Një tjetër mozaik del në dritë në sitin më të ri arkeologjik të qytetit të Durrësit

Durrësi

Një tjetër mozaik del në dritë në sitin më të ri arkeologjik të qytetit të Durrësit

Më: 9 maj 2024 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Një tjetër mozaik del në dritë në sitin më të ri arkeologjik të qytetit të Durrësit tek kantieri i ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”.

Në kompleksin e vilave të shekullit të I & II të erës sonë, që doli në dritë në muajin tetor të vitit të kaluar, grupi i arkeologëve i drejtuar nga profesor Luan Përzhita kanë zbuluar paraditen e sotme një mozaik në ngjyrë qumështi, me gurë blu dhe një tjetër në ngjyrë të kuqe, pjesë e pishinës së vilës antike.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton për Balkanweb se njëkohësisht kanë dalë në dritë edhe afreske shumëngjyrëshe, pjesë e dekorit të vilës që në kohët antike ndodhej shumë pranë amfiteatrit të qytetit.

Mozaikët e dalë në dritë ndodhen jo shumë larg mozaikut floreal të zbuluar muaj më parë. Është ende herët për arkeologët që të mund të përcaktojnë përmasat e këtyre mozaikëve, pasi do të jenë ditët në vijim që do të japin një kuadër më të plotë të zbulimeve të reja. Sipas arkeologut Përzhita, gërmimet e shpëtimit janë përqendruar në një sipërfaqe 1200 metra katrorë.

Ndërkohë, ende nuk ka nisur puna për zbulimin e plotë të mozaikut të parë floreal, një pjesë e konsiderueshme e të cilit ndodhet poshtë një sasie mjaft të konsiderueshme dherash dhe pemësh shtatlartë, që e vështirësojnë ndërhyrjen në terren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat