Nga dënimi i tij si “armik i popullit”, tek vdekja, si e mundi sëmundja në burg poetin Vinçenc Prennushi! Viti 1947 dhe vala e terrorit më të egër komunist

Dokumentare

Nga dënimi i tij si “armik i popullit”, tek vdekja, si e mundi sëmundja në burg poetin Vinçenc Prennushi! Viti 1947 dhe vala e terrorit më të egër komunist

Më: 20 mars 2024 Në ora: 12:41
imzot Vinçenc Prennushi

Më 19 mars të vitit 1949, u shua në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvi i këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushi.

Përkushtimi ndaj fesë katolike do t’i kushtonte lirinë dhe jetën. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U pagëzua me emrin Kolë. Hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900, e më pas u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc. Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Nisi publikimet që më 1909-ën.

Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijimtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e lule”. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare “Visaret e Kombit”.

Imzot Prennushi u mor me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkieëiz, “Burgjet e mia” e autorit italian Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber. Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit, ku edhe vdiq duke mbrojtur deri në frymën e fundit vlerat, idealet dhe bindjet e veta. Imzot Vinçenc Prennushit me 37 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, pas procesit kanonik kishtar të beatifikimit, e me miratimin e Papës, u shpall “i Lum” me ceremoninë solemne të Lumnimit, kremtuar në Shkodër, më 5 nëntor 2016.

GJYQI

Një tjetër ish-i burgosur politik, Arshi Pipa, vite më parë ka treguar ditën e gjyqit që iu bë intelektualë dhe klerit katolik. Bëhet fjalë për nëntorin e vitit 1947 kur të burgosurit i nxorën përpara gjyqit ushtarak. Kjo ishte vala e terrorit më të egër komunist. Në bankën e të akuzuarve ishte edhe Arshi Pipa dhe Vinçenc Prennushi. “Për disa ditë me radhë, gjyqi ushtarak i Garnizonit të Tiranës, i kryesuem prej Major Gjin Banushit, ka gjykue ksisoj, me dyer të mbylluna. Tash asht vendimi. Në sallën e vogël qëndrojnë mbi banka rreth gjashtëdhjetë të burgosun.

E shumta nuk e njofin njëritjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, qi kqyren ndërmjet tyne frikshëm, pabesueshëm. Hyn trupi gjykues. Prokurori, Kap. I. Petrit Hakani, nis pretencën. Ban nji përmbledhje të shkurtën, të ngutshme, mandej nxjerr nga çanta një tufë letrash dhe ndanë andej listën e grupit të parë. Përpara meje asht nji burrë me flokë të bardhë, i mbledhun kruspull, i veshun me nji mantel të zi të dalun boje. Nuk ka lëvizë gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: Vinçens Prennushi! Ngrihet ngadalë, mundshëm, dhe ulet mandej pa thanë nji Qalë. Prokurori lexon pretencën e të pandehunit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, ato tashma të ‘stereoty-puemet’, ‘anmik i popullit’, ‘bashkëpunëtor i okupatorit’, ‘fashist’.

Theksohet fakte se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rasë shtohen frazat: ‘klerit reaksionar’, ‘agjent i Vatikanit’. Në fund kërkimi i dënimit: njizet vjet. Njizet vjet në ato rrethana, dhe për nji personalitet si Vinçenc Prennushi, nuk asht fort keq, kur të mendohet se fill mbrapa prokurori kërkon dënimin me vdekje për famullitarin e tij, Dom Anton Zogajn”, kujton i ndjeri Arshi Pipa.

AKUZAT

Pa asnjë fakt konkret, Vinçenc Prennushi u quajt “armik i popullit”, “bashk punëtor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakti se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rasë shtohen frazat: “klerit reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: njizet vjet. Në fjalën e fundit Imzot Prennushi thotë me za të ramë: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”.

Vendimi i gjyqit asht: njizet vjet privim lirije me punë të detyrueshme. Arshi Pipa kujtonte shumë kohë me parë vitet e burgut në një qeli me të. “Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashunin e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë.

Buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurtë në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete. Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Pater Vinçenc: titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral. Nji natë të këtillë me tha copa-copa: Tash po kujtoj fjalët e Goethes ‘Mehr Licht'” (dua dritë).

SËMUNDJA

Arshi Pipa, ish-burgosur politik rrëfeu vite më pas situtën e vështirë shëndetësore të njeriur që kishte ndarë qelinë me të. “Me imzot Prennushin ndenjën deri nga vera e vjetit 1948, kur un u dërgova, bashkë me shokë ne kampin e punës së Vloçishtit. Kur u ktheva andej, nga fundi i nandorit, gjeta Imzotin të smundë.

Vuente prej zemre dhe rrallë lente dhomën për me dalë në oborr. Gjendja e tij erdh tue u keqësue me të shpejtë. E dërguen në spital. Pak ma vonë shkova edhe unë në spital. Spitali i burgut ndodhej në atë kohë në nji ndërtesë përdhese, nji aneks i Spitalit të Durrësit, e cila binte mbi një rrugë të ngushtë, jo shumë larg bulevardit Dalip Tabaku’, të ndërtuem prej të burgosurve. Dhoma ishte e vogël, e ulët, e vjetër, me dy dritare, të cilat kqyrshin kah deti. Kishte qenë ma parë dhomë zjarrmi, mbasi kishte voter”, është shprehur Arshi Pipa. Publicisti kujton se: “Mjekët i kishin gjetë Imzotit nji ‘asmë zemrës’, sëmundje e randë, sidomos për moshën e tij.

Astma e ngushtonte ma fort natën. I vinte me hove qi shkojshin tue u përshpejtue deri në gulshim të randë, sa me e lanë pa frymë.Kur i kalonte, mbas disa orësh, binte si i vdekun e për nji kohë të gjatë nuk mundte me folë. Mjeku i pavionit, dr. Propopulli, nji njeri me zemër ari, të cilit, i dhimbseshin të burgosunit dhe të cilëve u shërbente me shpirt, bani gjithçka për Imzotin. E vizitonte disa herë ditën, jashtë zakonit dhe shpesh i binte barna nga të vetat, mbasi spitali nuk kishte”.

“Kjo ka qenë në fruer 1948. Flitej atëherë me ngulm se, mbas prishjes me Jugosllavinë, qeveria po përgatite nji amnisti të madhe, nga e cila do të përfitojshin të gjithë të burgosunit e pafajshëm. Në gjendje në të cilën ndodhej Imzoti, shpresa për me dalë nga burgu, me i kalue ditët e mbrame të jetës në shtëpi, nën kujdesin e ndonji njeriu të dashun, ishte një mënyrë me e mbajtë gjallë, dhe un përpiqesha sa ma shumë me ia këndellë atë shpresë. Nuk mendojsha aspak se komunistat do ta lirojshin për hir të së drejtës, por më rrente uzdaja se ndofta logjika e vijës së re politike mund të përparonte sa me shtrëngue qeveritarët qi bajshin çka nuk dëshirojshin. Ndër ato ditë kemi ba me Imzotin shumë kuvendime mbi gjendjen politike, nëpër të cilat un shkojshe tue ia ushqye shpresën e lirimit”, është shprehur Arshi Pipa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat