Policia në Shqipëri arrestoi në flagrancë dy persona të dyshuar për trafikim të veprave të artit kundrejt fitimit të shumave të mëdha financiare nga shitja e tyre te shtetas nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi.
Policia tha se gjatë kontrollit në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit” Rrogozhinë, u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme, të cilat të dy personat dyshohet se i kanë siguruar në Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Sipas policisë njëri prej të arrestuarve është Pëllumb Leka (53), punonjës i parqeve arkeologjike, i cili siguronte statujat, ndërsa shtetasi tjetër Emanuel Çaço (56) bashkëpunonte për të shitur veprat e artit shqiptar kundrejt vlerave që sipas policisë varionin nga 10.000-20.000 euro.
Prokuroria shqiptare po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprën penale trafikimi i veprave të artit dhe kulturës.