Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Provat shkencore që vërtetojnë që vdekja e Mehmet Shehut ka qenë vrasje
Nga interpretimi i dokumentacionit të mësipërm, sipas mjekësisë ligjore kriminalistike, menjëherë të bie në sy, se përshkrimet e tyre janë të hollësishme dhe konkluzionet e akteve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, janë në përgjithësi të sakta, por ka edhe ndonjë mangësi të tyre.
Kështu, nuk rezulton të jetë kryer matja e lartësisë së vrimave të plagës me armë zjarri, nga thembrat e këmbëve apo, pjesëve të poshtme të vitheve apo mollaqeve (tuberat ischiadike);
Po kështu nuk rezulton të jenë kryer ekzaminimet laboratorike dhe mikroskopike, të përcaktimit të faktorëve plotësues të qitjes në teshat dhe indet e buta, rreth vrimës së hyrjes të plagës me armë zjarri dhe të pikave të errëta me ngjyrë blu, të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, të gjitha këto shumë të rëndësishme, për përcaktimin sa më shkencor të mekanizmave të kësaj ngjarjeje.
Përveç këtyre, ka edhe disa veprime, kryerja e të cilave nuk është lejuar nga instancat e larta shtetërore:
Nuk është bërë autopsia e kufomës (u ndalua dërgimi i kufomës në morg, për kryerjen e saj). Me sa më kujtohet nga ato që kam mësuar prej kolegëve të tjerë mjeko-ligjorë, në atë kohë, nxjerrja e kufomës nga shtëpia, është bërë vetëm kur është dërguar për t’u varrosur).
Megjithatë, dua të shtoj se në dëmtimet me armë zjarri, është më e rëndësishme këqyrja e jashtme e plotë dhe e hollësishme e kufomës.
Sidoqoftë, autopsia do të bënte të mundur zbulimin e saktë të kanalit dhe të indeve dhe organeve të prekura nga kalimi i predhës brenda trupit, të shkakut të vdekjes, me saktësi shkencore si dhe të gjetjes së ndonjë lënde toksike eventuale, që mund të ishte përdorur para vdekjes.
Në paraqitjen e fotove të shumta të këtij rasti, mungojnë ato të pjesës së pasme të trupit.
Nuk është kryer ekspertimi grafik i letrës së lamtumirës, që viktima mendohet se ka lënë para vdekjes; ajo është zhdukur menjëherë para fillimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Siç dihet, letra e lamtumirës, shkruhet nga personi para kryerjes së vetëvrasjes dhe lihet prej tij, zakonisht në vende që zbulohen me lehtësi, siç pretendohet edhe në rastin e M. Shehut, kur kjo letër u gjet prej të birit, te koka e krevatit ku ndodhej kufoma.
Kjo letër duhet të shqyrtohet me kujdes nga grupi hetimor i vendit të ngjarjes, në origjinalin e saj, me qëllim për të përcaktuar se ajo me të vërtetë është shkruar ose jo, nga dora e vetëvrasësit.
Për këtë, ajo duhet t’i nënshtrohet edhe ekspertimit grafik krahasues, me qëllim për të përjashtuar falsifikimin, apo ndërhyrjen e një dore të huaj në përpilimin e saj, siç ndeshet në mjaft raste, të fshehjes së vrasjeve.
Kjo madje edhe në ato raste, kur kjo letër përmban të pasqyruara mendimet e vetë viktimës, që mund të jenë shkruar nga vetë viktima, kur ka qenë gjallë, por që më pas, janë manipuluar nga vrasësi.
Këto rezerva që vënë në dyshim vërtetësinë e letrës së lamtumirës, mund të kenë qenë edhe në letrën e supozuar të lamtumirës së M. Shehut. Aq më tepër, që kjo letër e gjetur në vendin e ngjarjes, u zhduk menjëherë nga organet e partisë dhe shfaqet pas 21 vitesh, nga kjo ngjarje.
Për këtë letër që dyshohet ekzistenca e saj, sepse nuk është përshkruar fare në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, por edhe sikur të ketë pasur një letër të shkruar nga viktima, duhet të ishte vepruar sipas të gjitha rregullave të kodit të procedurës penale, të marrjes dhe ruajtjes së saj si provë materiale.
Prandaj kjo letër e shfaqur pas 20 e ca viteve nga vdekja, nuk do të ketë, në këto kushte, asnjë vlerë, nga pikëpamja hetimore, për një vdekje të tillë me dhunë.
Nuk është kryer një eksperiment hetimor për rindërtimin e ngjarjes, pozicionit që ka pasur viktima në momentin e qitjes, kjo me anë të përcaktimit të trajektores së predhës vdekjeprurëse, nga trupi deri te vendi ku ajo u gjet, në pjesën e sipërme të dyshekut, afër kreut të tij.
Le të imagjinojmë me të dhënat që kemi, sesi duhet të ketë qenë kjo trajektore dhe pozicioni i viktimës.
Kështu, në vrimat e plagës me armë zjarri, në anën e majtë të gjoksit dhe shpinës të këtij rasti, vrima e daljes, ndodhet pak më poshtë dhe më brenda (më afër vijës së mesit), kundrejt asaj të hyrjes. Kjo tregon se; kalimi i predhës në trup, ka qenë jo vetëm nga para-prapa, por dhe nga sipër – poshtë dhe nga jashtë – brenda, d.m.th., nga e majta, në të djathtë (jo nga e djathta në të majtë, sikurse është shkruar gabimisht, në aktin mjeko-ligjor).
Me këto konstatime të pasqyruara edhe në konkluzionin e aktit mjekoligjor përkatës, duke marrë parasysh që; plumbi është gjetur 23 cm. nga kreu i krevatit, në çarçafin e dyshekut të krevatit, qitja në pozicionin shtrirë në kurriz e viktimës, mbi këtë krevat, është e pamundur të realizohet, sepse me drejtim nga sipër – poshtë, në këtë pozicion, predha do të shkonte më afër mesit të krevatit dhe jo pranë pjesës së sipërme të tij, ku u gjet.
Më e mundshme do të ishte që; pozicioni i viktimës në momentin e qitjes, të ketë qenë ndenjur, afër pjesës së mesme të krevatit, me gjysmën e sipërme të trupit, në pozicion të ngritur.
Në mbështetje të idesë që ka qenë ky pozicioni i viktimës, në të cilin ajo duhet të ketë ndenjur për një farë kohe më të shkurtër ose më të gjatë pas qitjes me armë zjarri, është edhe prania e përhapur e gjakut ne trajte njollash, në pjesët e poshtme të teshave, poshtë vrimave të predhës.
Në të vërtetë ky pozicion ndenjur i viktimës në momentin e qitjes me armë zjarri, do të vërtetohej më me saktësi po të ishte kryer menjëherë, ose dhe më vonë pas ngjarjes, eksperimenti hetimor, duke përdorur një fije spangoje ose, drite lazer, të vendosur ose lëshuar sipas këndit të kësaj qitjeje dhe lartësisë së dëmtimeve, në qëndrimin ndenjur të viktimës, drejt vendit ku u gjet predha.
Regjioni ku është vrima e hyrjes së plagës me armë zjarri, në anën e majtë të sipërme të gjoksit, takohet, si në rastet e vetëvrasjeve, ashtu dhe në ato të vrasjeve. Diferencën e bën drejtimi i qitjes, apo i kalimit të predhës në trup.
Pikërisht, ky ka qenë një nga arsyet që është kryer nga ana jonë, një studim mbi rolin e drejtimit të qitjes, në dallimin e vrasjes nga vetëvrasja, i paraqitur në këtë libër.
Nga literatura përkatëse dhe përvoja e gjatë mjeko-ligjore dhe kriminalistike e vendit tonë, po kështu nga përvoja time personale, dhe studimi i mëparshëm i sapo përmendur, vetëvrasësi, synon të ketë një pozicion sa më të volitshëm dhe më të qëndrueshëm të dorës së djathtë, që mban armën me drejtimin e qitjes, nga para – prapa, horizontalisht ose, pak nga sipër dhe nga e djathta, në të majtë.
Sipas të dhënave mjeko-ligjore dhe kriminalistike të vdekjes së M. Shehut, që mbështesin versionin zyrtar të vetëvrasjes, viktima ka qëlluar veten, me armën që mbante me dorën e djathtë, e ndihmuar ndofta nga dora e majtë, që mbante pjesën e përparme të armës (gjetja e gjurmëve të gishtit të madh të dorës së majtë të viktimës, te pjesa e përparme e armës).
Kjo për faktin që arma u gjet e hedhur, në anën e djathtë të krevatit, pozicioni i dorës, në atë shtangësisë kataleptike (për mendimin tim, pa ndonjë bazë shkencore) dhe pranisë së barutit në gishtin e madh të dorës së djathtë (konstatim ky i pavërtetuar, qoftë edhe me një analizë të thjeshtë laboratorike), për të përjashtuar një prejardhje tjetër, siҁ mund të ketë qenë edhe një njolle boje shkrimi (natën para se të gjendej i vdekur, kryeministri kishte përgatitur me shkrim autokritikën, që do bënte të nesërmen në mbledhjen e Byrosë Politike, ku gjatë shkrimit, duhet të ketë njollosur me bojë thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë).
Me këto të dhëna, në versionin e vetëvrasjes, drejtimi i qitjes, sipas pozicionit më të volitshëm, të dorës së djathtë që mbante armën (sipas familjarëve, kryeministri dorën e djathtë, e kishte dominante), duhet të kishte qenë nga para – prapa dhe horizontalisht, ose për nga sipër dhe nga e djathta në të majtë.
Por ky drejtim, nuk është konstatuar në rastin e vdekjes së Mehmet Shehut. Ai ka qenë nga para – prapa, por jo horizontal ose nga poshtë – sipër, por nga sipër – poshtë dhe jo nga e djathta në të majtë, por nga e majta në të djathtë.
Ky drejtim qitjeje, me të dhënat e tjera të pozicionit të viktimës, flet në mënyrë të qartë, se ky është një rast vrasjeje.
Pra mundësia më e madhe, është që vdekja e Mehmet Shehut, të ketë qenë vrasje. Një version më i pranueshëm, është që ekzekutori, të ketë qenë më këmbë, në të majtë të krevatit, më përpara dhe pak më lart vendit, ku qëndronte ulur Mehmet Shehu, pak a shumë përballë tij, dhe e ka qëlluar viktimën me armë zjarri, në anën e majtë të gjoksit, me një drejtim të qitjes më të volitshëm për të: nga para – prapa, nga sipër – poshtë dhe pak nga e majta, në të djathtë, siç ka rezultuar nga ekzaminimet mjeko-ligjore dhe kriminalistike, të kësaj ngjarjeje.
Kjo analizë e materialeve të këtij rasti, mua më përforcojnë bindjen që; vdekja e Mehmet Shehut; duhet të ketë qenë vrasje dhe jo vetëvrasje, në përputhje kjo edhe me të dhënat e tjera (mos lejimi i kryerjes së autopsisë, mospërfshirja në këqyrjen e vendit të ngjarjes, të ndonjë letre lamtumire, për t’u rishfaqur një e tillë pas 21 vitesh, etj.) si dhe mendimin e shprehur të ministrit të Shëndetësisë, kur sapo e këqyri kufomën, si dhe të opinionit pas shumë vitesh, në favor të homicidit, prej mjekut që kishte drejtuar ekspertimin mjeko-ligjor të kufomës së kryeministrit, të marrë indirekt prej një dëshmitari të sigurt. Memorie.al