“Në qeli m’u vërsulën si të tërbuar pesë policë sepse u shava Enver Hoxhën”- Dëshmia e vajzës që u arrestua pasi bëri kryqin: Ja torturat…!

Dokumentare

“Në qeli m’u vërsulën si të tërbuar pesë policë sepse u shava Enver Hoxhën”- Dëshmia e vajzës që u arrestua pasi bëri kryqin: Ja torturat…!

Nga: Agustin Miraka Më: 29 prill 2024 Në ora: 08:11
Laura Keçi dhe Enver Hoxha

Laura Keçi ishte vetëm 16 vjeç kur e arrestuan dhe më pas dënuan, duke shënuar kështu edhe të vetmen femër shqiptare, që u dënua në moshë kaq të vogël, në vitet e komunizmit në Shqipëri. Pas ndryshimit të kohëve, bashkë me familjen e saj, Laura u zhvendos nga Shkodra në Amerikë, prej nga ka vite pa u rikthyer. Megjithatë, historinë nuk e ka lënë pa rrëfyer, sado që jo të zbardhur në detaje. Katër vite nga jeta e një 16-vjeçareje, parë sot me syrin e një psikologu, të kaluara në burg, nuk do të shlyheshin kurrë nga kujtesa, edhe sikur të ishin nga më të qetat.

Pa marrë në konsideratë vuajtjet e torturat që i janë dashur të heqë, ajo vetë e ka rrëfyer si të tillë përvojën që do kishte dashur të harronte: “Im atë, Gjeto Keçi, ish-luftëtar i Spanjës, lidhur pas idealit të kohës së tij, u zhgënjye shumë shpejt nga sistemi komunist.

Këtë ai e shprehu me zë të lartë dhe indinjatë, çka mjaftoi për ta konsideruar; armik të komunizmit, idealit që ai besoi aq shumë. Bindjet e babait, diktuan dukshëm te unë, gjetën shtrat dhe u zhvilluan ngadalë, por në mënyrë të pandalshme. Që e re ‘hija fajtore’ e babait më ndoqi kudo, isha me një fjalë një vajzë e persekutuar, sado pak ta dija kuptimin e këtij përcaktimi…”!

Kjo ishte arsyeja e parë pse Laura ndodhej nën vëmendjen e Sigurimit. E dyta i vinte nga vetja, por ishte gjithaq e pashmangshme…! “Urrejtjen e madhe që kisha për sistemin komunist, kishte raste që e shfaqja hapur.

Në këtë periudhë, flas për vitin 1973, kohë e ashtuquajtur si ‘Revolucioni Kulturor’, arrita të shpërndaj trakte që kisha formuluar vetë dhe vendosur në fletët e regjistrit të shkollës, të cilat i deponova më vonë në hetuesi…! Dikush më ndiqte.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që fill pasi bëra kryqin para kishës, në sy të dy shoqeve të mia, njëra prej të cilave më denoncoi, ndodhi ajo që ndodhi. Fotografia ime, ishte vënë në Muzeun Ateist.

Edhe pas burgut, fotografinë e kam parë atje. Hetuesi që mori përsipër çështjen, Shyqyri Çoku, do të kishte përballë si ‘armike’ një 16-vjeçare. Gjatë hetuesisë u ushtrua dhunë psikologjike, vështrimi i lemerishëm i hetuesit donte të më gjunjëzonte me çdo kusht.

Kësaj nuk ia arriti kurrë. Donin të përdornin elektroshokun si torturë, por nuk arrita ta provoj, sepse si kundërpërgjigje, bëra grevën e urisë, ku ndenja 75 orë pa ngrënë. Më futën në qeli me një spiune e provokatore, ku kuptova menjëherë se gjendesha në kurth.

Më sollën më pas një mjek psikiatër, të cilit iu luta të mos shënonte asgjë, që nuk konstatonte. Doja të tregoja se isha krejt në rregull dhe çdo gjë e bëja me vetëdije…”!

Këto janë vetëm boshti i kujtimeve të hidhura të Laurës, ato që as do donte t’i përmendte po të mos ia kërkonin. Fatbardha Mulleti Saraçi, e ka përfshirë historinë e saj, në atë të librit “Kalvarit të grave në burgjet e komunizmit”.

Mes të tjera kujtimeve të mjegulluara, rrëfimi i Laurës përfundon: “Gjyqi im ishte edhe fundi i komedisë që luajtën me mua…! Unë, e akuzuara 16-vjeçare dhe dëshmitarët: mësuesit, drejtori, shoqet e mia e pak më tej populli, ai që ishte gjithnjë me mua.

Nga përgjigjet që i dhashë gjykatësit për partinë e udhëheqjen, ai tha: ‘Vetëm këto fjalë janë të mjaftueshme, për të vuajtur dyfishin e dënimit’. Prokurori më tha se; do të më shtypnin si krimbin.

Drejtori i shkollës vijoi: ‘Shpata e drejtësisë do të bjerë mbi Laurën dhe të gjithë armiqtë’. Ime më u ngrit për të thënë se; ç’armike mund të ishte një vajzë e parritur…!

Nga dënimi fillestar me tetë vite, për shkak të moshës, më lanë katër vjet. Sapo mbërrita në qeli, m’u vërsulën si të tërbuar pesë police, për të më lidhur duar e këmbë, sepse u kisha sharë udhëheqësin.

Mbaj mend që dhoma u bë krejt e kuqe dhe unë kafshova këmbën e atij, që ma vuri në gjoks. Përmes thirrjeve, ndjeva se gojën e kisha të mbushur me gjak. Kjo ishte historia e gjyqit dhe dënimit tim…! Ndërsa jo më e lehtë ka qenë edhe ajo pas burgut, kur u degdisa në Ndërmarrjen ‘Zunkth-Kashta’, për të punuar”.

Siç është e njohur skema tashmë, ata që kishte mbi kokë do t’i kërkonin vazhdimisht të bënte autokritika, përballë të cilave ajo zgjodhi gjithnjë heshtjen. Arsye kjo pse sytë që i rinin mbi krye për t’i matur çdo lëvizje, nuk iu ndanë asnjëherë, deri sa koha i hapi dyert për të ikur…!

Dëshmia e Laura Keçit, për torturat ndaj Dom Mikel Beltojës

Ata që e njohën nga afër, e dinin mirë se Dom Mikel Beltoja, nuk dallohej për ndonjë gjë të veçantë, siç edhe janë shprehur; nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonshme, as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte orator i shquar si përmendeshin At Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, Dom Kolec Prenushi, etj; por në vendosmëri e përkushtim, nuk i lëshonte radhë askujt.

Por në fund të fundit, edhe ato vite të pakta meshtarie, pasi më 1967-ën u mbyllën kishat, nuk lanë ndonjë gjurmë të veçantë në radhët e besimtarëve, gjatë shërbimit të tij në Dajç të Bregut të Bunës, Shllak e Barbullush.

Kur famëkeqi “Revolucion Kulturor”, çoi në mbylljen e kishave, Dom Mikeli u tërhoq në fshatin Beltojë, pranë familjes. Kishte filluar ndërkaq arrestimi në masë i atyre meshtarëve, që ishin ende në shërbim (shumica prej tyre e kishte provuar burgun të paktën një herë më parë në jetë).

Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për asnjë moment nga shërbimet fetare, që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët e tjerë, ende të “lirë”, ishin strukur të tmerruar në ndonjë barakë apo, pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo ku e thërrisnin: prej Barbullushit, deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë më shumë të besonin, se ky nuk mund të ishte fundi.

Ai vinte kurora martese (fshehtas), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetur se cilat do të ishin pasojat. Prifti fshatar, i heshtur por edhe i ëmbël, i thjeshtë e trim, nuk e dinte deri në ç’pikë po e ndiqte Sigurimi i Shtetit. Kur ndokush e paralajmëronte se; ç’po i bënte vetes, ai përgjigjej buzagaz:

“Mirë, kështu thënka partia?! Po ligji? A është e ndaluar me ligj, të pagëzosh fëmijë”? Por liria e tij nuk zgjati edhe shumë. Më 19 prill të 1973-shit ra në duart e Sigurimit të Shtetit. Motivi; “Agjitacion e propagandë kundër Partisë”.

Së pari, dënimi për të, ishte për shtatë vite burg, por aty, nëpër fjalët e tij të fundit, në sallën e mjerë të Këndit të Kuq, përpara bashkëfshatarëve të tij, përveç fjalëve predikuese, Dom Mikel Beltoja, u ngrit e shtoi: “Këtu, në bankën e të akuzuarve, duhet të ishte Enver Hoxha, jo unë”!

Mund të parafytyrohet tashmë se si kanë kërcyer “të devotshmit” aty përpara trupit gjykues, gjaku i Dom Mikel Beltojës shndriti mbi rrobat e tij e, megjithatë vijoi; “Fali o Zot, nuk dinë çfarë bëjnë!”.

Dom Mikel Beltoja u dënua me pushkatim. Në ata pak muaj burgim përpara aktit të fundit, pranë qelisë së tij ka qenë edhe 16-vjeçarja Laura Keçi, e cila tregon makabritetet e ngjarjes:

“Ende pa u arrestuar, kisha dëgjuar se një prift i ri predikonte pa frikë, për Jezu Krishtin dhe bënte shërbime fetare. Prandaj edhe do të më vriste menjëherë veshin kur hetuesit, ndërsa më shoqëronin në qeli, thoshin; ‘Ç’t’i bësh, është ende e vogël, po të ishte pak më e madhe, do ta pushkatoja me dëshirë bashkë me priftin’, dhe qëlloi që më futën në një birucë aty afër tij.

E shihja se si komandant Basri Temja, i sillte gjellën Dom Mikelit, që ishte i lidhur këmbë e duar me zinxhir, në pritje të ekzekutimit të vendimit për pushkatim. Gjella, siç kuptohej, ishte shumë e nxehtë, mbasi nga djegia, dëgjoheshin ulërimat e priftit që nuk mund ta kapërdinte.

Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tastit të aluminit në çimento, që kishte rënë mbasi tasi i ishte hedhur fytyrës, bashkë me gjellën.

Kjo torturë i përsëritej çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një tjetër polic i birucave që vinte me çizmet e tij të rënda, hapte birucën e dom Mikelit e veç kur dëgjohej krisma e kockave të kupave të gjunjëve të tij prej shkelmimit që pësonte.

Goditjet ishin aq të forta, saqë betohesha se kockat po i thyheshin. Këto vuajtje e tortura i dëgjova disa herë përgjatë muajve që qëndroi në qelinë përbri meje deri sa u pushkatua.

Të paktën kështu ishte vendimi, sepse njëri nga rojet, krejt ndryshe nga të tjerët, me emrin Ndue, më pat treguar se kur e morën e u nisën për Tiranë, rrugës i patën bërë injeksion dhe ndërroi jetë menjëherë.

E kanë çuar të vdekur dhe, siç u tha, u pat marrë nga mjekët e besueshëm qeveritarë, për t’u përdorur për studim nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës”. Memorial

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat