“Pasi e torturuan për dhjetë orë, im atë mbaroi! I hodhën litarin në fyt, pastaj i çanë…”- Dëshmia rrëqethëse e djalit të Teme Sejkos

Dokumentare

“Pasi e torturuan për dhjetë orë, im atë mbaroi! I hodhën litarin në fyt, pastaj i çanë…”- Dëshmia rrëqethëse e djalit të Teme Sejkos

Nga: Agron Mema Më: 30 prill 2024 Në ora: 08:14
Foto ilustrim

Çdo vit, djali i vetëm i mbetur nga familja e Teme Sejkos, Rajmond Sejko, i cili prej vitesh jeton në SHBA-ës, nuk mungon të vijë edhe në qytetin e Sarandës. Në vitin 2018, ai ishte i shoqëruar edhe me djalin e tij, Teme Sejko-i riu, për të cilin thotë se ëndërronte që zoti t’i sillte në jetë një djalë dhe t’i vinte emrin e të atit, Teme Sejko. Dhe zoti ja solli dhuratën e ëndërruar, në krah të tij, kemi Teme Sejkon e ri. Teme Sejko – i riu, shprehet se është krenar për personalitetin e gjyshit të tij, emrin e të cilit trashëgon. Rajmondi tregonte ditën e internimit pas burgosjes së babait, kalvarin e vuajtjeve të familjes, që nga arrestimi dhe vrasja e vëllait të tij, si dhe vetvrasjen e nënës së tij, pas kalimit në deperesion nga mospërballimi i dhimbjes së vrasjes së të birit.

Rajmondi tregonte hamendësi dhe prapaskenat e arrestimit të të atit dhe grupit të të ashtuquajturve “Grupi Çam”, ku u burgosën dhe u pushkatuan shumë persona, sidomos nga Konispoli.

Rajmond Sejko tregonte se shteti i asaj kohe u bë xheloz, se pse Hrushovi në Pashaliman, takoi Temen dhe krah për krah, hyri në bazë. Por këtë e bëri se Temja, ishte komandanti. Këtë Hrushovi e përsëriti edhe në Sarandë, gjatë vizitës së tij, ku Temen e mori me vete.

Por gjatë kësaj vizite ishte edhe vet Enveri dhe kjo ngjalli xhelozi. Por qenë vite të turbullta, në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe duhej një kurban, t’i mbushej mendja popullit se BRSS-ja kish tradhtuar dhe ja, shikoni, të këqijat që po përgatiteshin kundër socializmit dhe shtetit shqiptar.

Rajmondi tregon plot ngjarje rrëqethëse nga kjo tragjedi, si dhe bën apel për një tjetër gjyq të tyre, që të rehabilitohen, se ende janë të dënuar. Ju ftojmë të ndiqni bisedën.

Z, Raimond, a mund të na thoni diçka, për kalvarin e vuajtjeve tuaja?

Kalvari është shumë i gjatë. Ca gjëra dihen. Ca të tjera nuk dihen. Filloi më 28 korrik 1960, kur im at, xhaxhai (Taho) dhe Tahir Demi, u arrestuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë. Im at në zyrën e Beqirit, xhaxhai në zyrën e tij në Shkodër dhe Tahiri në Elbasan. Që atë ditë fillon kalvari i familjes sonë kur erdhën dy oficerë të Sigurimit, të cilët nuk lanë gjë pa kthyer përmbys dhe na dhanë mandatin se babai, ishte arrestuar.

Unë isha 11- vjeç, pa mbushur 12. Unë isha djali i madh, ndërsa vëllai im, (Sokoli) ishte 9 – vjeç në atë kohë. Dhe morëm vesh që ishin arrestuar këta, por ishim shumë të vegjël që t’i kuptonim mirë gjërat. Kur shkuam në Vlorë dhe pamë që shtëpia qe kontrolluar, atëhere morëm vesh se, ditë më të këqija do të vinin.

Na i morën, na i konsfiksuan pothuajse gjithçka dhe na lanë vetëm me rrobat e trupit dhe me nga një lugë e pirun…! Po mos të zgjatemi më shumë, për atë punë. Na futën në një shtëpi në sheshin e “Kateqit”, në Vlorë.

Kontrolli i parë u bë në Tiranë, tek shtëpia e gjyshit nga mamaja, ku rrinim, kurse kontrolli i dytë, ishte bërë në Vlorë pa vajtur neve. Morën radion, e morën gjithçka. Jetonim në sheshin e “Kateqit”, në një dhomë ku në korridorin e saj jetonin edhe katër familje të tjera, me një banjë.

Ne vazhdonim shkollën. Në shkollë nga shokët e shkollës, nuk kam ndjerë ndonjë presion, sepse kishte dhe shumë çam rreth e rrotull. Gjyqi bëhej me altoparlant dhe të gjithë ktheheshin nga ne. Për të na ngacmuar, nuk na kanë ngacmuar në atë kohë.

Si vijoi më pas…?

Më pas, megjithëse me vendim të gjyqit u dënua me internim, vendim që u kthye në dënim. Në gjyqin e babait, ndodhi kjo punë. Më 22 tetor 1961, vijnë na marrin dhe na çojnë në Berat. Në fillim na çojnë tek “Barangat e tërmetit”, kështu quheshin. Pas dy muajve, na çuan në kalanë e Beratit, ku jetuam edhe 10 vjet.

Edhe pse mbarova me nota të mira, se deri në klasën e pestë isha pas dënimit të babait, edhe në gjimnaz, isha nga më të mirët, asnjëherë nuk u përmend emri im. Mbas asaj, po të mos kishim pasur gjyshin dhe gjyshen nga mamaja, nuk e di si do kishim jetuar, sepse ishim dy fëmijë të vegjël dhe një grua që kishte probleme me kurrizin dhe nuk mund të punonte dot.

Më të shumtën e kohës, deri sa ajo vdiq, pothuajse ka punuar shumë pak. Kjo histori zgjati dy vjet. Pas kësaj erdhi arrestimi i tim vëllai, i cili u arrestua për gjëra kot. Ishte 23- vjeç kur u arrestua. 23 i bëri në tetor dhe u pushkatua në 6 mars, të vitit 1974.

Gjyqi u bë në janar, në Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”,  me akuzën se; do ti vinte zjarrin kombinatit, terrorizëm, krijim bandash, arratisje, agjitacion. Ai nuk kishte bërë asnjë gjë.

U morën në qafë edhe disa të tjerë, që kishin dalë në fotografi me tim vëlla. Me këta u krijua grupi armiqësor, me shokët e fotografive dhe atë e pushkatuan, sepse kishin dalë në fotografi me vëllanë!!

Si e mbani mend babain?

Nuk e mbaj mend ndonjëherë baban, që ai të ishte agresiv me ne, me mamanë ….(qan….).për mua, ai ishte babai më i mirë në botë.

Gjatë kohës që babai juaj ka qenë i arrestuar në burg, shkuat ndonjëherë për ta parë?

Kush të lejonte. Asnjëherë, asnjëherë nuk e kemi parë.

Kur u ekzekutua?

Gjyqi filloi më 15 maj dhe mbaroi në 27 maj dhe me letrat zyrtare, që nuk gjendet asnjëherë, se cila është data e pushkatimit, por thonë se më 30-31 janar. Po nga dokumentet e mëvonshme, del se nuk u pushkatua.

Mbas gjyqit të Kadri Hazbiut, kanë dalë dokumenta që atë e kanë torturuar, e kanë mbajtur një muaj gjallë, për të shkruar ato gjëra që ai nuk i kishte bërë kurrë. Dhe mbas një muaji, e kanë marrë nga burgu i Tiranës, e kanë çuar në një vilë në periferi.

Me iniciativën e Mihallaq Ziçishtit, që dërgoi kushëririn e tij, shoferin, që të priste drunj shkoze dhe filluan ta torturonin, që nga Kadriu vetë e, me radhë, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, etj.

Pas 10 orësh, kur im atë, ndonëse kishte shumë pak shpirt, erdhi përsëri Kadri Hazbiu e pa, iku dhe pasi im atë mbaroi, e hipën në makinë dy vetë, ai Birçja dhe Gjondeda, i hodhën litarin në fyt, duke e tërhequr nga të dyja anët, pastaj e çuan nga Linza, i çanë dhe kafkën, para se ta varrosnin, kurse kushëriri i Mihallaq Ziçishtit, i mori dhe rrobat që kishte veshur.

Si e çmoni babain tuaj?

Unë e çmoj shumë se synonte të vinte emra të rinj, se emri i tij qe emër i vjetër, mirë emri i mamasë qe Shpresa, emri i vajzës së vogël, është Didar, si gjyshja nga mamaja, që ashtu e kërrusur, tërhiqte trastat dhe m’i sillte në Spaç, ka ardhur në internim, ka jetuar me mua. Më ndihmonte sa të mundte. Për të gatuar, shtynte furnelën e vajgurit me këmbë, që ta çonte aty, afër krevatit. Ajo është heroina ime, gjyshja ime, por edhe gruaja, është njeriu më i çmuar.

Mbaj mend nga Konispoli, isha i vogël kur vinim në festën e Bogazit, nuk mbaj shumë mend shumë nga rruga, se më zinte makina, por mbaj mend jeshillëk. Kam qenë nja dy –tre herë këtu. Nuk e di, po unë kujtoj që atë e kanë respektuar.

Por si duket ka bërë edhe armiq, se Etem Gjinushi thotë që ishte arrogant, se ai ishte shef i personelit të ministrisë së Mbrojtjes dhe kalonin në dorën e tij gradat. Megjithatë, im at është graduar disa here, jashtë radhe.

Gjatë gjithë këtij kalvari që ju kaluat duke u pushkatuar babai, xhaxhai, vëllai, duke i dhënë fund jetës mamaja në ato kushte depresioni të rëndë ku nuk mund ta duronte më jetën, a ka mundur ndonjëherë Mond Sejkua, të thotë; “mallkuar qofsh, o baba”?! 

(Tund kokën duke qarë dhe psherëtin): Kurrë, asnjëherë…(mbledh supet me psherëtima..) Asnjëherë nuk kam qenë i bindur se babai im ka qenë fajtor ….ndryshe nuk do ja kisha vënë emrin tim biri …(qan) …gjatë gjithë kohës kisha ëndërruar, që nëse lindja djalë, do t’ia vija emrin djalit.)

Çfarë keni mësuar për arrestimin e tij?

Beqir Balluku i ka thënë, që kjo është detyrë partie dhe do ta bësh, por nuk mund ta imagjinoj, se ai do ta bënte detyrën e partisë dhe të mos mendonte edhe për ne të tjerët, që na linte mbrapa. Nuk e di, nuk e di se çfarë ka ndodhur…?!

Për mua ai ishte njeri shumë i rregullt, njeri që e donin të gjithë ata që e kanë njohur, çfarë të të them…?! Fliste me pasion për vendlindjen, po jo shumë se ne ishim të vegjël dhe nuk kuptonim, po dhe ai nuk kishte shumë kohë të rrinte në shtëpi, sidomos kur shkoi në marinë dhe ai nuk ishte i profesionit. Akademinë e dytë “Voroshillov” në Rusi, e mbaroi për oficer madhor për ushtrinë dhe jo për marinën.

Ai ishte kundëradmiral i FLD-së?

Po, ishte dhe më duket se e përdorën për ta mashtruar, se kështu i thane, që do të dërgojmë në Rusi, për specializim marine, i dhanë një zyrë në Tiranë dhe e arrestuan në zyrën e Beqir Ballukut. Babain e arrestuan dhe e vunë para faktit të kryer.

Çfarë ka ndodhur, unë e thashë më përpara, që nuk e di, por mua ma merr mendja, që truri i tyre, ishte shpëlarë aty, u ishte bërë lavazh truri, sepse e di me siguri nga Dervish Sulua, që nuk ka pranuar dhe ja ka marrë kokën Ferat Matohiti, e ja ka futur tek çelësi, të shikonte se si po bëheshin përgatitjet e teatrit dhe çfarë do thoshin në gjyq.

Po i përgatitnin se çfarë do thoshin. Dhe të pranosh të gjithë ato gjëra nuk e di, nuk ka mundësi që ti pranojë një njeri të gjitha gjërat, edhe sikur ti ketë bërë nuk ka mundësi ti pranojë të gjitha ato.

Babai i pranoi ato akuza?

Po, babai i pranoi të gjitha dhe në gjyq.

Sipas jush cila ishte arsyeja e vërtetë, e arrestimit të babait tuaj?

Mendoj se arsyeja kryesore, ishte se po prisheshim me rusët dhe babai im, ishte në Flotën Luftarake Detare, se përplasjet e para filluan në Flotë, po jo në kohën kur babai ishte arrestuar. Mendohet se Hrushovi, i futi krahun babait në Pashaliman, si komandant që ishte dhe eci bashkë me të brenda.

Kur isha në Sarandë vitin që kaloi, mora vesh që edhe aty, kur ka shkuar ai, ka marrë për krahu tim at, kjo ngjalli xhelozi, se me ta qe edhe Enveri, por edhe se me prishjen me rusët, donin t’i tregonin popullit, se; ja këto po na bëjnë rusët dhe mendimi është se propozimin e parë për këtë kurban, ja kanë bërë Hilmi Seitit, që nuk e ka pranuar dhe mendimi im është se; këtë dyshim e kam edhe nga im at, e po këtë mendim shprehnin edhe në burg, shumë të dënuar.

Hilmi Seitin e helmuan, se kur mori vesh që Hilmiu ka vdekur, babai, Temja, ka vajtur urgjent në Shkodër dhe e di me siguri që ka pasur edhe armë në makinë, kur ka vajtur në Shkodër. Atje gjeti faktin e kryer. Në qershor 1960, ne vajtëm në Shkodër dhe shkuam edhe tek varri i Hilmiut, këtë ja vunë edhe si provë babait në akuzë. Nuk e di çfarë ka ndodhur në hetuesi, po mund ti imagjinoj.

Cila është arsyeja e dënimit?

Ah, asaj nuk ju dha asnjëherë arsyeja dhe as përgjigjja. Dhe babai im, figuron akoma i dënuar. Babai im me xhaxhanë dhe gjithë grupi, për mua janë të dënuar akoma. Sepse nuk shikoj unë, që ata mund të vazhdojnë urrejtjen që kanë për çamët, për mua ajo vazhdon dhe emrat e atyre, nuk janë vënë në vend. Duhet të bëhet një gjyq siç u bë, që ata të marrin pafajësinë, jo me një vendim të Kuvendit Popullor, siç e bëri Sali Berisha! /Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat