Korporata e Ruajtjes së Energjisë do të mundësojë çmime të balancuara

Ekonomi

Korporata e Ruajtjes së Energjisë do të mundësojë çmime të balancuara

Më: 17 mars 2024 Në ora: 08:23
KEK

Në dekadën e ardhshme Kosova pritet të ndërtojë kapacitete të ruajtjes së energjisë elektrike, të cilat do të jenë ndër më të mëdhatë për kokë banori në Evropë. Kjo pasi qeveria i ka dhënë dritën e gjelbër themelimit të Ndërmarrjes Publike Qendrore ‘Korporata e Ruajtjes së Energjisë’, e cila do të menaxhojë 125 MW te kapacitetit të baterive

Me themelimin e saj paralajmërohet sistem më i qëndrueshëm energjetik e çmime më të balancuara.

“Balancimi i tenderit për ndërtimin e baterive pritet të ndodhë në dy faza: në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër. Kështu që deri në fund të vitit të ardhshëm ne presim që të lansojmë të gjitha këto, qoftë tendere apo ankande. Disa prej tyre do të përmbyllen e do të nënshkruhen dhe do të fillojë ndërtimi, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe pa vonesë”, tha Rizvanolli.

Njohës të energjetikës thonë se përmes kësaj ndërmarrjeje, energjia që do të teprojë do të ruhet për t’u shfrytëzuar kur kërkesat janë më të larta, e po ashtu edhe do të tregtohet në rajon.

“Në të ardhmen parashihet që të ketë gjenerator të shumtë nga era, nga fotovoltaikët. Veçori e këtyre gjeneratorëve është se prodhojnë nganjëherë energji elektrike kur neve nuk na nevojitet dhe roli i tyre që tepricat e prodhimit të energjisë t’i ruajnë në këto bateri dhe ta shfrytëzojmë të njëjtën energji elektrike gjatë periudhës kur ngarkesa apo kërkesa është shumë e lartë, më e lartë se sa prodhimi. Sigurisht se ajo energji pastaj përdoret gjatë kohës së pikut”, tha Naim Bujupi për RTK.

Ndërsa, sipas njohësit të kësaj fushe, Lulzim Beqiri, edhe nevoja për import të energjisë do të bjerë.

“Kjo ndërmarrje e themeluar nga qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit derivon nga marrëveshja me MCC dhe ka funksion kryesor ruajtjen e energjisë elektrike, tregtimin, stabilimentet e energjisë elektrike dhe do të kryejë funksionin e përcaktuar me ligj, në mënyrë që të lehtësojë edhe furnizimin me energji elektrike, tregtimin dhe stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

Ndërmarrja e re do të funksionojë si shoqëri aksionare me aksionar të vetëm Republikën e Kosovës dhe do të ofrojë shërbime pandërprerë të energjisë elektrike për qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat