Hijet e diktaturës: misteri i arratisjeve masive dhe ekoja e vdekjeve të heshtura

Dokumentare

Hijet e diktaturës: misteri i arratisjeve masive dhe ekoja e vdekjeve të heshtura

Nga: DR. QEMAL LAME Më: 26 prill 2024 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Arratisja ka qenë një nga mënyrat kryesore për të shpëtuar nga ndjekja dhe dënimet politike në kohën e socializmit diktatorial. Kodi Penal, neni 47, germa “gj”, e kishte normuar këtë vepër të arratisjes jashtë shtetit, si: “tradhti ndaj atdheut”, me dënime deri me vdekje. Në shtetet e tjera të Evropës Lindore, me sistemin socialist si në Shqipëri, kjo vepër parashikohej si tradhti dhe dënohej me masa të lehta burgimi, ose me gjobë. Sistemi politik i Diktaturës së Proletariatit, që veproi afro 45 vjet në Shqipëri, kishte Kodin Penal, me 12 vepra penale me dënime me vdekje. Ky ishte një nga kodet më të egra në botë.

Gjatë 45 vjetëve, nga viti 1945 deri në vitin 1990, (para ngjarjes së ambasadave), sipas dokumenteve arkivore të dala nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që janë bërë publike pas viteve ’90-të, (nga D. Kaloçi dhe K. Dervishi), janë arratisur më shumë se 14.700 persona. (Në këtë shifër, nuk përfshihen të larguarit në vitin 1944, kur u çlirua vendi dhe pushtetin e mori e ashtuquajtura; Qeveria Demokratike Provizore, e udhëhequr nga Enver Hoxha).Janë vrarë nga forcat e kufirit,640 persona. Nga një studim i bërë nga Hetuesia e Përgjithshme, vetëm në vitin 1990, janë vrarë 83 persona, megjithëse ligji u ndryshua. Këto përbëjnë krim shtetëror.

Më 8 maj 1990, u miratua reforma për ndryshimet në Kushtetutë. Në zbatim të saj, me Ligjin nr. 7380, datë 8.5.1990 “Për disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, u hoq nga Kodi Penal “arratisja”, si vepër penale e tradhtisë ndaj Atdheut dhe u normua si: “Kalim i paligjshëm i kufirit”. Neni 127, ndryshohet si vijon: Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit. “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet: – me riedukim nëpërmjet punës, ose me heqje të lirisë gjer në pesë vjet”. Me ligj u shfuqizua arratisja, por mbeti në fuqi Rregullorja e Shërbimit të Kufirit, miratuar me urdhrin e ministrit, nr.01-40, datë 13.10.1989.

Me urdhër të Ramiz Alisë, vazhdoi praktika e vjetër e vrasjeve nga forcat e kufirit, të personave që tentonin të kalonin pa leje kufirin shtetëror. Ky urdhër është theksuar me forcë edhe në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 23 korrik 1990, ku është kërkuar zbatimi me rreptësi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Forcat e Kufirit. (Më gjerë këto probleme, i kam analizuar në librin “Kur shembeshin themelet”, botuar në vitin 2014, nga Shtëpia Botuese “Onufri”).Me këto masa të rënda dënimi, ishte ligjëruar arbitrariteti i pushtetit autoritar, për të mbajtur vendin të izoluar dhe indoktrinuar popullin, me mësimet e “udhëheqësit të dashur”, e duke u mbyllur gojën njerëzve. Ndiqej penalisht dhe dënohej me rreptësi cilido që guxonte të thoshte një fjalë kundër politikës zyrtare dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, të udhëhequr nga Partia e Punës së Shqipërisë, të sanksionuar në Kushtetutë.

Individët që tentonin të ndërmerrnin këtë akt, përballeshin me ndërgjegje me pasojat, duke sakrifikuar jetën në rast se zbuloheshin nga Sigurimi i Shtetit, apo binin në kontakt me forcat e kufirit. Ndërsa arratisjet në grup, ose si familje, kanë qenë shumë të rralla. Ngjarje me jehonë të gjerë është edhe arratisja nga fshatit Vermosh, në datën 10 gusht 1987, në orën 02:00. Dy familje me 17 persona, mundën të arratisen në Jugosllavi, duke kaluar kufirin shtetëror, në pikën kufitare të Velipojës, sektori kuadrat 20.88, të Repartit 299 Tamarë. Ajo mbetet një nga rastet e jashtëzakonshme e të rënda që dëshmojnë për realitetit tragjik të shtetit diktaturës së proletariatit, të gjendjes së rëndë shoqërore dhe të pamundësisë së regjimit, për të plotësuar nevojat elementare të jetesës së popullit.

Kjo ngjarje e paharruar më rikujtoi situatën tronditëse të 36 vjetëve më parë. Me dhimbje ndjeva shqetësimet e përjetuara nga kjo dramë shoqërore, sapo u njoha me shumë interesim, me publikimin me përgjegjësi dhe objektivitet, në Memorie.al, nga gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi. Arratisja e dy familjeve, duke kaluar kufirin pa rënë në kontakt me forcat e kufirit, shkaktoi një shqetësim të dukshëm në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe. Ngjarja në kufirin verior demaskonte politikën e partisë shtet, që pretendonte se njerëzit ishin të lumtur, vinte në dukje gjendjen e rëndë e pasojat e diktaturës dhe revoltën në rritje të popullit për ndryshime, varfërinë e skajshme të një vendi të vogël, në mes të qytetërimit të zhvilluar evropian, por me nivelin më të ulët të jetesës dhe me të drejta e liri të kufizuara e ideologji të imponuar me dhunë shtetërore.

Udhëheqja e partisë-shtet u vu menjëherë në lëvizje, për ta mbajtur ngjarjen të fshehtë dhe duke iu paraprirë interpretimeve në popull, me idenë e veprimtarisë armiqësore. Pa u hetuar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes, vetëm duke u bazuar në të dhënat e para të radiogramit të Degës së Punëve të Brendshme dhe interpretimit nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u vlerësua se; arratisja kishte ndodhur, si pasojë e veprimtarisë armiqësore, e nxitur nga Zbulimi Jugosllav.

Analizat e arratisjeve, bëheshin përgjithësisht me mbivlerësimin pa vend të këtij versioni politik, që ishte ngulitur thellë në mendjen e udhëheqjes dhe ishte bërë “busulla e orientimit”, të Sigurimit të Shtetit e të Forcave të Kufirit. Praktikisht vihej në plan në dytë, ose liheshin me qëllim në heshtje problemet e vërteta ekonomike e shoqërore. Me këtë gjykim të njëanshëm, edhe në rastin në fjalë, u dha porosia e menjëhershëm nga Ramiz Alia, që të shkohej në vendin e ngjarjes, të merreshin të dhëna konkrete nga puna agjenturore, reagimet e oficerëve e ushtarëve të pikës kufitare dhe të njihej situata politike në popullin e zonës. Për këto probleme, ndryshe nga herët e tjera që priteshin raportet nga Dega e Punëve të Brendshme, komanda e Kufirit e Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u urdhërua të shkonin menjëherë në vendin e ngjarjes, drejtuesit e Degës së Punëve të Brendshme dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Xhemal Dymylja.

Nga Tirana, u nisën me helikopterin e Ministrisë së Brendshme, ministri Hekuran Isai dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSHsë (për organet e diktaturës), Simon Stefani. Ngjarja e jashtëzakonshme, nuk mund të mbetej sekret për banorët e Vermoshit. Pas dy apo trI ditëve, ajo u bë e njohur edhe në zonën e mbi dhe nën Shkodrën, në Lezhë e deri në Tiranë, Durrës, Elbasan, Librazhd, Pogradec, Korçë, etj., kudo ku mund të arrinin dhe kërkoheshin nga të interesuarit, valët e stacioneve televizive jugosllave. Pothuajse gjithë populli, u njoh me intervistën e dhënë prej disa pjesëtarëve të familjeve Vushaj dhe Lelçaj në televizionin shtetëror të Malit të Zi, Radio Televizioni Titogradit.

Hetuesia u njoftua me vonesë nga Dega e Punëve të Brendshme, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes, përfaqësuesit e udhëheqjes së lartë partiakë e shtetërore. Sipas ligjit në fuqi, kërkohej të bëhej menjëherë njoftimi i hetuesisë së rrethit. Megjithatë, u morën masa që hetimi të bëhej në kohë dhe të vlerësoheshin me përpikmëri të dhënat, faktet e provat në bazë të kritereve ligjore, si dhe të evidentoheshin me përgjegjësi edhe problemet shoqërore, që kishin ndikuar për arratisjen.

Vlerësimi i drejtë i ngjarjes dhe evidentimi i shkaqeve e motiveve, ishte i domosdoshëm për t’u realizuar hetime objektive dhe nxjerrë përfundimet përkatëse. Kjo ishte me shumë përgjegjësi në raport me udhëheqjen, por sidomos me të vërtetën.

Kërkohej vlerësim profesional, pa u ndikuar nga gjykimet shabllone të veprimtarisë armiqësore.Me njohuritë që kisha për kriminalitetin në atë zonë dhe kontaktet personale me individë e popullin e zonës, lidhjeve me drejtuesit e partisë, të pushtetit e të Degës së Punëve të Brendshme, vlerësoja natyrshëm mundësinë e ndikimit të veprimtarisë armiqësore, të veprave kundër pronës e ato të jetës e shëndetit. Në mënyrë të veçantë, më tërhiqte vëmendjen dhe më shqetësonte gjendja ekonomike dhe kushtet e rënda të jetesës së banorëve.

Kur po udhëtoja për në Vermosh, ishte afërsisht ora 14:00. Në të hyrë të fshatit Lëpushë, pashë një familje me gjashtë anëtarë të ulur në anë të arës së mbjellë me misër. U ndala dhe i përshëndeta. Më njohën dhe më pritën me dashuri…! Më ftuan të hanim bashkërisht drekë dhe pranova me kënaqësi. Kishin marrë me vete nga shtëpia, bukë misri, qepër, gjizë, dhallë e rrush. E kujtoj këtë drekë, si një nga më të shijshmet në jetën time. Më folën vetë, për shqetësimet e krijuara që ishin përhapur në fshat për ngjarjen e arratisjes së dy familjeve. Në njohjen reale të ngjarjes së arratisjes dhe shkaqeve të vërteta, më ndihmonin edhe kontaktet me dy familje nga Selca e Lëpusha, që kisha ruajtur që nga koha kur kisha qenë si vullnetar në aksionin për hapjen për herë të parë të rrugës automoblistike.

Këta njerëz të dashur e patriotë, tregonin për vështirësitë e mëdha ekonomike, por nuk ankoheshin, nuk akuzonin. Përkundrazi, ishin optimistë dhe njëkohësisht kishin besimin se Partia dhe pushteti, do të përmirësonin gjendjen. Mendimet dhe reagimet e njerëzve tregonin se vështirësitë e punës e të jetesës ishin të dukshme, por nuk diskutohej hapur me ndjenja pakënaqësie, apo deri në armiqësi. Në vitet ’80-të, populli kudo ndjente rëndimin çdo ditë e më shumë, të gjendjes ekonomike e mungesën e ushqimeve, të racionuara si në kohë lufte. Në të gjitha qytetet e vendit, plotësoheshin nevojat elementare, me listat e tallonat, ndërsa në fshat, nuk bëhej ky trajtim. Fshatarëve që u ishin marrë toka dhe ju ndaluan bagëtitë e, deri pulat, ju dhanë dy dynym tokë dhe u lejuan të mbanin dy apo tri kokë bagëti të imta, dele ose dhi.

Megjithëse ishte e ndaluar zyrtarisht dhe mund të dënoheshin, fshatarët filluan të rrisin derrat. Për zonat katolike e në Malësinë e Madhe, ishte me të vërtetë një tragjedi, ndalimi i bërë për mbajtjen e derrave. Në zonën e Shkodrës, fshatarët i mbanin derrat e fshehur në banesë, e flinin pothuajse bashkë me ta. Kështu arrinin të shmangnin edhe reagimet nga organet e pushtetit dhe ato të Punëve të Brendshme. Nga të dhënat e marra dhe analizuara me shumë përgjegjësi, doli qartë se në arratisjen në Vermosh, problemi kryesor ishin gjendja e rëndë ekonomike dhe lënia në harresë e plotësimit të nevojave më elementare të banorëve të asaj zone të thellë, që punonin gjithë ditën dhe nuk arrinin të ngopeshin me bukë misri, pasi buka e grurit, ishte vetëm për qytetarët. Mungonin edhe qumështi e produktet e tij.

Vlerësimi i drejtë i ngjarjes, evidentoi natyrshëm përfundimin, se këto dy familje, nuk u arratisin të nxitur nga motive politike dhe si reagim për shkak të armiqësisë me regjimin.

Arratisja kishte lindur si ide kohët e fundit dhe ndikuar për shkak të gjendjes së rëndë të jetesës, e keqtrajtimit nga organet e pushtetit e të ekonomisë. Familjet kanë pasur marrëdhënie jo të mira me drejtuesit e organeve të pushtetit e të ekonomisë së zonës e të kooperativës bujqësore. Më 16.9.1986, Këshilli Popullor ka rrethuar me persona të armatosur shtëpinë e Zef Vushajt, me pretekstin për të gjetur fasulet, që dyshohej se i kishte vjedhur djali i tyre, Doda. Në fakt, kjo vjedhje u hetua, por nuk u vërtetua përgjegjësia për të akuzuarit nga Sigurimi, drejtuesit e Kooperativës dhe Këshilli Popullor.

Këto përfundime i parashtrova te sekretarët e Komitetit Qendror, Kryeministri dhe personalisht Ramiz Alisë. U pranuan problemet për gjendjen ekonomike, por nuk u vlerësuan si kryesore. Insistohej në veprimtarinë armiqësore të brendshme dhe ndikimin e ndërhyrjen agjenturore nga jashtë, kryesisht UDB-së Jugosllave. Më datën 20.08.1987, paraqita zyrtarisht analizën dhe përfundimet për shkaqet e ngjarjes dhe masat e marra nga hetuesia. Analiza u analizua në sekretariat dhe në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Përsëri, mbeti në plan të parë veprimtaria armiqësore dhe u kërkua një analizë tjetër e hollësishme, nga ministri i Brendshëm.

Nga udhëheqja, nuk pati dëshirë që të thellohej analiza dhe të reflektohej në shkaqet e gjendjes së rëndë ekonomike dhe të merreshin masa konkrete, për të ndryshuar gjendjen në këtë zonë të thellë malore e në gjithë vendin. Vendi po përjetonte krizën e thellë ekonomike e shoqërore. Shteti dhe ekonomia ishin në prag të falimentimit dhe të shpërbërjes së pandalshme kaotike e katastrofike. Nga Komiteti Qendror nuk u dhanë orientime të sakta për përmirësimin e gjendjes. Ngjarja e arratisjes, nuk u bë shkak për të reflektuar dhe ndryshuar sadopak gjendjen me mundësitë e asaj kohe. Përkundrazi, u reagua me metodën e goditjes pa mëshirë të njerëzve të dyshuar e piketuar padrejtësisht. U kryen veprime që acaronin opinionin shoqëror dhe posaçërisht familjet e deklaruara si armiqësore. Më datë 5.9.1987, me urdhër të Këshillit Popullor, familjes së Zef Vushaj, i është shkulura gardhi dhe disa metra të mbjella me patate në oborrin kooperativist, duke e akuzuar se ka më shumë nga sa e përcakton statuti i kooperativës. Megjithëse kjo familje përbëhej prej 12 vetësh, vetëm njeri punonte në ndërmarrjen shtetërore, të tjerët punonin në Koperativën Bujqësore. Në këto kushte, pa të ardhura të mjaftueshme financiare, familja ishte më e varfër ekonomikisht, se familjet e tjera në Vershosh, të cilat jetonin me disa kushte e të ardhura më të mira. Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit, nuk u interesuan në vazhdimësi dhe nuk morën masa efektive, në ndihmë të familjeve me të ardhura të pakta financiare.

Në tërësi organet lokale të pushtetit e të ekonomisë, nuk kanë vlerësuar dhe nuk kanë gjetur rrugët e zgjidhjes e kapërcimit të kontradiktave dhe përmirësimit të mundshëm të gjendjes ekonomike të kësaj familjeje, si dhe të familjeve të tjera me kushte të përafërta. Po të ishte vlerësuar me përgjegjësi gjendja ekonomike e shoqërore dhe të dëshmohej respekti, besimi dhe dashamirësia për të përballuar bashkërisht vështirësitë e kohës, me siguri do të ishin gjendur zgjidhjet e mundshme dhe do të parandalohej arratisja masive. Banorët e fshatit do të ndjenin kujdesin dhe do të ishin më të motivuar për situatën që jetonin e të mund të kontribuonin për ndryshime. Për të gjitha këto arësye etj., përgjegjësia kryesore ka qenë dhe mbetet e udhëheqjes qendrore të partisë shtet në Tiranë. Me radhë, kanë pasur përgjegjësinë e tyre institucionet e tjera qendrore e lokale partiake e shtetërore, të ekonomisë e të veprimtarisë së njëanshme agjenturore. Kjo familje u detyrua, më saktë u imponua, që të sakrifikojë edhe jetën e pjesëtarëve të saj me arratisjen. Është i gabuar përfundimi me mbivlerësimin e veprimtarisë armiqësore, që i dha mundësi armikut për të hedhur këtë familje, në armiqësi të plotë me rendin shoqëror socialist.

Gjykime dhe metoda të gabuara, kanë qenë manovrat për të anashkaluar gjendjen e rëndë ekonomike e shoqërore duke vënë në fokus veprimtarinë e zbulimeve të huaja. Edhe në këtë arratisje nga Ministria e Punëve të Brendshme vihet theksi padrejtësisht në predispozicionin armiqësor të pjesëtarëve të familjes, të cilën duhet ta ketë njohur, shfrytëzuar, nxitur dhe organizuar Zbulimi Jugosllav. Nxitja pretendohej se mund të jetë bërë edhe nga vizitori i shkuar në Vermosh, Gjon Nikçi, që banonte në Nju York të SHBAsë. Shkak tjetër vihej në dukje se mund të jenë edhe veprimet sektare të kryera ndaj njërës familje, Zef Vushës.Me këto ide, mënjanoheshin konkretisht edhe përgjegjësitë për zbulimin, parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të cilësuar të mprehtë e armiqësore. Sektori operativ shfajësohet me argumentet se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme dhe nuk ishte në kontakt me gjendjen e përgatitjen e kësaj veprimtarie armiqësore.Në mangësitë e kufirit thuhej, se; nuk kanë qenë të plota dhe efektive, masat për ruajtjen e kufirit shtetëror. Dihet se kufiri shqiptar, ka qenë nga më të ruajturit, rrethuar me tela me gjemba, me klon elektronik, i fortifikuar me transhe dhe qendra zjarri, bunkere, vend-strehime, etj.

Në periudhën 45-vjeçare të socializmit, është vërtetuar dhe dokumentuar veprimtaria subversive e hapur armiqësore e Federatës Jugosllave dhe ajo e fshehtë e Zbulimit Jugosllav kundër Shqipërisë e kombit shqiptar në përgjithësi. Zbulimi Jugosllav ka vepruar intensivisht dhe me të gjitha mjetet e mundshme njerëzore e teknikën e kohës ndaj vendit tonë. Por kjo agjenci vetë dhe në bashkëpunim edhe me zbulime të tjera, nuk kanë arritur të imponojnë legjendat agjenturore dhe qëllimet politike të Beogradit ashtu si pretendohet nga drejtuesit e organeve të Punëve të Brendshme. Ky përfundim dhe kjo e vërtetë, vlen të vihet në dukje edhe për zonën e Vermoshit.

Raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vë në dukje disa fakte, por nuk thellohet në analizën që kërkohej të ishte bërë. Përmendet dhe pranohet se Zbulimi Jugosllav, ka tentuar të komprometojë nga radhët e forcave tona në Seferçë e Lëpushë, ka nxjerrë femra në vijën e kufirit, u arratisën 3 barinj në Seferç në vitin 1985, u arratisën në maj të këtij viti, ushtari i pikës kufitare Kuadrat, etj. Këto raste të shkëputura vlerësohen për të vënë në dukje intensitetin e veprimtarisë agjenturore, me atë që do të nxisnin arratisje të tjera, për të dhënë goditje të forta, siç dha konkretisht. Ministria e Punëve të Brendshme, vinte në lëvizje gjithë mekanizmin e saj dhe reagonte me raporte për udhëheqjen, për çdo ngjarje.

Siç vërteton edhe analiza për ngjarjen në Vermosh, ka munguar aftësia për të parashikuar masa efektive konkrete. Pranohet dhe theksohet ideja e rëndomtë, se nuk është lidhur veprimtaria keqbërëse me atë armiqësore. Theksohet se në Vermosh ka pasur vjedhje, raste imoraliteti, grindje, modë, hapje stacionesh të huaja. Këto të vërteta, janë trajtuar thjesht si dukuri që çojnë në veprimtari armiqësore, që këto veprimtari mund të nxisin Zbulimin Jugosllav, nëpërmjet agjenturës së tij në Vermosh apo vizitorëve. Këto argumentime kanë qenë të njohura në atë kohë dhe përmendeshin në çdo rast kur kërkohej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Degët e Punëve të Brendshme në rrethe, përgjegjësi konkrete për arratisjet. Ndërsa praktikisht nga mekanizmat agjenturore, nuk zbuloheshin veprimtari të mirëfillta agjenturore. Për të tërhequr vëmendjen e popullit dhe mbajtur të tendosur ndjenjën e frikës, bëheshin inskenime me ndjekje të diversantëve e shkelësve të kufirit. Këto manovra taktike operative, të përdorura shpesh dhe pa vend, krijonin shqetësime në popull për sigurinë e jetës e rendin, dobësonin besimin te forcat e Kufirit e sidomos te Sigurimi i Shtetit, që pretendonte se zbulonte dhe godiste në kohë çdo armik e keqbërës.

Kufirin e ruanin forcat e shumta ushtarake të Kufirit të drejtuara nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ato mbështeteshin edhe nga njësitë e Korpuseve, Brigadave, Regjimenteve, anijet luftarake, etj., të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Për këtë qëllim, ishte krijuar edhe komanda e re, me efektiv të shtuar, në Tamarë. Si dobësi përmendet moskryerja në kohë e punimeve xheniere, për ndërtim urash, që të lëvizin njësitet, e të mos shkojnë në fshat. Kjo dobësi vihet në dukje për t’u shfajësuar, pasi fortifikimi ka qenë edhe në këtë zone, madje i shumtë.

Është fakt e vërteta, se roli i popullit në mbrojtjen e kufirit, ka qenë i madh. Nga zonat kufitare, ka pasur arratisje të rralla nga banorët vendas, si p.sh., arratisja e bujshme nga Vermoshi e Nikoll Pjetër Gjeka (Hysaj) në vitin 1979 etj.

Viti 1990 është më i përgjakshmi në historinë e arratisjeve nga kufiri. Nga 640 persona të vrarë gjatë 45 vjetëve, vetëm në vitin 1990, janë vrarë 93 persona, nga të cilët në tentativë arratisje, 33 veta para datës 8 maj dhe 60 të tjerë, në tentativë të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror. Kanë ndodhur 6 herë më shumë vrasje, se në çdo vit tjetër, megjithëse u ndryshua neni 47 i Kodit Penal dhe u hoq arratisja, duke u parashikuar si “kalim i paligjshëm i kufirit” në nenin 127.Në hetimin, gjykimin dhe dënimi e personaliteteve më të rëndësishme të shtetit të diktaturës së proletariatit, në vitin 1993, çuditërisht nuk është hetuar dhe nuk është kërkuar fajësi për vrasjet në kufi. Në historinë e shtetit shqiptar, arratisjet mbeten një krim i rëndë i padënuar i shtetit të diktaturës.

Duke u kthyer te ngjarja në fjalë, historia ka treguar dhe dëshmon për atdhedashurinë e patriotizmin e banorëve të atyre anëve, për vendin e tyre dhe ruajtjen e kufirit shtetëror, nga veprimtaria e shtuar e shteteve fqinje, me politikë shoviniste që vazhdojnë të realizojnë ëndrrën e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Të arratisurit nga Vermoshi (familja e Zef Gjergj Vushaj dhe Mark Pashko Lelçaj) migruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koha tregoi se ata qëndruan besnikë të ndjenjave të tyre atdhetare. Ata dhe të afërmit e tyre, si dhe banorët në tërësi të zonës, kanë kontribuar dhe vazhdojnë me përkushtim të zhvillojnë e përparojnë këto treva me bukuri e pasuri natyrore. Përgjithësisht emigracioni politik ka ndikuar në ndryshimin e rendit shoqëror dhe në transformimin ekonomik e shoqëror.

Emigracioni është baza e fuqishme që i jep impulse zhvillimit e përparimit dhe kontribuon financiarisht për familjet dhe buxhetin e shtetit. Krahas këtyre anëve pozitive, është me rëndësi jetike që të mbrohet kombi nga migrimi masiv që rrezikon të sotmen dhe të ardhmen. Dy shtete shqiptare, Shqipëria e Kosova, si dhe faktori shqiptar në rritje në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi, është e domosdoshme të reagojnë për standarde të jetesës e punësimit, për të ruajtur ritmet e rritjes së popullsisë, uljen e migrimit masiv që ka marrë përmasa kërcënuese, të cilat rrezikojnë të ardhmen e kombit. Hapjen e kufijve, lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian dhe shtetet e tjera të zhvilluara, ta shfrytëzojmë për të përfituar nga të mirat e qytetërimit ku bëjmë pjesë dhe të zhvillojmë shtetin e kombin, ashtu si edhe vendet e tjera. Shqipëria dhe kombi shqiptar janë të bërë nga natyra që na e ka dhuruar për ta gëzuar. Kemi për detyrë ta zhvillojmë e përparojmë. Të vazhdojmë traditën e qytetërimit të lashtë që u bë modeli i përparimit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat