Këtë ditë ishte caktuar një Mbledhje nga Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Llapit. Ne, përveç që ishim të ftuar zyrtarisht (me shkrim) ishim të urdhëruar të informonim edhe të tjerët brenda Aktivit dhe Nëndegës sonë, ku ishin të ftuar tri Aktivet e Nëndegës sonë, natyrisht – të Aktivit të parë, të dytë dhe të tretë të qytetit, sepse aktivet e fshatrave Obrançë dhe Peran ishin të përfshira në luftë dhe këto fshatra ishin të zbrazura nga banorët e tyre shqiptarë, për çka nuk kishte më se kush të ftohej e as se kush të merrte pjesë në mbledhje. Ku do që vendosej UÇK-ja, ai vendbanim duhej të zbrazej nga banorët, sepse ai/ato vende, sulmoheshin, mitraloheshin e bombardoheshin nga ushtria serbe pamëshirshëm, dhe kështu, ajo duhej largohej me kohë, që të shpëtonte nga armiku. Përveç këtyre dy fshatrave, ishin larguar edhe gjysma e popullatës së Aktivit të Parë, ajo pjesa që ishte atje afër Tabeve të Llapashticës.
Në këtë Mbledhje ishte tubuar një masë bukur e madhe, sepse të gjithë ishim të interesuar për ngjarjet që po ndodhnin, e ne po mendonim se aty përveç ndonjë detyre që do duhej të merrnim, edhe do të informohemi rreth ngjarjeve.
U përpoqëm të mbanim mbledhjen në njërën nga klasat që dukej të ishte më e madhja, por ishte e kotë, se nuk po i zinte, pse interesimi për mbledhje ishte i madh. Deri sa këtu nuk po i zinte edhe vetëm në këmbë po të rrinin e ishte shumë ngushtë dhe zagushi, ani pse jashtë ishte acar e ftohtë, si në muajin janar, u detyruam të zhvendoseshim nga këtu dhe të shkojmë në bodrumin e shkollës, i cili, gjithsesi, ishte nja dy herë më i madh se klasa. Edhe këtu ishte ngusht, por po bënte disi.
Të pranishëm nga ZOLL-i ishin: Komandant “Rmi” Rrustem Mustafa, “Leka” Nuredin Ibishi, “Profi” – Arif Muçolli, mandej komandanti i Mbrojtjes Civile për trevën e Llapit, z. Muhamet Latifi nga Pollata, zëvendëskomandanti i Mbrojtjes Civile për Llap, z. Shefki Sejdiu dhe eprorë të tjerë.
Rendi i ditës ishte:
Zgjedhja e Mbrojtjes Civile për Nëndegën eDytë të qytetit të Podujevës, dhe
Të ndryshme.
Nën pikën e parë të rendit të ditës, Komandanti i Mbrojtjes Civile për Nëndegë u zgjodh z. Fehmi Miftari, me plot merita sepse ka treguar me punën e tij se i del manesh dhe ishte trim. Për zëvendëskomandantë të tij u zgjodhëm unë, Gani Mehmeti për Aktivin e Dytë, ndërsa Ahmet Ahmeti u zgjodh për Aktivin e Parë dhe Ismail Mehmeti, i cili ishte edhe i uniformuar dhe i angazhuar në UÇK.
Kjo nuk ishte ndonjë shpërblim, ishte një përgjegjësi e madhe për ne të zgjedhurit, sa do që ne nuk kishim ndenjur asnjëherë dhe kishim treguar aktivitetin tonë edhe deri atëherë në të gjitha punët dhe drejtimet për çlirim nga okupatori. Me këto detyura duhej ta ndihmonim popullatën në këto aktive e më gjërë me krejt çka ajo ka nevojë, të orientohet dhe të vendosen të zhvendosurit që vinin nga anë të ndryshme, ku vendbanimet ishin të përfshira në flakën e luftës. Duhej të dinim e të vepronim edhe kundër armikut, çka ishte puna më e madhe. Ne në asnjë mënyrë nuk guxonim të deklarohemi e të paraqitemi se kush çka jemi zgjedhur, sepse përveç rrezikut tonë që na kërcënohej nga armiku, do mbetej edhe popullata pa u informuar dha pa u ndihmuar. Ne tërë ditën ishim para hundëve të armikut, ishte një sakrificë edhe si qytetarë, edhe si mësimdhënës, edhe si aktivistë e tani edhe si ushtarakë pa uniformë. Rreziku më i madh do të na vinte nëse dikush do na lajmëronte tek ushtarët e okupatorit, sepse në bodrumin e shkollës në Obrançë ishin hiç më pak se 200 veta. Mirëpo, u pa më vonë, se këtu nuk kishte pasur njerëz të Serbisë.
Këtu u zgjodhën në bazë të kontributit që kishin dhënë deri atëherë, duke iu prirë në hapjen e istikameve si dhe aktiviteteve në përgjithësi, nisur nga Ahmet Ahmeti që ishte kryetar i Nëndegës, unë nënkryetar i Nëndegës dhe Kryetar i Aktivit tim, ndërsa Fehmi Miftari ishte kryetar i Aktivit të tretë.
Nga këtu na u dha për detyrë që ne të zgjedhim një udhëheqje të Mbrojtjes Civile për aktive e pastaj të zgjedhim edhe komisione secilin sipas profesioneve që kishin.
Në nivel të Nëndegës e zgjodhëm një komision të përbashkët më 17 janar 1999, e diel.
Pas zgjedhjes të këtij komisioni, duhej zgjedhur edhe nënkomisionet, ku duhej pasur kujdes, që secili të zgjedhej sipas profesionit mundësisht, aty ku mund ta jipte kontributin e tij më të madh, edhe pse në disa drejtime ne nuk kishim profesionistë, por ne njihnim njëri-tjetrin dhe i emëronim apo i zgjidhnim sipas prirjeve të tyre që kishin treguar deri atëherë.
Ishin zgjedhur më shumë nga aktivi i dytë, sepse është aktivi më i madh, mandej se nga aktivi i parë gati gjysma e popullatës është zhvendosur, sepse ishin në vijën e luftës, ku operonte UÇK-ja.
U zgjodhën këto komisione:
Komisionin teknik,
Komisioni për evakuim,
Komisioni për shëndetësi,
Komisioni për informim.
Puna me istikamet nuk kishte përfunduar. Ajo po vazhdonte ende edhe më me të madhe. Nuk kishte as pushim në hapjen e vendstrehimoreve për luftëtarët e lirisë, nuk u ndalën as në të ftohtit më të madh të janarit, kur acari arrinte kulmin e tij më të lartë. Madje, disa herë, morëm guximin të dalim edhe ditën në hapjen e istikameve, më shumë ditëve të diela.
Mjetet e punës rrinin në vendqëndrimet e UÇK Atje i kishim çuar me kohë dhe nuk i bartnim me vete më deri sa mbaruam me punën e tyre, sepse ishte rrezik t’i bartnim me vete.
Që të ecte puna mirë, që të punohej më shpejt dhe më mirë, duhej ndarë sa do të punonte gjatë natës.
U jam mirënjohës të gjithëve, me të cilët kam punuar, sepse nuk e kam pasur as edhe një fjalë të keqe me ta, kanë mirëkuptuar dhe nuk kishte kurrfarë ankese, nga që ishin të vetëdijshëm se për çka po dilnin dhe ishin tejet të disiplinuar si në punë, ashtu edhe rrugës kur po shkonim atje dhe kur po ktheheshim nga atje.
Në hapje të istikameve shkonim pas darke, e shpesh edhe më heret, posa niste të errësohej niseshim. Tani shkonim jo bashkë të gjithë, ndaheshim dhe bëheshim sikur ishim udhëtarë, që asësisht të mos binim në sy tek armiku.
Ne që ishim disa më të pjekur dhe më aktivë, ka pasur raste kur u kemi ndihmuar ushtarëve tanë, i kemi zëvendësuar ata në raste kur kishin pasur luftime gjatë ditës. Kemi shkuar në roje në vend të tyre, në mënyrë që ata të pushonin gjatë natës e të ishin në gjendje gatishmërie të nesërmen. Nuk e di në kam shënuar diku kur kemi qenë në roje dhe me kë, por e di se kemi qenë, madje bashkë me Maliq Muratin, Mustafë Hajdarin e ndonjë tjetër dhe kemi qëndruar në roje tërë natën prej shkollës së Obrançës e deri tek shtëpia e Bojeviqit, i cili ka qenë vrarë, me sa më duket, sepse ai ishte oficer i ushtrisë serbe.
Përveç kësaj, ne nga Nëndega e dytë e qytetit të Podujevës, kemi ndihmuar UÇK-në edhe me ushqim, veshëmbathje e gjëra tjera. Sidomos e kemi grumbulluar krejt ushqimin për ta për muajin shkurt 1999 në krye me Hazir Raçin. Aktivi i Dytë i Nëndegës, po bashkë edhe me Nëndegën e Dytë të Podujevës kemi pasur shumicën e më të shquarve edhe në UÇK edhe në LDK. Ishin Hazir Raçi, Xheladin Rekaliu, Fehmi Ismaili, Bajram Blaku, që ishin shtylla të këtyre të dyjave.
Kjo ka vazhduar deri në momentin kur qemë përzënë nga shtëpitë tona nga armiku, me rastin e bombardimeve të trupave të NATO-s për t’ia ndalur hovin serbisë në gjenocidin shqiptar nga trojet e veta.