Gjurmë të Kaçakëve Kërçovës

Dokumentare

Gjurmë të Kaçakëve Kërçovës

Nga: BAJRAM ҪELIKU – BALI Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 09:36
Autori BAJRAM ҪELIKU – BALI

Sadin Selmani, si që njihej në popull, lindi në fshatin Zajaz të Kërçovës, dhe rrjedh nga laxha e njohur ,,Koxhaj”, familje trime dhe shumë bujare. Në bisedë me gjyshin tim të ndjerë, ndëgjoja, se: Sadin Selmani, na paska qenë një trim i madh, që kurrë nuk i është trembur syri. Ishte trim mbi trima, më thoshte gjyshi im, bile edhe më trim se Kalosh Dani, të cilin Sadin Selmani e respektonte shumë, dhe gjithmonë kur ishte nevoja i bashkohej çetës së tij. Në një rast, ai i ishte kërcënuar edhe mbretit Zog të Shqipërisë, duke ia përcjellë mesazhin atij me fjalët: ,,Mos ma prek Kalosh Danin, ore mbret! Sepse, do të keshë punë me mua Sadin Selmanin. Edhe, ndëgjomë mirë mua se, përndryshe do të të hyjë për oxhaku”. Pasi dëgjova këto fjalë nga goja e gjyshit, e pyeta : ,,Po, si është e mundur ore gjysh, që Sadin Selmani të futet për oxhaku e të vrasi mbretin? Po, ore nip, thonë se, kur bëhet fjalë për kësi trimi, e mundur është, trimat e vërtetë mund të hyjnë edhe për oxhaku ta bëjnë edhe këte vepër patriotike. Këtë e ka bërë në të kaluarën edhe gjyshi im Emin Xhambazi Kërçova (Ҫeliku) me shokun e tij nga Reka e Epërme, Halil Rekën, duke hyrë për oxhaku të shtëpisë, e duke ia prerë kokën një vojvode nga fshati Rimnicë. Kësi burri, më rrëfente gjyshi ka qenë edhe Sadin Selmani i Koxhajve të Zajazit.

Në vazhdim, gjyshi më rrëfente edhe për kohën kur ka vepruar ky trim, e në fillim: se, cila ishte arsyeja që doli si kaçak maleve. Trimi i Zajazit, më thoshte gjyshi e urrente turkun. E, për këte arsye, nuk deshte të paguaj as tagrat që duhej dhënë turkut. Dhe, kur turku iu kërcënua se do ta burgoste, ai mori malin dhe u bë Kaçak mali. Shpesh pa problem nga Zajazi kalonte në malet e Brodit, ku atje strehohej te një shpellë e malit Qelvjollcë, në afërsi të së cilës kishte një burim uji të kulluar shumë i pastër, ku trimi edhe rruante mjekrrën e tijë. Buri, na paska qenë rrëfente gjyshi sikur me u pa në pasqyrë. Shpesh herë më rrëfente gjyshi, trimi na paska kaluar edhe në territorin me pyje të Manastirit, ku ngjatë kohës, kur gjyshi ushtronte detyrën e policit në fshatin Zhvan, në kohë të “Shqipërisë Madhe”. Disa fshatarë i kishin thënë gjyshit, se: kur Sadin Selmani me pushkë në dorë dilte në atë anë, të gjithë futeshim nëpër shtëpia nga frika, po sikur minjtë e dheut kur futen nëpër birucat e tyre.

Trimi i Zajazit u bë tmerr panik për turkun, më rrëfente gjyshi. Prandaj, thurrej plani sesi të arrestohej. Një ditë, ai dhe kushuriri i tij Vaid Koxha, robërohen nga turqit dhe dërgohen në ,,Burgun e Manastirit”. Nuk shkon shumë kohë, dhe trimi i Zajazit thurr planin sesi të dali nga burgu, fillon të mbledhi para nga të burgosurit, që t’ia japin rojes së burgut. I cili ua hapi derën që të arratisen në liri. Por, kur don fati, thotë populli me të ndihmu, dyerët hapen vetë. Aty kah dreka, më rrëfente gjyshi, rojtari i burgute hapë dyerët e burgut, dhe jep kushtrimin ndër të burgosur ,,Ikni ka këmbët kryet”! Se, ka hyrë Sërbija. Puna e sundimit turk mbaroi, pra ka qenë viti 1913 -të. Sadin Selmani dhe kushuriri i tij Vaid Koxha, shfrytëzojnë rastin dhe këthehen shëndoshë e mirë në Zajazin e tyre heroik.

Pushtimi serb, rrëfente gjyshi na doli edhe më i zi se ai turk. Policët serb, endeshin kudo nëpër rrugët e fshatrave, por edhe të qytetit. Kishe mallë të dalësh në rrugë, apo të ushtroje punët e fushës, po i the policit ,,mirëdita” të dërrmonte në çotek (dajak). E, po nuk e përshëndete, përsëri të dërrmonte në çotek. Nuk dije, më rrëfente gjyshi sesi të veproje, e nevoja për të kryer punët e fushës, ishte prioritet primar për jetesë. Por, dhuna nga policët serb, nuk durohej dot. Duke parë këte situatë shumë trima të Kërçovës morën malet e larta, duke sulmuar forcat serbe pa kursyer as jetën e tyre, e ndër ata ishte edhe trimi mbi trima Sadin Selmani. Pushka e të cilit u ndëgjua jo vetëm në teritorin e Maqedonisë, por edhe në Shqipëri e Kosovë. Për këtë arsye, pushteti i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e kishin si halë në sy, e prisnin momentin se kur do ta eliminonin. Për kokat e kaçakëve jepnin para joshëse, e kërkonin mercenarë shqiptarë, ku për çdo kokë kaçaku ofronin nga 1000 -1200, dinarë, të cilat në atë kohë kanë pasur vlerë të madhe. Duke vërejtur se është në shënjestër të pushtetit të Mbretërisë jugosllave, me në krye Serbinë, e cila Maqedoninë e sodit e quante ,,Juzhna Banovina” apo në shqip ,,Banovina e Jugut”. Trimi nga Zajazi i bashkohet çetës të Kalosh dhe Lazam Danit, për të luftuar Serbinë, kudo që të paraqitet nevoja. Pushteti serb e kërkonte kudo, por trimin e Zajazit, nuk mundej ta kapi dot, prandaj përmes disa mercenarëve nga Zajazi, në krye me Rexhë Rushit Zajazin dhe Abidin Vojvodën, thurën kurthin për ta vra. Vrasja e Sadin Selmanit, rrëfente gjyshi u bë gjatë vitit 1921, kur Sadin selmani kishte kaluar në malin e Ҫelvjollcës. Afër një kroi, rrëfente gjyshi Sadin Selmani takon një grua e cila i flet shqip, duke e pyetur atë, se: mos jeshë vallë ti Sadin Selmani? Po i përgjigjet ai, por ju kush jeni, që kaq bukur flisni shqip? Ah bre vëlla, i thotë ajo, hiç mos pyet për mua, unë jamë motra e Sulltanë Qafës, që më 1913 -tën Mikajl Brodi, pasi më vrau babën e motrën Sulltanën, mua më grabiti e më martoi për një shka. Sadin Selmani kërcen më këmbë, e i thotë asajë: ,,Tu bëfsha vëlla, nisu pas meje se të çoj në Qafë. Ajo i këthehet me fjalët: ,,Puna ime or vëlla ka mbaruar, zoti mi ka falur katër fëmijë, nuk kam kah t’ia mbajë unë, por shiko shpëto kokën tënde, se dëgjova se të kanë rrethuar nga të katër anët serbi dhe do mercenarë nga Zajazi. Ik kah këmbët kryet se je i rrethuar! Nuk kalon shumë kohë, e kjo vërtetohet. Abidin Vojvoda paraqitet nga një pritë, duke i thënë Sadin Selmanit që të dorëzohet, më tej dëgjohet edhe Rexhë Rushiti: ,,Bomu teslim mua or Sadin Selmani, sepse je i rrethou nga të katër anët, e se nuk ke shpëtim! Sadin Selmani, shtërngon pushkën e u përgjigjet: ,,Hajde bre Rexhë mos mi thuaj këto fjalë, se Sadin Selmani nuk lidhet i gjallë, se mou më ka lidh nëna veç një herë në djep, se pushka e Sadinit nuk dorëzohet vetë. Xhandarit serbit s’kam me iu dorëzou, fishekun e fundit pa e harxhu, thuni Zajazit mos më qajë mou, se unë vehtëveten e kamë pagu...” Në këte përleshje me forcat serbe dhe mercenare, trimi lufton me një trimëri të paparë, duke vrarë disa policë serb por edhe tre a katër mercenarë. Mirëpo, trimit i mbarohen fishekët dhe fillon të luftojë me gurë. Policia serbe shfrytëzon rastin dhe e vret trimin sypatrembur të Zajazit. Pas vrasjes së Sadin Selmanit, kryeshefi i policisë me emrin Bllazhe shkon te eprori i policisë në Makedonski Brod, për të marrë myzhde duke i thënë atij se, ai e kishte paltu Sadin Selmanin. Eprori i policisë i drejtohet atij me këto fjalë: ,,Hajde bre Bllazhe, tej mos më rrejë mou, se Sadin Selmanin tej se ke paltou, të ishte për tojë e për mou, ai edhe shumë vjet kishte me rrou, vetë Zajazi e ka paltou. Pra si që mund të vërejmë në këngë, Abidin Vojvoda dhe Rexhë Rushit Zajazi qenë ata që edhe me disa mercenarë të tjerë nga Zajazi vranë Sadin Selmanin, duke u vu në shërbim të serbit vetëm për disa para të fëlliqura serbi, në afërsi të malit Ҫelëvjollcë në vitin 1921. Por, edhe ata i dënoi zoti, në vitin 1922 Kalosh Dani me një plumb në ballë përcolli Abidin Vojvodën në botën tjetër, ndërsa Rexhë Rushitin e vranë trimat e ,,Ballit kombëtarë gjatë vitit 1945 në Zajaz të Kërçovës.

Për Sadin Selmanin rapsodët popullorë thurën shumë këngë të cilat u kënduan në oda të burrave, me duar trokitje frenetike. Po ju paraqesim një këngë të thurur për kët trim:

KËNGA E SADIN SELMANIT

Sadin Selmani një burrë i gjonë,

Kërcej granejcën, e na dul në këte anë,

U dha haberi, more në katër anë,
Sadin Selmanin, more ku ta zëjmë?

Thërret Rexha, more një musteqe zi,

Jalla çu bone Sadin bre dahi?

Këtu jam tha, Rexhep bre Dahi
Këtu jamë tha Rexhep bre zotni,

Kam për të të dalë, më katër sy.

Hajde Sadin tha dorëzomu mou,

S’është memqymi, për me shpëtou:

Askeri serbit, gjithëve na ka rrethou,

Për ty Zajazin don me e farou!

Hajde bre Rexhë, mos mi thuaj këta fjalë,

Se Sadin Selmani, nuk lidhet i gjallë,

Mou më ka lidh nëna një herë në djep,

Pushka e Sadinit s’dorëzohet vetë!

Xhandarit serbit s’kam me ju dorëzou,

Fishekun e fundit pa e harxhu.

Thuni Zajazit mos më qajë mou,

Se vetëveten e kam pagu,

Katër xhandarë, i kam paltou,

E nja dhjetë të tjerë i kamë plagu.

Komandir Bllazhja në sherë ka shkou,

Naçallnejkut myzhde i ka kërkou:

Dy nishëne i thotë bakshejsh t’i du,

Se Sadin Selmanin, sot ta kam paltou.

Hajde bre Bllazhe tej mos më rrejë mou,

Sadin Selmanin tej, se ke paltou,

T’ishte për ty e për mou,

Ene shumë vjet ai kishte me rrou,

Vetë Zajazi ate e ka paltou...

Dhe së fundëmi, vlen të cekim se para vrasjes të Sadin Selmanit, gjatë vitit 1921, Sadin Selmani së bashku me kaçakët Kalosh e Lazam Dani, zhvilluan disa beteja kundër forcave serbe në Galiçnik të Rekës së Poshtme, në anën e Peshkopisë, Gostivarit e Tetovës. Po gjatë atij viti Çeta e kaçakëve të Zajazit, sulmoi forcat serbe të stacionuara në Tajmisht të Kërçovës, duke i dhënë një grusht të fortë forcave serbe, mirëpo në këte betejë plagoset edhe trimi Sadin Selmani, e në nëntor të vitit 1921, ai vritet nga forcat serbe të ndihmuara nga mercenarët e Zajazit. Luftën kundër serbit e vazhduan kaçakët Kalosh e Lazam Dani, Kamerr Bllaca, Arif Braqani, Ramazan Mahmudi e disa të tjerë...

(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku, shkrimtar).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat