BQK-ja synon platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik

Ekonomi

BQK-ja synon platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik

Më: 19 mars 2024 Në ora: 13:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Kosovës sot ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të avancuar bashkëpunimin dhe mbështetur aspektin akademik, avancimin e njohurive ekonomike dhe financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.

Me këtë rast, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se ky memorandum pritet të kontribuoj në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë e financave në përgjithësi dhe edukimit financiar në veçanti.

Përmes këtij memorandumi, BQK-ja synon të ndërtojnë platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik, ku do të mund të zhvillohen projekte dhe iniciativa të përbashkëta për të ngritur dhe avancuar njohuritë edukative ekonomike dhe financiare në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike dhe financiare për të rinjtë.

Pas nënshkrimi të këtij memorandumi, guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili para studentëve të Fakultetit Ekonomik mbajti ligjëratën me titull "Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës”.

Ismaili Banka Qendrore përmes ekspertëve të saj do të ofrojë ekspertizën në procesin akademik

"Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ne jemi duke i shënuar disa aktivitete, e kemi paraparë edhe memorandumin me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Memorandume të tilla të ngjashme do të nënshkruajmë edhe bartësit e tjerë të arsimit të lartë në Kosovë, qëllimi i të cilave është që Banka Qendrore përmes ekspertëve të saj të ofrojë ekspertizën në procesin akademik, të shkëmbejë të dhënat sa i përket çështjeve që lidhen me publikime të ndryshme kërkimore dhe shkencore si dhe të ofrojë tryeza të diskutimeve të përbashkëta ku lidhen me çështje kryesore makroekonomike dhe sistemit financiar të vendit. Prandaj, ligjërata e sotme është nisja e zbatimit të këtij memorandumi që sapo e nënshkruam... Si normë mesatare e rritjes, sipas Agjencisë së Statistikave norma është 3.3 për qind, inflacioni po i bie që mbyllet me rreth 5 për qind, e kemi pasur 4.9 për qind, por që është duke u stabilizuar pra nga 11. 2 sa ishte në 5. E pritjet për vitin e ardhëm janë që të shkojnë në 2.5 sepse në tremujorin e fundit ishte diku rreth 3 për qind ose më pak se 3 për qind. Investimet e huaja direkte janë rreth 11.4 për qind e bruto produkti vendor si dhe remitencat janë rreth 10 për qind e bruto produktit vendor", tha Ismaili.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj u shpreh i lumtur me prezencën e guvernatorit Ismaili, për çka tha ky i fundit do të jetë burim frymëzimi për gjeneratat e reja.

Ai potencoi se me nënshkrimin e memorandumit me Bankën Qendrore të Kosovës, kanë hapur mundësitë për studentët e këtij fakulteti, duk u ofruar atyre praktikë punë dhe mundësi të punësimit.

Balaj: Guvernatori do të jetë burim frymëzimi për gjeneratat e reja

"Edhe nga ky objekt i Fakultetit Ekonomik, studentët tanë arrijnë të kenë rezultate të jashtëzakonshme në jetën profesionale dhe akademike. Guvernatori i ka kryer studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik, dhe me sukses ka arritur që të merr një detyrë, një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, në udhëheqjen e Bankës Qendrore. Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që organizon Banka Qendrore gjithmonë kemi qenë partnerë të Bankës Qendrore, aq më tepër tani, në kuadër të kësaj ngjarje që, sot e kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit të Bankës Qendrore në Fakultetin Ekonomik për të hapur mundësitë për studentët tanë që Banka Qendrore ofron praktikë pune dhe mundësi të punësimit", potencoi Balaj.

Përveç këtyre, gjatë ligjëratës para studentëve në Fakultetin Ekonomik, guvernatori i BQK-së, ka hapur zyrtarisht thirrjen për çmimin vjetor për “Ekonomist i ri”.

Ai tha se ky çmim ka për qëllim që të promovojë hulumtimet shkencore për të gjithë të interesuarit dhe se data e fundit për dorëzimin e tij është 30 shtator 2024.

Ismaili tregoi se në kuadër të këtij punimi janë të përcaktuara pesë tema, ku fituesit do të shpërblehen me një shumë të caktuar monetare, e cila fillon me 1600 euro për fituesin e parë, dhe 600 euro për atë të pestin.

Ismaili: Fituesit e Çmimit për Ekonomistë të rinj do të shpërblehen me mjete dhe certifikatë

"Sot, kemi shfrytëzuar rastin meqenëse jemi këtu para jush të lansojmë edhe zyrtarisht hapjen e çmimit për ekonomistë të rinj. Ky çmim ka për qëllim që të promovojë hulumtimet shkencore për të gjithë të interesuarit. Vlen edhe për juve, janë të përcaktuara pesë tema apo gjashtë kryesoret, të cilat ju mundeni ose t'i shkruani nga fillimi ose t'i keni të shkruara... Data e dorëzimit të punimit është 30 shtator 2024 në ora 16:30. Fituesit do të shpërblehen me një çmimin që nuk e paguan çmimin e shkencës, por thjeshtë e vlerëson. Janë paraparë të shkojnë deri në pesë çmime, çmimi i parë ka 1600, çmimi dytë 1100, çmimi i tretë 900, i katërti 800 dhe i pesti 600", tha Ismaili.

Ndërkaq, shkëmbimi i publikimeve dhe të dhënave, ligjëratat për studentët, angazhimi i ekspertëve, bashkëpunimi hulumtues, mundësia e praktikës për studentët, shqyrtimi i kurrikulës dhe organizimi i ligjëratave me ekspertet e BQK-se, janë disa nga aktivitetet e zotuara nga BQK në këtë Memorandum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat