​Rritet interesimi i kompanive në Evropë për punëtorë të kualifikuar në Kosovë

Ekonomi

​Rritet interesimi i kompanive në Evropë për punëtorë të kualifikuar në Kosovë

Më: 3 mars 2024 Në ora: 09:56
Foto ilustrim

Kosova po bëhet vend tërheqës për punëtorë të kualifikuar nga kompanitë e ndryshme të Evropës. Ka shënuar ngritje numri punëdhënësve nga shtetet e ndryshme të Evropës që po kërkojnë punëtorë në vendin tonë, përmes konkurseve elektronike. Numri i shpalljes së konkurseve të punës nga kompanitë private dhe institucionet e ndryshme publike në Kosovë, po ashtu po shënon vazhdimisht rritje.

Kështu bënë të ditur themeluesi i platformës "KosovaJob", Arion Rizaj, derisa thotë se pritet që vitet e ardhshme konkurrenca e aplikantëve të mos mbetet vetëm në suaza lokale. Ndërkaq, sociologë dhe njohës të burimeve njerëzore po konsiderojnë se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar dukshëm mënyrën e aplikimit për punë.

Përveç kësaj, Rizaj potencon se çdo herë e më shumë po rritet numri i konkurseve të shpallura nga kompani të shteteve të ndryshme të Evropës.

Rizaj: 2024-tën po i vërejmë tri ndryshime kryesore në tregun e punës

"2024-tën po i vërejmë dy ndryshime kryesore në tregun e punës, ndoshta tri kisha me thanë. E para, ka numër jashtëzakonisht të madh të konkurseve të cilat publikohen në KosovaJob, që të jep për të kuptuar që po ka lëvizje në treg. E dyta, ka numër shumë të madh të konkurseve që vijnë prej shteteve të ndryshme të Evropës. Për shembull, ka kompani të Gjermanisë që publikojnë konkurse në KosovaJob. Duan ta punësojnë një person prej Kosovës të punojë direkt për Gjermani, qoftë fizikisht të shkojë në Gjermani ose në Zvicër ose cilin do shtet, apo edhe prej Kosovës të punojë online për këto vende. Dhe e treta, po e shohim se nëpër listat e aplikantëve kemi filluar të kemi aplikonte që vijnë prej shteteve të ndryshme, për shembull prej Turqisë, Bangladeshit, që të jep të kuptosh se viteve të ardhshme konkurrenca nuk pritet të jetë vetëm lokale. Por, konkurrenca në Kosovë do të jetë globale nëse mund ta quajmë të tillë. Ndoshta kjo është një dukuri që ka filluar edhe prej pandemisë e tutje, ku shumë të rinj dhe të reja vetëm kanë gjetur punë, jetojnë në Kosovë dhe punojnë freelancing për kompani të jashtme", thotë Rizaj.

Ndërkaq, njohësi i burimeve njerëzore, Liridon Alidemaj për KosovaPress thotë se pjesa më e madhe e konkurseve vjen nga sektori privat.

Alidemaj thekson se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar situatën me punësim, ngase sipas tij falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale njerëzit kanë mundësi shumë më lehtë të aplikojnë për një vend pune.

Alidemaj: Pjesa më e madhe e konkurseve vjen nga sektori privat

"Konkurset e punës të cilat sot i shohim në portale të ndryshme, në webfaqe të kompanive apo institucioneve publike padyshim që e kanë përmirësuar dukshëm mënyrën e aplikimit për punë. Por, normalisht edhe që e kanë përmirësuar situatën me punësim, sepse falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale gjithçka është bërë më e lehtë sot, ku njerëzit kanë mundësi shumë më lehtë të aplikojnë për një vend pune, sesa si ka qenë më herët. Andaj, kompanitë kanë një rritje të vetëdijesimit lidhur me mënyrën se si po i promovojnë vendet e lira të punës nëpër kompanitë apo institucionet përkatëse. Fatkeqësisht, nuk kemi ndonjë shifër konkrete ku mund të them se a publikojnë më shumë kompanitë private apo institucionet publike shpalljet e punës. Mirëpo, nga praktika dhe përvoja ime shumëvjeçare në fushën e burimeve njerëzore, mund të them se sektori privat, duke e ditur se është edhe gjeneruesi më i madh i ri i punësimit të vendeve të punës në Kosovë, padyshim që pjesa më e madhe e konkurseve vijnë po ashtu nga sektori privat", potencon Alidemaj për KosovaPress.

Ndërsa, sociologia Dhurata Prokshi thekson se pavarësisht rritjes së numrit të shpalljes së konkurseve, sektori privat ende vazhdon të ngec në përmirësimin e kushteve të punës, ngritjes së standardeve dhe zbatimin e kontratave për të drejtat e punëtorëve.

Prokshi: Sektori privat ende vazhdon të ngec në përmirësimin e kushteve të punës

“Dinamikat në tregun e punës dhe lëvizjet e popullatës, zhvillimi i profesioneve të shumta ka imponuar zhvillimin edhe të formave të ndryshme sikurse për punëdhënësit që të rekrutojnë mënyra më të avancuara për punëtorët, për shërbimet që ata i ofrojnë, por njëkohësisht edhe për punëkërkuesit. Konsideroj që këto dyndjet e fundit drejt vendeve perëndimore, shkollimi i madh jashtë vendit i të rinjve e ka zvogëluar mbase strukturën e popullatës, por njëkohësisht e ka ngritur kërkesën e tyre për rroga më të mira...Për sektorin privat, atë të shitjes, të hotelerisë apo kështu me radhë edhe ata janë në një situatë kur po bëjnë përpjekje që ta ngritin seriozitetin e tyre, dhe të bëjnë thirrje për angazhim të punëtorëve përmes platformave të punësimit... Mund ta interpretojmë si dëshirë që të marrin më të mirin, të zgjidhin më të mirin çfarë ofron tregu i punës prej punëtorëve. Por, në pamundësinë për të zgjedhur përmes lidhjeve jo formale, familjare, miqësore që i kanë zgjedhur deri tash. Ajo çfarë është fatkeqësi, është që sektori privat ende vazhdon apo ngec në ofrimin e ngritjes së kushteve, ngritjes së standardeve, si në zbatimin e kontratave, si në zbatimin e të drejtave të punëtorëve, gjë që po ndikon në vështirësitë që i hasim në rekrutimin e punëtorëve të rinj", thotë Prokshi për KosovaPress.

Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh, sidomos sektori privat. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat