​Fusha takon përfaqësuesit e Bankës së Italisë, flasin për objektivat e BQK-së

Ekonomi

​Fusha takon përfaqësuesit e Bankës së Italisë, flasin për objektivat e BQK-së

Më: 14 mars 2024 Në ora: 16:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Dardan Fusha me ekipin e tij priti në takim përfaqësuesit e Bankës së Italisë (Banca d’Italia), Gianluca Maddaloni dhe Roberto Zuccala, si pjesë e misionit për mbështetjen e BQK-së në fushën e operacioneve me para të gatshme, në kuadër të Programit për Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Integrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe Banka Qendrore Evropiane (ECB) i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në njoftim thuhet se qëllimi i kësaj vizite pune dyditore është në mbështetje të BQK-së për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike, si dhe praktikave për operacionet me para të gatshme, si vijim i misionit paraprak për këtë qëllim të realizuar në nëntor të vitit 2023, ku u shqyrtua korniza ligjore e BQK-së për çështjen e operacioneve me para të gatshme.

“Zëvendësguvernatori Fusha gjatë këtij takimi njoftoi përfaqësuesit e Bankës së Italisë lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përfshirë planin për avancimin e luftimit të dukurisë së parave të falsifikuara dhe modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të BE-së (SEPA)”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, zëvendësguvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës, me theks të Banca d’Italia ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e shumë proceseve dhe praktikave në kuadër të BQK-së.

Më tej në komunikatë thuhet se zëvendësguvernatori Fusha përmendi se është sidomos i rëndësishëm ky mision që ndërlidhet me zhvillimet aktuale lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe aktivitetet e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet tjera vendore në luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara, si dhe ruajtjen e integritetit të valutës Euro.

Gjithashtu, palët diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së për digjitalizimin e shërbimeve financiare me fokus uljen e përdorimit të parave të gatshme, në linjë me rekomandimet e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u diskutua edhe procesi i nisur ndërmjet dy bankave qendrore për të studiuar më hollësisht mundësinë e bashkëpunimit në adaptimin e një zgjidhjeje me Bankën e Italisë, për mundësimin e inicimit dhe shlyerjes së pagesave të shpejta në nivel lokal dhe me objektiv final ndërlidhjen me Sistemin e Pagesave të BE-së (TIPS)”, thuhet në komunikatë.

Në fund, Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Italisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejt zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata drejt avancimit të kornizës ligjore dhe infrastrukturës teknike të shërbimeve financiare dhe integrimit me skemën dhe sistemet evropiane të pagesave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat