hapësirë të ngushtë ishin sistemuar 12 familje, të cilat mes tyre ishin ndarë vetëm me një perde. Nga Komisariati i lartë për refugjatë, me seli në Zvicër, kishte ardhur znj. Finaux, përgjegjëse e këtij komisariati në Gjenevë, dhe kshte marrë shënime për familjet, për t’i përgatitur listat e transferimit në vendet evropiane. Gani Jahja e zgjodhi Belgjikën. Më 17 dhjetor të vitit 1961, rreth 430 persona të këtij kampi famëkeq udhëtuan për në Itali, Francë, Belgjikë, Gjermani, Suedi, SHBA e vende të tjera, ku fituan statusin e azilit politik.

Nga fundi i vitit 1961, pas qëndrimit gati dy vjet në kampin e refugjatëve në Kroaci, familja e Gani Jahjës arrin në Bruksel, ku fillojnë jetën nga e para. Aty i priti emigranti i mëhershëm, Adem Tafani. Në këtë qytet ishte vendosur me familjen e tij, si emigrant i deportuar, edhe profesori i artit, Zyhdi Kajnaku, i cili, po ashtu, ishte mësimdhënës i artit figurativ në Tetovë, mik i moçëm i Gani Jahjës.

Gani Jahja në Bruksel filloi të punojë si mirëmbajtës i veglave muzikore, si akordues i pianove të firmës “Hamlet” dhe si pedagog i kurseve private për të rinj. Për të siguruar ekzistencën, formojnë Grupin e instrumentistëve dhe shkojnë t’i zbavitin shqiptarët nëpër dasma që i bënin në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë. Madje, i biri, Afrim Jahja, ende po vazhdon me atë veprimtari në fushën e muzikës. Më vonë, Gani Jahjës i gjetën punë në fabrikën e çokollatave “Victoria”, ndërsa bashkëshortes së tij, Fatimes, një punë në një firmë medikamentesh.

Shqiptarët e Brukselit ishin përqendruar kryesisht në komunën Scarbek (ku jetonte edhe familja e Gani Jahjës, në rrugën “Robijano” 44). Aty pushteti lokal, në vitin 1968, u kishte falur një troje, për të ngritur përmendoren e Skënderbeut. Gjatë shënimit solemn të ngritjes së përmendores, kishte marrë pjesë edhe orkestra e RTV të Belgjikës, të cilën e kishte dirigjuar Gani Jahja. Ai dhe Zyhdi Kajnaku, së bashku me të shoqen e tij, Afijete Hoxha, hapën në vitin 1970 shkollën e parë shqipe dhe ajo u bë çerdhe e aktiviteteve të shumta kulturore e muzikore. Gani Jahja e kishte shkruar partiturën e orkestrës /edhe në shqip/ për shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që pasoi me himnin belg.

Në atë kohë, sipas fjalëve të djalit, Afrim Jahja, në Belgjikë funksiononin dy organizata humanitare: “Ndihma sociale” dhe “Caritas Catholica”. Ata që ishin përfshirë në ndihmat sociale, fëmijët i çonin në shkolla komunale, ndërsa të tjerët në shkolla katolike. Ajo organizatë u kishte siguruar apartamentin e banimit, me mobilie. Ndihma me pagesë kishte zgjatur vetëm dy muaj, pastaj secilit të aftë i kishin gjetur punë.

Gjashtë vjet pas depërtimit, Gani Jahja viziton Tetovën, në vitin 1967, ndërsa bashkëshortja Fatimja, katër vjet më herët, në vitin 1963. Fëmijët e Gani Jahjës, Agimi, Afërdita dhe Afrimi, vijnë e vizitojnë farefisin e nënës në Tetovë, edhe disa herë të tjera, së fundmi në verën e vitit 2023.

Pas 12 vjet pune në Belgjikë, Gani Jahja del në pension. Gjatë jetës, ai është marrë edhe me krijimtari letrare-muzikore, sidomos nga viti 1943 e deri më 1996, kur humb shëndetin dhe ndërpret punën krijuese. Pas një sëmundjeje të rëndë, Gani Jahja ndërron jetë më 26 janar 1997, në moshën 85 vjeç, në mesin familjar. Po atë vit, ndërrojnë jetë edhe emigrantët, miq të Gani Jahjës, Zyhdi Kajnaku dhe Abdulla Kërliu nga Dibra.

Të bijtë e Gani Jahjës: Agimi, i cili është martuar me belgen, Chantal, ka vajzën Sabrina (1983) dhe djalin, Andi (1993), ka punuar në Parlamentin Evropian në Bruksel, si përgjegjës për zërimin e seancave dhe organizimin e video-konferencave, bashkë me të vëllanë, Afrim Jahjën. Motra e tyre, Afërdita, ka punuar si sekretare e Partisë Socialiste në Parlamentin Evropian. Agimi dhe Afërdita, tashmë kanë dalë në pension.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat