Edukatori shembulldhënës

Dokumentare

Edukatori shembulldhënës

Nga: Ramiz SPAHIU Më: 26 mars 2024 Në ora: 12:53
Profesori dëshmor Ajet Beqiri

Nuk e dinim as ne, shokët e tij të vjetër, As rojtari plak i shkollës nuk e dinte, Se do të vinte një kohë tjetër, Kur emri i tij mes yjeve vend do të zinte. (D. Agolli, Reliket e heroit)

Sot janë bërë njëzet e pesë vite, që kur shoku im i klasës, profesori i vyeshëm, eprori i nderuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri vend mes yjeve dhe hyri në përjetësi. Dëshmori Ajet Beqiri u lind më 10 korrik 1960 në fshatin Pemishte të Skënderajt, nga babai Halili dhe nënë Hava. Shkollën fillore e kreu në Leçinë, gjimnazin në Runik dhe Skënderaj. Studimet për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Pas mbarimit të studimeve për disa vite, punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore ”Ali Kelmendi” në Leçinë. Nga viti 1995 deri kur ra dëshmor, punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme teknike “Anton Çetta” në Skënderaj.

Qysh si nxënës pati interesim të veçantë për letërsinë. Ishte i pranishëm në gazetën murit dhe në revistën shkollore “Shkëndijat e Drenicës”. Në demonstratat e studentëve të vitit 1981, ishte mjaft aktiv. Edhe më vonë ishte i pandalshëm në çdo formë të protestave ndaj pushtuesit, sikurse edhe në botën e pluralizmit demokratik, duke qenë aktivist i dalluar në fshat, rrethinë dhe në nivel komunal.

Me formimin e Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Skënderaj ishte bashkëpunëtor i vyeshëm dhe anëtar i kryesisë së KMDLNJ. Krahas kësaj u angazhua edhe në Këshillin e Emergjencës për ndihmë të popullatës civile dhe njësive ushtarake dhe ishte koordinator për ndihma në atë anë.

Pushkët e para ndaj pushtuesit e gjetën të përgatitur shpirtërisht për rezistencë të armatosur. Në pranverën e vitit 1998 ndër të parët u angazhua për formimin e pikës ushtarake në fshatin e tij, e cila më vonë e shndërrua në Togun e Pemishtes, ku Ajeti ishte Komandant. Në këtë detyrë ishte deri më 29 Mars 1999, kur ra në altarin e lirisë bashkë me shokun e pandashëm dhe infermierin e përkushtuar për liri, dëshmorin Zaim Bajrami.

Profesori shembullor Ajet Beqiri e donte shumë detyrën e mësuesit, prandaj nuk u nda nga nxënësit deri sa hyri në përjetësi. Aktivitetin e pandalshëm të tij si ushtar dhe mësues e këndoi edhe poeti Sylë Ademi: “Ajet Beqiri sikur hidhte vallen në një dorë pushkën, në tjetrën abetaren”. Profesori vinte në shkollë i lodhur nga terreni, si ushtar lirie. Armët, çantën ushtarake dhe uniformën e linte në zyrën e drejtorit dhe në klasë shkonte me rroba civile, si arsimtar. Dhe kështu dëshmori Ajet Beqiri, duke qenë mësues dhe ushtarë, ishte edhe edukator i mirëfilltë. Si e thotë poeti Dritëro Agolli: “Kështu ndodh ngaherë me heronjtë që vijnë, mes nesh rriten e ne s’e dimë...”. As ne, shokët e tij që u rritëm me të, nuk e dimë që Ajeti kishte lindur për të bërë dëshmor të lirisë, edhe pse buzëqeshja e tij, sikur fliste me diellin, të jepte me kuptuar veçantinë prej edukatori dhe dëshmori.

Të shtojmë në mbyllje: Në historinë e shkollës dhe të shtetit të Kosovës, profesori Ajet Beqiri, përjetësisht do të jetë edukator shembullor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat