Viktimat e para të klerit katolik, çfarë ndodhi më 4 mars ‘46 në Shkodër! Kush ishin qëndrestarët dhe si u ekzekutuan nga diktatura pranë varrezave të Rrmajit

Dokumentare

Viktimat e para të klerit katolik, çfarë ndodhi më 4 mars ‘46 në Shkodër! Kush ishin qëndrestarët dhe si u ekzekutuan nga diktatura pranë varrezave të Rrmajit

Nga: Frano Kulli Më: 6 mars 2024 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Më 4 mars 1946, si sot 78 vjet më parë, pa zbardhur dita, do të pushkatohej Jezuiti At Danjel Dajani, nga Zadrima. I ri, pa i mbushur 40 vjeç. Rektor i Seminarit Papnor në Shkoder.

Ndër të parët klerikë që do të pushkatohej prej regjimit, një vit pa një ditë mbas dom Lazer Shantojës poet. Vetëm se ishte prift katolik e jepte mësim e drejtonte në një shkollë katolike. Në të njëtën ditë, në të njëjtën orë do të pushkatohej, bashkë me At Gjon Shllakun e me jezuitin tjetër At Giovani Fausti nga Brescia (Itali), seminaristin Mark Çuni e besimtarët Gjelosh Lulashi, e Qerim Sadiku , edhe ai katolik në besim… (Të pestë këta, së bashku edhe me 33 të tjerë, janë të shpallur martirë prej kishës, kurse At Anton Harapi ende jo. Se prapë, diç i ngatërrohet nëpër grremçat e mosdashjes së pushtetit, në formën e stërholluar të kolaboracionistit, siç dhe e pati pushkatuar regjimi).

Në orën e mbrame para pushkatimit, një tjetër katolik, Tonin Miloti, qe caktuar që të dënuarve prej “gjyqeve të popullit”, t’ua merrte ai fjalën e fundit… Aspirant Tonin Miloti qe zgjedhur të formalizonte aktin e pushkatimit dhe në fund të procesverbalit, ai firmos amanetet e tyre. Procesverbali, në krye të të cilit shkruhej ende: Vdekje fashizmi-Liri populli, anipse fashizmi ishte mundur dy vjet e sa më parë. Qe zgjedhur ai edhe pse qe zëvendësi i prokurorit dhe jo prokurori vetë. Pasi prokurori vetë duhej me deomos të qe prej të tjerave krahina. E pas këtij akti nuk vonon shumë e vetë ky Tonin Miloti, pason fatin e viktimave të veta martire… Ai rregjimi që nuk i donte të diturit do t’ua merrte jetën veçse rrezatonin dije dhe dijen e shpërndanin me gjithë devocionin e forcën e besimit te të gjithë ata që e donin dijen dhe kishin nevojë për të.

Në të vërtetë, nuk është vështirë të dallohet se vetëm në këto dy mënyra e mbi këta dy kategoritë e përmendura në titullin e këtij shkrimi ka qenë e mundur të ndërtohej një mardhënie e shtetit shqiptar me katolikët e veriut të Shqipërisë, me përfaqësinë më të zgjedhur të tyre, në rend të parë. Në rregjimin e Hoxhës, që përbën gati gjysmën e kohës së qenies së shtetit shqiptar, marrëdhënia me katolikët u shfaq që heret, në fillesë si një patologji urrejtjeje. Një urrejtje që mbështetej mbi diferenca ideologjike me elitën e katolikëve. Jo veç prej formimit të tyre në shkollime perëndimore, por edhe për shkak të marrëdhënies së tyre dashurore me vendin e popullin e vet. Ata, me bindje të palëkundëshme, përgjithësisht ishin kundërshtarë që në zanafillë të ideve komuniste. Por, urrejtja mbështetej edhe mbi disnivele kulturore e prirje qytetrimore të ndryshme e madje krejt të kundërta.

Nëse katolikët, elitat e tyre më së pari ishin prirja dhe krahu i oksidentit, vijimtarë në hullitë e herëshme të orientimit të shqiptarëve, prijësit e ri komunistë i kishin ngulë piketat e orientimit të tyre në tjetrin krah, andej kah ishte shfaq “ai dreqi i kuq”. Dhe elita e katolikëve, “fara e zgjedhur”, si me thanë, ishin gjithashtu edhe prelatë të kishës. Edhe atëherë kur kjo elitë, në ballë të rilindjes së kombit, do të bashkëngjitej natyrshëm me themelimin e me ringjalljen e shtetit shqiptar, megjithatë mardhëniet me prijësat e tij nuk është se kanë shkuar vaj.

Jo veç Fishta e Mjeda a Nikollë Kaçorri, që ishin edhe klerikë por edhe Gurakuqi, një gur i randë fort në themelet e shtetit shqiptar e kontribues i paepur i tij, duke qenë kundruall arbitraritet të prijësve u gjend pabesisht i vrarë…Pastaj, një dekadë e diçka më vonë edhe shkollat katolike, ani pse ishin më të mirat e shkollave të pakta të Shqipërisë, u tentua të ndalen e më pas të mbyllen. U mbyllen, në kohën e Mbretërisë e u bë e mundur të rihapeshin mbas një vendimi të gjykatores së Naltë të Europës. Për prijësit e shtetit shqiptar, gjithëherë katolikët kanë qenë të padashtun. Shembujt e historisë, e shumta e vertetojnë këtë, kurse të paktë fort janë shembujt që vertetojnë të kundërtën. Në respekt e nderim të së vërtetës do pohuar kjo.

Kurse komunistët dhe prijsi i tyre paranojak, i demonstroi të gjitha mënyrat edhe më monstruozet për t’i asgjësuar “armiqtë” katolikë. Me një strategji të kopsitur e të lidhur me “dredhat e djallit” siç do të thoshte Fishta, të egër e të akullt, sikur të kishte përballë e në kundërshti njerëz “të përtej detit” e jo bashkëkombës të vet, me të gjitha djallëzitë i luftoi deri në sfilitje asgjësuese ata. Direkt me dhunë e egërsi, por tërthorazi edhe me metodat otomaniste, të përdorimit të të vetëve. Punë kasnecësh e njerëzish të vegjël kjo punë. Se njerëzit e mëdhenj, rilindës të vërtetë prej të cilëve e kemi Shqipërinë, të tjera sjellje e të tjera kode kanë pasur… Eqrem Çabej, albanlogu i famshëm nga Gjirokastra, në një kartolinë urimi do t’i shkruante lirikut të vlertë pogradecar, Lasgushit sqimatar: Lexova “Lahutën…” e u mrekullova.

Jam magjepsuar prej saj dhe jam gati të bëhem katolik prej Fishtës. Marrëdhënia me katolikët e prijësve të shtetit, përpos egërsisë së skajshme e ka pasuur edhe këtë dukurinë e ndërmjetme, ka pasur katolikë shërbyes, që në fillesë janë thirrur atje si përfaqësim në zyrat e shtetit, por kjo vetëm sa për dukje (fasadë). Se më pas janë përcjellë që andej pak a shumë me të njëjtin fat, kur shërbesa e tyre nuk ka gjalluar mâ si nevojë. Porse shëmbëlltyra e deformimit të kësaj mardhënie të katolikëve të veriut me shtetin siç ka qenë, vijon të jetë e njëjtë, sot e gjithë ditën. Kemi parë e provuar në institucionet më të larta të ngrehinës së shtetit, si përfaqësimi të katolikëve të veriut, “katolikë” që raportin e vetëm me institucionet e shtetit e kishin pasë me institucionin e riedukimit, kryesisht. Në atë aulën e shenjtë, siç është parlamenti për një komb të qytetruar. Në ndejëset e deputetëve veriorë; të Gurakuqit, të Fishtës, të Mjedës, të Maliq Bushatit, të Hilë Mosit e Riza Danit… Vetëm e vetëm si nevojë përdorimi për pushtetin. Për ta siguruar më së pari atë…

Përkujtohet kleriku, intelektuali dhe qëndrestari Dom Simon Jubani

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot klerikun, intelektualin, qëndrestarin Dom Simon Jubani (5 mars 1927 – 12 korrik 2011). Dom Simon Jubani lindi në Shkodër më 1927, aty ku kreu për disa vite Shkollën Apostolike të Jezuitëve. Pas mbylljes me forcë të shkollave katolike në vitin 1946, ai kaloi në gjimnazin e shtetit. U transferua në Tiranë, ku kreu një kurs për radiologji dhe u vendos me punë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, e më pas në Sanatoriumin e Shkodrës. Në vitin 1957 ai dorëzohet meshtar dhe vendoset famullitar në Mirditë, ku dhe u arrestua.

Dom Simon Jubani vuajti gjithsej 26 vjet burg dhe u lirua në vitin 1989 në sajë të perstrojkës. Sic shprehej vetë Dom Simon Jubani: “Në Burrel kam krye ‘Universitetin e Burgut Komunist’. Mësova me shkrue e me folë Latinisht, Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht që ma vonë më shërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë në vendin tem, tue fitue kshtu epitetin ‘Profeti'”. Ai ka shkruar një libër me kujtime “Burgjet e mia”.

Më 4 nëntor 1990, Dom Simon Jubani mban meshën e parë katolike në kapelën e djegur të varrezave të Rrmajit në Shkodër, pas shumë vitesh përndjekje dhe shtypje të lirisë fetare në Shqipëri. Ai është dekoruar me diplomën “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i San-Franciskos në Kaliforni dhe me diplomë të posaëme nga shteti i Miçiganit si “Nismëtar i lirisë së fjalës dhe shtypit”, si dhe mban titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton viktimat e para të klerit katolik

Muzeu kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje viktimat nga kleri katolik, të ekzekutuar pranë varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946. Gjatë dhjetorit të vitit 1945, autoritetet komuniste zbuluan në Shkodër organizatën “Bashkimi Shqiptar” që drejtohej nga i riu seminarist Mark Çuni. Organizata ishte shfaqur nëpërmjet disa trakteve antikomuniste të lëshuara në qytetin e Shkodrës. Për këtë arsye, u arrestuan gjithashtu si përgjegjës Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani si eprorë dhe profesorë të seminarit. Gjithsej u arrestuan 39 persona.

Kjo do të ishte e para goditje e organizuar ndaj klerit katolik në Shqipëri. Në gjyqin e mbajtur në kinema “Rozafati”, prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit se “Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian, me pushtimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj.”.

Në mungesë të provave, çdo akuzë se do të kryenin akte terroriste u mohua nga klerikët. Nga 39 të arrestuar, 7 prej tyre u dënuan me vdekje. Ekzekutimi me pushkatim u krye pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946 për: Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti, Atë Gjon Shllaku, Djakon Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash Bajraktari, Fran Miraka (u ekzekutua më 3.7.1946)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat