Bardhyl Çipi është një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, si dhe në mësimdhënien dhe përgatitjen e ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij përfshijnë viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, të ndihmuar nga qeni i tij besnik për zbulimin e kufomës së tyre të fshehur, gruan e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët sepse kërkonin të jetonin të lirë, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, dhe profesorin e universitetit të Tiranës i cili u grabit dhe u vra.
Ai ka shkruar një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Në punën e tij, ai ka dokumentuar vdekjet e personave të shquar si Kennedy, Lincoln, Napoleon, Lenin, Trotsky, etj., dhe ka trajtuar ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm.
Bardhyl Çipi ka njohuri të thella mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe mbi ekzaminimin e kufomave nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, dhe juridike. Disa nga librat e tij të fundit përfshijnë "Manuali i Mjekësisë Ligjore" (2015), "Bioethics in Albania Nowadays" (2016), "Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore" (2018), dhe "Mjekësia Ligjore Kriminalistika" (2020).
Mjekësia ligjore numrin më të madh të ekzaminimeve e kryen te personat e gjallë për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme dhe të shumta të tyre. Ndërsa ekzaminimet e kufomave janë shumë më të pakta, në krahasim me ato të personave. Por rëndësia e tyre është shumë më e ndjeshme, sepse kanë të bëjnë me vdekjen, që është e keqja më e madhe që i ndodh qenies njerëzore, si dhe me çështjet e vdekjeve kriminale, shpesh mjaft të ndërlikuara, sidomos me ato kur duhet zbuluar autori i vrasjes.
Unë kam marrë pjesë në një numër shumë të madh të këtyre ekzaminimeve, që në vitet e para pas diplomimit tim në mjekësi, pa lidhje këto me persekutimet dhe vdekjet kriminale të të viktimave të regjimit të mëparshëm. Më pas i kam vazhduar ato në mënyrë shumë intensive, pas emërimit mjek ligjor në katedrën dhe Shërbimin e Mjekësisë, që u quajt më vonë Instituti i Mjekësisë Ligjore. Një pjesë të madhe të tyre i kam kryer në bashkëpunim me kolegët e tjerë mjeko-ligjorë dhe kriminalistë.
Njëkohësisht, pas vitit 1990, me përmbysjen e regjimit komunist, m’u krijua mundësia, gjatë specializimeve të mia në Francë: në Institutin Mjekoligjor të Parisit, Shërbimin Mjekoligjor të spitalit R. Poincare në Garches të Parisit, departamentin e Mjekësisë Ligjore të universitetit të Lionit; në Zvicër: në Shërbimin Mjekoligjor të qytetit të Gjenevës, dhe në Kosovë: në departamentin e Mjekësisë Ligjore të fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në të gjitha këto, të kem asistuar dhe të kem marrë pjesë në ekzaminimet mjekoligjore të vdekjeve të shumta, të llojeve të ndryshme.
Përveҁ kësaj, gjatë aktiviteteve të shumta shkencore në vendet e ndryshme të Evropës dhe Afrikës, kam vizituar shërbimet, institutet dhe departamentet universitare mjekoligjore të Kroacisë: në Zagreb dhe Dubrobnik, të Polonisë: në Varshavë dhe Krakov, të Greqisë: në Heraklion të Kretës dhe Athinë, të Ukrainës: në Kiev, të Maqedonisë: në Shkup dhe Tetovë, të Turqisë: në Stamboll, të Gjermanisë: në Duseldorf, të Egjyptit: në Kajro, etj.
Të gjitha këto, së bashku me pjesëmarrjet dhe prezantimet në kongrese, konferenca, trajnime të shumta në fushat e shkencave forense dhe mjekësisë ligjore, si dhe në disa projekte kombëtare dhe ndërkombëtare të këtyre fushave, më kanë shërbyer që unë të kem arritur një formim sa më të plotë në këto disiplina.
Pas vitit 2015, kur dola në pension, unë po vazhdoj përsëri intensivisht të marr pjesë në shqyrtimin e këtyre rasteve, jo me anën e kryerjes së autopsive, por me studimin e problemeve që kanë dalë prej tyre, ose kanë mbetur të pasqaruara, si dhe me analizën mjeko-ligjore të ngjarjeve të veҁanta me vlera historike, si dhe shumë ҁështjeve të tjera.
Rezultatet e ekzaminimeve të panumërta të rasteve të vdekjeve nga vrasjet, vetëvrasjet, aksidentet, vdekjet e papritura, mbetjeve kufomore të panjohura, etj., në një pjesë të madhe të tyre, unë i kam prezantuar edhe në disa botime të mëparshme, si p.sh.; “Manuali i mjekësisë ligjore”, “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore”, etj.
Në vazhdim, unë po paraqes, disa prej tyre që mendoj që kanë qenë më interesante, duke përfshirë edhe disa raste të Dr. Spiro Çipi.
Grabitja dhe vrasja e Profesorit
Një rast i praktikës mjeko-ligjore të vendit tonë të fundit të viteve 1980, ka të bëjë me grabitjen të pasuar me vrasjen e një shtetasi të moshuar mbi 70 vjeç, profesor në universitetin e Tiranës, që u gjet i vdekur rreth orës 23.00, në apartamentin e tij në qytetin e Tiranës.
Në këqyrjen e plotë të kufomës në vendin e ngjarjes dhe më pas në morg, e cila paraqitej në gjendje kalbëzimi (stadet ngjyrore dhe të fryrjes), u konstatua prania në gojën dhe faringun e viktimës, të pjesës fundore të njërës këmbë të një pantalloni doku të vjetër e të grisur, si dhe shenjat e jashtme dhe të brendshme të asfiksisë; dëmtime të tjera nuk kishte, kurse ekzaminimi toksikologjik, rezultoi negativ.
Këto të dhëna vërtetuan se vdekja ishte shkaktuar me anën e vrasjes, nga asfiksia mekanike, duke i zënë rrugët e frymëmarrjes me një trup të huaj prej materiali të butë dhe se ky krim, kishte ndodhur disa ditë më parë.
Në ndjekjen e këtij rasti, një rëndësi të veçantë patën të dhënat e karakterit psikologjik, që u nxorën nga këqyrja e vendit të ngjarjes, të cilat ndihmuan në sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e autorit të kësaj vrasjeje, kriminale.
Kështu, në fillim kjo ngjarje u bë e njohur nga fakti se mori zjarr dera e jashtme e apartamentit të viktimës, ku pas hapjes së saj, u konstatua se ishin djegur disa tesha në korridorin pranë derës së jashtme të apartamentit. Kjo tregonte që, me mundësinë më të madhe, ky zjarr të ishte vënë qëllimisht nga vetë autori i krimit, për njoftimin e tij, disa ditë pas kryerjes së vrasjes.
Në njërën nga dhomat e apartamentit, u gjet kufoma e shtrirë sipër tri gazetave të shtruara mbi dyshemenë prej pllakash çimentoje. Dhomat e tjera të këtij apartamenti u gjetën rrëmujë, me të gjitha dollapet dhe sirtaret e hapura, me plaçkat e nxjerra prej tyre dhe të hedhura në mënyrë të çrregullt. Këto veprime, ishin kryer për të marrë sendet me vlerë, që mund të kishte pasur viktima, si dhe paratë.
Profesori duhet të ishte mjaft i pasur edhe nga të ardhurat që merrte nga shitja e librave të shumta që botonte. Por këto shuma të mëdha parash, që nuk i mbante në shtëpi, u gjetën në disa libreza kursimesh që u zbuluan gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Nga ana tjetër, i gjithë apartamenti ishte shumë i pistë, i pa pastruar prej një kohe të gjatë, me insekte të ndryshme dhe rrjeta të mëdha merimangash, sidomos në cepat midis mureve dhe tavanit.
Një paraqitja e tillë e apartamentit tregonte se viktima që jetonte vetëm atje, nuk kujdesej fare për të, gjë që shpjegohet me faktin se ai ishte i moshuar dhe ndofta vuante nga skleroza senile.
Gjetja e të gjitha plaçkave të hedhura në tokë, tregonin se autori i krimit kishte kërkuar atje për të gjetur sendet me vlerë të viktimës, pasi e kishte mbytur më parë atë. Nga ana tjetër, gjetja e viktimës të shtrirë mbi gazetat e shtruara, flisnin se vrasësi kishte treguar një farë kujdesi për viktimën.
Po kështu vënia e zjarrit derës së apartamentit, duhet të ishte bërë siç duket me qëllim për të njoftuar këtë ngjarje, shprehje kjo e keqardhjes së autorit të krimit, që kufoma të mos lihej të dekompozohej më tepër.
Pra, të gjitha këto konstatime të karakterit psikologjik, tregonin se autori i kësaj vrasjeje, duhet të ishte një person i njohur dhe ndofta i afërt i viktimës, të dhëna këto që ndihmuan në kërkimin dhe zbulimin e tij.
Vdekja e papritur e një shtetasi, në një fshat të Tiranës!
Në vitet 1980, në një kodër që ndodhej mjaft larg një fshati të Tiranës, gjendet i vdekur një shtetas i njohur, me moshë 44 vjeç, banor i këtij fshati. Viktima u gjet në një vend në formë grope, i shtrirë përmbys në tokë, me fytyrën e lyer me gjak dhe pranë saj ndodhej një çifte dhe dy gëzhoja fisheku çifteje.
Në pamjen e parë të vendit të ngjarjes, të krijohej përshtypja e një vdekjeje me armë zjarri: çiftja me gëzhojat e saj pranë trupit, që tregonte se me të ishin bërë dy qitje, gjaku në fytyrën e viktimës, që ngrinte versionin e një dëmtimi mekanik eventual.
Por nga një këqyrje e kujdesshme e kufomës në vendin e ngjarjes dhe në morg, nuk u konstatua asnjë lloj dëmtimi mekanik, ose me armë zjarri. Po kështu ekzaminimi toksikologjik, rezultoi negativ.
Por u vu në dukje një sklerozë e përparuar, me një ngushtim të theksuar të arterieve koronare të zemrës, si dhe shenjat e një vdekjeje asfiktike. Të gjitha këto, së bashku edhe me rezultatet e ekzaminimit histologjik, flisnin për një vdekje të shpejtë të tipit asfiktik, si rezultat i çrregullimit të punës së zemrës.
Nga ana tjetër, gjaku në fytyrën e viktimës u pa se vinte nga hundët, që siç dihet ndodh zakonisht në vdekjet asfiktike, siç ishte edhe ky rast. Gjithashtu nga thëniet e familjarëve, viktima ishte larguar nga shtëpia një ditë më parë dhe kishte dalë me çiften e tij për gjah.
Prania e gëzhojave të fishekëve të çiftes, së bashku me armën e gjahut pranë viktimës, me mundësinë më të madhe, mund të shpjegohet me hipotezën, që në momentin që i ka filluar kriza vdekjeprurëse e zemres, viktima mund të ketë arritur të qëllojë dy herë me çifte, me qëllim për të lajmëruar që ta gjenin sa më shpejt, për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Pra një rast tipik ky i një vdekjeje të papritur, të ndodhur në rrethana të panjohura.
Vetëvrasja me një armë atipike, të bërë nga vetë viktima
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitet 1980. Viktima, një person me moshë rreth 60 vjeçare, me profesion tornitor, por që ishte përdorues i pijeve alkoolike, i martuar por me grindje të mëdha me të shoqen, vuante njëkohësisht nga çrregullime psikike.
Në një moment dëshpërimi edhe nga dalja në pension, qëllon veten me qëllim vetëvrasjeje, me një armë zjarri, që e kishte bërë vetë, dhe vdes pas disa orësh.
Ngjarja ndodhi në oborrin e spitalit nr.1 të Tiranës. Viktima, ende i gjallë, u dërgua menjëherë në urgjencën e spitalit nr.2 të Tiranës, ku dha shpirt pas disa orëve.
Unë vajta menjëherë, për të kryer këqyrjen e parë të jashtme të kufomës, të vendosur në në një shtrat portative, në një nga sallat e urgjencës së këtij spitali. Pas kësaj, kufoma u dërgua në morg, ku unë drejtova kryerjen e autopsisë.
Te kufoma u konstatua vrima e hyrjes së predhës në tëmthin e djathtë dhe vrima e daljes, në regjionin parietal të majtë të kokës. Pra drejtimi i qitjes ka qenë nga e djathta në të majtë, nga para prapa dhe lehtësisht nga poshtë sipër.
Në lidhje me distancën, mungesa e faktorëve plotësues përreth vrimës së hyrjes në tëmthin e djathtë, nxirrja e lehtë e buzëve të saj, çrregullshmëria e tyre, si dhe mungesa e stampimit të tytës, tregonin se qitja ishte bërë me puthitje jo hermetike, d.m.th., gryka e armës e kishte prekur lehtësisht lëkurën e tëmthit të djathtë.
Nga ana tjetër, çrregullshmëria shumë e madhe e buzëve të vrimës së hyrjes, dëshmonte për veprimin e një predhe me një energji kinetike shumë më të vogël, se ajo e armëve të zakonshme, gjë që mund të realizohet nga armët atipike, siç ishte edhe arma artizane, e gjetur në vendin e ngjarjes, tyta e së cilës ishte shumë e shkurtër.
Më në fund, prania e pikave të gjakut dhe blozës në dorën e djathtë të kufomës, karakterizonin një vetëvrasje. Në rastin konkret, viktima që gjendej në fazën e dytë të dehjes alkoolike, të vërtetuar nga prania e alkoolit në gjak në sasinë 2.99 g %º, ka mbështetur lehtësisht grykën e armës atipike, të mbajtur me dorën e djathtë, në tëmthin e djathtë dhe ka realizuar qitjen vdekjeprurëse.
Arma e përdorur prej tij, e ekzaminuar nga specialistitë kriminalistë, ka qenë një armë e prodhuar nga viktima në mënyrë artizane, e përbërë nga tyta dhe mekanizmi i shkrepjes. Tyta me gjatësi 6 cm., kalibër 7.62 mm., me një pjesë të filetuar ka folenë e fishekut dhe një rreth unazor në fund.
Mekanizimi i shkrepjes përmban gjilpërën, telin sustë, një vidë, heqësin e këmbëzës së shkrepjes dhe kunjën e tij.
Qitja realizohet duke lëshuar këmbëzën e shkrepjes, e cila e mban gjilpërën e ngrehur. Pas kësaj, gjilpëra godet kapsollën, që pasohet me daljen e plumbit nga tyta, i aftë të shkaktojë dëmtime në distanca të afërta. Memorie.al