Zbulimi i vdekjes së Mehmet Shehut: Analiza e profesorit të mjekësisë ligjore hedh dritë mbi vrasjen e fshehur

Dokumentare

Zbulimi i vdekjes së Mehmet Shehut: Analiza e profesorit të mjekësisë ligjore hedh dritë mbi vrasjen e fshehur

Nga: Prof. Dr. Bardhyl Çipi Më: 23 prill 2024 Në ora: 11:39
Mehmet Shehu

Bardhyl Çipi është një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Ai ka trajtuar raste të shumta që kanë prekur thelbin e shoqërisë shqiptare, duke përfshirë viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, si dhe qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, të cilët kërkonin të jetonin të lirë.

Në punën e tij, ai ka hasur në ngjarje tronditëse si gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi dhe rastet e banorëve që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri. Gjithashtu, Çipi ka investiguar vdekjet e personave të shquar si profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, dhe ka dokumentuar vdekjet e personazheve historikë si Kennedy, Lincoln, Napoleon, Lenin, dhe Trocki.

Autori ka botuar disa vepra të rëndësishme që përfshijnë “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), dhe “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020), të cilat trajtojnë çështje të ndryshme mjeko-ligjore dhe bioetike.

Ky kapitull do të eksplorojë më thellë provat shkencore që vërtetojnë se vdekja e Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të Shqipërisë, ka qenë vrasje, duke hedhur dritë mbi praktikat e mjekësisë ligjore kriminalistike dhe rëndësinë e tyre në zbardhjen e të vërtetave historike.

 (Analizë e mjekësisë ligjore kriminalistike)              

Një nga ngjarjet më të bujshme në vendin tonë, për të cilën bëhen edhe në kohën e tanishme diskutime të shumta të pasqyruara në shtyp dhe media, madje edhe në mjaft botime studimore dhe letrare, si romane etj., është edhe ajo e vdekjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Sipas versionit zyrtar, Mehmet Shehu, kryeministër i R.P.S. të Shqipërisë, natën e 17 Dhjetorit të vitit 1981, në një moment krize nervore, vret veten, sepse në një mbledhje të fundit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror t PPSh-së, ai sapo ishte kritikuar shumë ashpër nga E.Hoxha dhe anëtarët e tjerë të kësaj byroje.

Por ky version, pas viteve 1990, nga të afërmit, miqtë e Mehmet Shehut dhe shumë dashamirës të tjerë të tij, nuk u pranua. Ata kanë shpallur publikisht, se ai është vrarë. Argumenti shkencor kryesor i vrasjes mbështetet në faktin, që pas kësaj ngjarjeje të rëndë, nga instancat e larta të shtetit dhe partisë, nuk u lejua të kryhej autopsia e kufomës së M. Shehut, ndërsa në raste të tjera të ngjashme, ajo është bërë.

Që atëherë, në media dhe shtyp, ka pasur artikuj dhe libra të shumta, që përpiqen të argumentojnë vrasjen. Nga ana tjetër, njerëzit e rrethit të Enver Hoxhës, të afërmit, ata që i kishin shërbyer atij dhe shumë pasues të tjerë të tij, mbrojnë variantin zyrtar, të vetëvrasjes.

Pikërisht, në këtë kohë, rreth viteve 2000, kryesisht për të përforcuar këtë qëndrim, u botuan në shtypin tonë të përditshëm materialet kryesore të dosjes hetimore të vdekjes së M. Shehut, ku përfshiheshin edhe proces-verbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, të shoqëruara me foto të shumta të kufomës, si dhe dëshmitë e familjarëve dhe personave që i kishin shërbyer M. Shehut, ditën para se të vdiste.

Por argumenti më i rëndësishëm, që mbështeste vetëvrasjen, pa dyshim ishte e ashtuquajtura letra e lamtumirës të M. Shehut, që ai kishte lënë para se të vriste veten, që u shfaq dhe u botua në vitet 2000, nga Paskal Milo, pra mbi 20 vite pas vdekjes së M. Shehut. Më pas ka pasur mjaft diskutime, madje të botuara, me arsyetime të shumta të stisura, kryesisht të karakterit psikologjik, që përpiqen të përforcojnë versionin zyrtar të vetëvrasjes.

Në këto rrethana, unë si ekspert mjeko-ligjor, nuk mendoj se do të shkel parimin e konfidencialitetit, po ta analizoj këtë ngjarje, për të cilën detajet dhe ekspertimi i saj, janë paraqitur dhe diskutuar në të gjitha hollësitë e tyre në shtypin dhe median e vendit tonë. Po kështu, besoj se nuk do të prek as dinjitetin dhe pavarësinë e kolegëve të mi, që kanë kryer ekspertimin e këtij rasti.

Në të vërtetë, idea që ta shqyrtoj këtë ngjarje në lidhje me ekspertimin e saj, më ka lindur që prej shumë vitesh, por mendoj se vetëm tani ka ardhur koha që unë ta bëj këtë analizë, kjo në  frymën e mjekësisë ligjore kriminalistike, për të dhënë një mendim sa më të pjekur, mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje, i cili do të shërbejë për një sqarim sa më plotë të opinionit të vendit tonë.

Siç dihet, mjekësia ligjore kriminalistike, merr parasysh jo vetëm të dhënat e këqyrjes së kufomës, por edhe materialet hetimore, ato kriminalistike dhe shumë të tjera, për të ndihmuar organet e drejtësisë, që ta rindërtojnë nga ana mjeko-ligjore dhe kriminalistike, ngjarjen kriminale, për t’u bërë kështu i mundur klasifikimi juridik i saj: vrasje, vetëvrasje, apo aksident.

Cilat janë të dhënat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës, si dhe të dokumenteve të ekspertimeve mjekoligjore kriminalistike e të dëshmive?

-Në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer nga kryetari i hetuesisë të Tiranës të asaj kohe, me pjesëmarrjen e shefit të Byrosë së Ekspertimit Mjeko-ligjor në Tiranë, një eksperti tjetër mjeko-ligjor, si dhe një eksperti kriminalist, përshkruhet me hollësi dhoma e gjumit të shtëpisë, ku u gjet i vdekur kryeministri M. Shehu.

Në këtë dhomë, midis të tjerave, përshkruhet një krevat me gjerësi 181 cm. dhe lartësi 90 cm., si dhe një komodinë në anën e majtë të krevatit. Në komodinë gjenden sende të ndryshme, si medikamente etj., po kështu një gotë me lëng të verdhë dhe një gëzhojë predhe pistolete, të kalibrit 9 mm., që në nuhatje ka erë të lehtë baruti.

Krevati ka sustën në formë divani, një dyshek të trashë dhe sipër tij një të hollë, çarçaf të bardhë dhe një batanije dopio dhe një teke.

Në anën e majtë të krevatit. gjendet kufoma, e seksit mashkull, me moshë rreth 70 vjeç, e shtrirë në shpinë me kokën pak të ngritur të vendosur në dy jastëkë dhe një batanije të palosur poshtë tyre; të dy duart janë të thyera në bërryla të mbështetura në trup, me gishtat gjysmë të mbledhura; trupi është i mbuluar me batanije dhe çarçafin e krevatit, gjer afër mjekrës.

Pas lëvizjes së kufomës shihet në buzën e poshtme, gati në mes të jastëkut të sipërm, një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm., me një njollë me ngjyrë të kuqe të errët, sipër, përreth saj, 3 x 3 cm; në jastëkun e poshtëm, ka një vrimë 0.5 cm., në pjesën e sipërme të të cilës, 4 cm. majtas, ka një njollë me ngjyrë të kuqe të errët, 1 x 1 cm.

Në batanijen e palosur në tetë pjesë, në buzën e poshtme, gati në mesin e saj, ka një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm. Në çarçaf, ngulur në dyshek, 49 cm. nga e majta dhe 23 cm. nga kreu, gjendet një predhë e kalibrit 9 mm., e cila merret si provë materiale.

Pothuajse në mesin e krevatit, mbi batanijen e sipërme, 48 cm larg nga dora e djathtë dhe në të djathtë të kufomës ndodhet një pistoletë e tipit “Makarov”, prodhim i vitit 1954, me një fishek në fole dhe pesë fishekë të tjerë në krehër.

Veshja e kufomës përmban sipër: një këmishë të bardhë puplin dhe një kanotiere të bardhë me 3 kopsa (disa prej kopsave të këmishës dhe kanotieres janë të zbërthyera), ndërsa poshtë ka një palë pizhame.

Në anën e majtë të këmishës, 14 cm. nën qepjen e jakës së saj dhe 9 cm. majtas buzës së vrimave të kopsave, shihet një dëmtim i çarë në formë kryqi, me përmasa 3 x 2.3 cm; buzët e dëmtimit kanë ngjyrë të errët, veçanërisht më e theksuar në pjesën e sipërme, rreth e përqark, materiali i këmishës në vendin e mësipërm, paraqitet me nuancë të errët, në një zonë që shtrihet nga e djathta në lartësinë 1.1 cm., nga ana e majtë, 1 cm. sipër dhe poshtë 0.5 – 0.8 cm. Poshtë këtij dëmtimi të këmishës, fillon një njollë me ngjyrë të kuqe, me trajtë të çrregullt me përmasa 5.3 x 4 cm.

Në anën e majtë të kanatieres dhe pikërisht 12 cm. poshtë jakës dhe 10 cm. larg hapjes së gjoksit, shihet një dëmtim në trajtë pothuajse të rrumbullakët dhe me diametër rreth 1.4 cm; buzët e dëmtimit paraqiten me ngjyrë të errët.

Rreth e përqark dëmtimit, në një masë rreth 1 cm., ka një hematomë gri, 2 mm. poshtë dëmtimit, dallohet një njollë ngjyrë të kuqe, që fillon 12 cm. sipër saj, në trajtë vizash të fshira, ndërsa poshtë zgjerohet deri në 12 cm. dhe kap gjithë këmishën, duke u shtrirë deri në fund 30 cm.

Në pjesën e pasme të kanatieres, 26 cm. nën qepjen e jakës, afërsisht në mesin e saj, duket një dëmtim në formë gati të rrumbullakët, me diametër 0.6 cm., me buzë të përveshura nga jashtë.

Në përshkrimin e vetë kufomës, midis të tjerave, shënohet se:

-Në anën e majtë të kraharorit, 6.5 cm. nga vija e mesit, 3 cm. mbi nivelin e thithkës dhe 10.5 cm. poshtë klavikulës, ka një defekt vezak të indeve të buta, 1.2 x 1.1 cm., me unazë dërrmishjeje përreth, me gjerësi 2.5 mm., me minus ind.

-Në anën e majtë të shpinës dhe pikërisht 7.5 cm. nën këndin e shpatullës dhe 5 cm. nga vija e mesit, shihet një dëmtim i indeve të buta, gati i rrumbullakët, me diametër 0.6 cm.

-Në thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë dhe 2-3 mm. majtas tij, ka njolla blu të errët, që nuk fshihen.

Gjatë këqyrjes së jashtme të kufomës, nuk u vunë re dëmtime të tjera.

 -Në aktin mjekoligjor të ekzaminimit të kufomës së qytetarit M. Shehu, bëhet po ai përshkrim, si në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, por në lidhje me pikat e errëta me ngjyrë blu të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, është shtuar se; ato janë nga veprimi i copave të barutit, po kështu është shtuar se dora e djathtë, është e mbledhur grusht, me gishtin tregues më afër pëllëmbës.

Konkluzioni i këtij akti, paraqitet si vijon:

Në trupin e kufomës së qytetarit M. Shehu, u konstatua një plagë e tej përtejme arme zjarri, me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe me vrimë dalje, në pjesën e majtë të shpinës, me karakteristikat e përmendura në pjesën përshkruese të këtij akti.

Dëmtimet e mësipërme, janë shkaktuar nga një qitje e vetme arme zjarri, në distancë me puthitje jo hermetike dhe me drejtim nga përpara prapa, lehtësisht nga e djathta në të majtë dhe nga lart poshtë.

Vdekja e qytetarit M. Shehu, ka ardhur nga shoku hemorragjik i shkaktuar me mundësinë më të madhe, si pasojë e çarjes së zemrës ose, të enëve të mëdha të gjakut që dalin prej saj. Vdekja duhet të ketë ndodhur rreth 10 – 12 orë, para momentit të këqyrjes së kufomës, që u krye në orën 12.00.

Raporti i ekspertimit tekniko-balistik të pistoletës, gëzhojës dhe predhës të gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe shenjave të gishtave të M. Shehut, për t’u krahasuar me ato të gjetura në djepin luajtës të pistoletës.

Nga ky ekspertim, i kryer ditën e këqyrjes së vendit të ngjarjes (18 dhjetor 1981), i plotësuar edhe me provat e bëra me reaktivët Griss dhe Difenilaminë, për zbulimin e faktorëve plotësues të qitjes, u arrit në përfundim se në pistoletën, teknikisht e rregullt dhe e përshtatshme për qitje, janë bërë qitje sot; gëzhoja dhe predha të gjetura në vendin e ngjarjes, janë qitur me këtë pistoletë.

Gjurma e gishtit në pistoletë, është e të njëjtit lloj me shenjën e gishtit të madh të dorës së majtë, të Mehmet Shehut.

 Nga dëshmitë e personave që e panë për herë të parë kufomën e M. Shehut: djali i tij Vladimiri, shoqëruesi A. Çeno dhe mjekët M. Kostaqi dhe Ll. Rroku, etj., rezulton se kufoma u gjet e shtrirë në kurriz, e mbuluar me çarçaf dhe batanije, deri afër qafës, me syze me skelet metalik me ngjyrë të verdhë dhe me fytyrë drejt nga tavani.

Mjeku Ll. Rroku, pa rreth 1 m. larg krevatit, një gëzhojë që e mori dhe e vendosi sipër komodinës. në krahun e majtë të krevatit. ku ishte kufoma e M. Shehut. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat